«Baladë çame» e Bilal Xhaferrit

I lindur në një fshat të Konispolit brenda kufijve të Shqipërisë, Bilal Xhaferri qe ndër shqiptarët e paktë të Çamërisë që nuk u dëbuan nga shtëpitë e tyre 70 vjet më parë. Por si mendimtar i lirë, poeti dhe shkrimtari çam mori rrugën e mërgimit më 1969 për të shpëtu nga regjimi komunist, që po e përndiqte. Jetoi në Amerikë, ku edhe vdiq në moshë të re.

Baladë çame

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi.

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë,
na e ndriçojnë rrugën flakë, që gjithë tokën kanë përpirë.
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive.
Dhe rrugët zgjaten e zgjaten në veri.
Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.