Buk Çällenxh (Book Challenge)

Të gjith’ atyne që më kanë sfidue me i radhitë 10 librat ma të dashtun: ju rrittë ndera! Sfiduesit dhe të sfiduemit e mij i kam përmendë me emën në Facebook. Kurse këtu vetëm po i rendis – jo me abëcë, por simbas vitit të botimit ­– 10 tituj vivllash që më kanë pëlqye, por pa hy dorëzanë se kurdoherë kisha me i zgjedhë të njejtit libra. Kam përfshi vepra të zhanreve të ndryshme, por shumica e titujve janë romane. Qe:

Tue e lexue tash: Át Zef Pllumi, «Rrno vetëm për me tregue», kujtime (1995)

Ky libër patjetër se do të jetë nji prej ma të dashtunve sapo ta kem përfundue. Tashpërtash, nuk po thellohem në mbresat gjithëherë e ma të thella që po më len vepra e fratit françeskan, i cili nuk u përkul para mynxyrës çnjerzuese të komunizmit. Por po mjaftohem tue thanë se kët libër mbase ia vlen me e ba lexim të detyrueshëm për çdonjanin që kërkon diplomë të shkollës së mesme ose universitetit në trojet shqiptare. «Rrno vetëm për me tregue» do të bahet pjesë e pashkëputshme e dhjetëshes sime, sapo ta kem mbarue së lexuemi.


1. Platoni, «Πολιτεία» (Politeía) ose «Shteti», dramë me dialogë sokratikë (rr. 380 p.K.); e përktheu shqip: Vehap Shita

Filozofi helen mbase ka gabue kur e ka zgjedhë titullin e kryeveprës. Sikur t’isha nji prej nxanësve të tij, do ta merrsha guximin me i thanë: “Mësues, librin queje ‘Shteti që nuk duhet me krijue.’” Sepse, ç’asht e vërteta, Platoni me plot ndërgjegjje na e tërheq verejtjen ndaj qeverive shtypëse, kurse lexuesit e tij historikisht e kanë quejtë përkrahës të diktaturës.

Por rrotllat e tij s’janë të lehta me i kuptue. S’i thonë kot, “fillozofi.” «Shteti» i Platonit nuk jep përgjigje për problemet e njerzimit. Por na mëson shumçka dhe na paralajmëron për kufijtë e dijes sonë. E mbasi nuk dijmë dhe qaq, më duket se thotë Platoni, t’i lejmë njerzit e lirë që pa xhandar mbi krye ta mbërrijnë lumtuninë e tyne.

Jo rastësisht pra Platoni asht i ati i filozofisë. Krejt filozofia perëndimore, pat thanë dikush, asht fusnotë për veprën e Platonit. Shqip, kisha me thanë, krejt dijedashësit e Perëndimit bashkë s’i vijnë as deri te thembra Krahgjanit t’Athinës. Tash, gjynah që s’i njoh aq filozofët e Lindjes. Por mjafton me cekë se vetë Platoni nuk asht krejt i panjohun për Lindjen.

Veçse njiherë duhet me e kuptue drejt dijedashësin helen!


2. «Popol Vuh» (kiçeisht, “Libri i popullit”), libër hyjnor (rr. 1701)

“Ky asht tregimi se si gjithçka ishte pezull, gjithçka e qetë, në qetësi; gjithçka e palëvizshme, e pazâ, dhe e zbrazët ishte gjithë gjanësia e qiellit. . . . [Pastaj, perenditë] folën: Le të bahet drita e le t’agojë në qiell e mbi tokë!”

Kështu e nisin rrëfimin e tyne kiçejtë, nji fis i majave të Guatemalës. Për dëshpërimin e ndonji prijësi shpirtnor të kësaj popullsie vendase të Mezoamerikës, unë nuk i besoj asaj që thotë «Popol vuh». Nuk i besojnë as shum nga majat, që gjatë shekujve kanë përqafue krishtenimin, tue braktisë fenë e të parëve.

Veçse në librin e shejtë t’atij populli të largët gjej diçka të fisme: trashigiminë e lashtë ruejtë e përcjellë brez mbas brezi me ndërgjegjjen ma të thellë. Prifti spanjoll Francisco Ximénez, që e kopjoi dhe përktheu veprën, shkruente se pleqtë e Kiçesë i mbanin msheftë shkrimet e tyne, nga frika se ardhacakët e krishtenë do t’ua shkatrrojshin.

Sod mbeten vetëm kopja kiçeisht dhe përkthimi spanjisht i Ximénezit. Disa dijetarë dyshojnë se libri ka qenë ndonjiherë i shkruem deri n’at kohë. Por se ai kishte nji histori të gjatë në Mezoamerikë nuk ka dyshim.

«Popol Vuh» flet për krijimin e botës dhe të qenieve të gjalla nga nji fuqi mbinatyrore, e cila nuk u knaq derisa bani njeriun. Të fuqishëm dhe t’aftë me i adhurue hyjnitë e tyne, njerzit qenë ba nga kollomoqi, drithi ushqyes që u dha emnin e përbashkët fiseve maja. Edhe shqip fjala “misër” rrjedh nga emni i atij populli.


3. Kanuni i Lekë Dukagjinit simbas Át Shtjefën Gjeçovit, përmbledhje ligjesh (1933)

Tue e ruejtë me vetmohim ligjin e tij, malsia shqiptare nuk pranoi me iu nënshtrue fuqive të hueja. “Kanuni i Malevet të Shqypnís,” thotë seksioni 593, “nuk e veçon nierin prej nierit.” Të parët tanë rrnuen ndër shekuj, tue çmue si vlera qensore nderin, barazinë, lirinë dhe besën.

Falë këtyne parimeve, shqiptarët ruejtën dhe përsosën doket, gjuhën dhe vetvetsinë kombtare edhe atëherë kur anmiku kishte shkatrrue shtetin tonë. Qebesa, ato vlera më bindin edhe se populli ynë gjithmonë i ka pa shtetin dhe qeverinë si të këqija të domosdoshme, tue kambëngulë ma parë n’ato që Thomas Jeffersoni i quente “të drejta të patjetërsueshme.”

Kanuni i Lekës, i njohun edhe si Kanuni i Maleve, asht korpusi i së drejtës dokesore në zotnimet e dikurshme të derës së Dukagjinit. At Shtjefën Konstandin Gjeçovi-Kryeziu arrijti me i përmbledhë në shkrim rregullat kryesore të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Por libri të cilin po e radhis këtu u botue tek më 1933, disa vjet mbasi kodifikuesin dhe atdhetarin e madh e vranë pushtuesit jugosllavë.

(Qe dhe kodifikimi prej Shtjefën Gjeçovit në formatin PDF.)


4. Át Gjergj Fishta, «Lahuta e Malcís», poemë epike (1937)

Nji poeme mjafton me ia dashtë vargun që me të pëlqye. Por te «Lahuta e Malcís» unë gjej dhe kallzimin që e ban ate nji vepër madhështore. Ajo asht – siç kanë thanë kritikët e huej – epi shqiptar që askush nuk kishte arrijtë me shkrue ma parë. Poemës që përshkruen përpjekjet e popullit tonë për pamvarsinë kombtare që nga koha e Lidhjes së Prizrenit njimend nuk i gjindet shoqja.

Kangët e «Lahutës» janë kryevepër e shqipes, siç janë për anglishten Beowulfi e për frankishten shansonet e Rolandit. Ndonëse i shkruem me dhjeta shekuj ma vonë, epi ynë mbase ua kalon atyne për madhështinë e vargut, bukurinë e fjalës, mahninë e rimës e besa dhe guximin e kangëtarit që kujton ngjarjet jo të lehta për lexuesin zemërbutë të kohës sonë.

Gjuha e pasun e Fishtës, që dikur e pati ndalue diktatura komuniste, asht në vetvete nji arsye me lexue «Lahutën e Malcís». Me e quejtë sod të mundimshme vetëm për shkak të paditunisë sonë, i bjen me iu nënshtrue diktaturës dhe me heqë dorë nga liria e vetvetsia kombtare që janë thelbi i veprës së priftit e atdhetarit të madh. Vargjet e tij e përshkruejnë shpirtin e kombit shqiptar:

“Ndoshta t’damë ne jemë nder veti, por kúr né të na lypë Mbreti, por kúr Shkjau t’na ngasë n’vênd t’Parëve, per ketë besë, fara e Shqyptarve, turk a i k’shtênë – merr vesht, or djalë – kanë me u gjetun krejt me ‘i fjalë!”


5. Miguel Ángel Asturias, «El Señor Presidente» (spanjisht, “Zoti Kryetar”), roman (1946)

Prapë në Guatemalë. Mikel fytyrengjëlli i kishte shërbye Kryetarit me përulsinë ma të madhe. Por dashunia me Kamilën, të bijën e nji kundërshtari të regjimit, e shndërron ndihmësin besnik të diktatorit në të burguemit e paemën të qelisë 17. Kamila, tashma nanë, bahet skllavja tjetër e fatit të lig: ushtarët e Kryetarit ia ngjyejnë gjijtë me limë para se ta lejnë me i dhanë gji bebes së Mikelit.

Laureati i Çmimit Nobel për Letërsi mund ta ketë përshkrue në kët roman cilindo diktator, në cilindo vend të botës. Kamila për mue asht Silva Turdiu, fejesa me të cilën i kushtoi shtrejt djalit të Mehmet Shehut. Vetë Mehmeti, si fytyrengjëlli, ishte nji bashkëpuntor e bashkëfajtor për krimet e regjimit, por që në nji çast ndjenja prindore e kishte shty me lëshue pe për të mirë.

Miguel Ángel Asturias nuk ia përmend emnin zotni Kryetarit. Por frymzimin shkrimtari mori nga Presidenti Manuel Estrada Cabrera, i cili e sundoi Guatemalën me grusht të hekurt derisa nji kuvend kombtar e shpalli diktatorin të çmendun.

Çmenduni ishte edhe shpërfillja që përjetoi autori në kohën kur botoi romanin e tij të madh. Asturiasi ia pa hajrin çuditnisht diktaturës. Së pari, nji diktaturë e mavonshme guatemalteke e kishte emnue ambasador, sa për ta heqë qafe e largue prej vendit; sa ndodhej larg, Asturias shkruente. Së dyti, namin botnor e mbërrijti vetëm mbasi e fitoi Çmimin Lenin për Letërsi.

Por siç e dëshmon vetë, shkrimtari i madh latinoamerikan ishte zadhanës i lirisë. Ai u ba njiherësh i pari shkrimtar i madh i realizmit magjik, frymës letrare që e hijeshon tregimin tue i përshkrue metafora magjike ndodhitë e jetës reale. Sod për mjeshtër t’atij ghasti e marrim Gabriel García Márquezin. Mirëpo për mue, Asturias mbetet i pakrahasueshëm – shum herë ma i ndërgjegjshëm dhe shum herë ma i mirë.

(Qe edhe nji fragmend që e kam përkthye shqip prej këtij romani mbresëlanës.)


6. Chinua Achebe, «Things Fall Apart» (anglisht, “Punët prishen”), roman (1958)

Për dallim prej shum shkrimtarëve tjerë afrikanë, Chinua Achebe nuk u shkollua jashtë vendit. Ai mbeti vendas me plotkuptimin e fjalës: gjithmonë qortues ndaj kolonizimit, por dhe skeptik ndaj atyne që ishin tëhuejsue dhe s’e njihnin kulturën e popullit dhe e të parëve të vet.

Protagonisti i romanit «Things Fall Apart» asht nji trim a hero i periudhës parakoloniale, që në dheun e Igbove vështirë se i gjeje të shoqin. Okonkwoja ishte mundës i fuqishëm dhe kështu bante nji jetë të knaqshme, me pasuni, me tri gra e shum fëmijë. Por ate dhe familjen e tij po e pritshin shum të paprituna, që ndryshuen rrjedhën e historisë.

Okonkwos iu dha teposhtëzoja kur në dheun e Igbove mbërrijtën evropianët e parë. Ardhacakët nuk u morën me të fortët. Ata ua sollën fenë e re dhe teknologjinë siprore atyne që deri dje Okonkwoja i kishte pa me përbuzje. Erdhën kështu kolonistët, si në Dardani mbas luftës mbarështuesit e UNMIK-ut – t’etshëm jo me bashkëpunue me të virtytshmit e për të mirën e vendit, por me u pasunue për vete tue ua dhanë nji copë atyne që i nënshtrojshin ma lehtë.

(Qe lexoje këtu kreun e parë, që e pata përkthye shqip verën e kalueme.)


7. Ismail Kadare, «Kronikë në gur» (shqip, “Kronikë në gur” de), roman (1971)

Ndër veprat e shkrimtarit gjirokastrit, e shquej kët roman për dy arsye. Së pari, e përshkruen madhështisht lashtësinë e Shqipnisë dhe hjekat e popullit tonë. Së dyti, flet me zanin e padjallzuem të fëmijës, që difton ate që sheh dhe mëson prej rrethit. Kur Ismaili i vogël, që s’e cek askund emnin e tij, flet për ballistët, ai s’e shfaq mendimin e tij; e thotë atë që ia thonë të tjerët.

Te protagonisti nuk ka dinakni. Nejse, asht ajo skena aty – kam harrue ku — me Suzanën. Përqafimet e dy fëmijëve ishin me vetëzgjedhjen e tyne, ani pse tash kish me thanë kush: kadal, asnjani s’e kishin mbërri moshën e pëlqimit. Por s’iu hoq copë. Suzanës, mesa mbaj mend, s’i mungonte kujdesi e mbikqyrja prindore. At fat nuk e kishte Shqipnia, të cilën e shkelte cilado fuqi e huej që i tekej.

Andaj ato që Ismaili shihte e ndigjonte s’ishin krejt mësime virtyti e prrajshmënie. Por ishin, si të thuesh, dredhitë që i ban nji popull i zgjuet për të mos u dorzue shpirtnisht para nji pushtuesi t’egër. Fundja, kush s’do dilte me e pritë buzangaz sekretarin e Partisë Fashiste dhe me ia thirrë me loçkë zemre emnin… e ka thanë Kadareja, po e thom edhe unë: “Muti, Muti, Muti…”!

(Këto fjalë më cytën me e rilexue kët roman, që për herë të parë e pata këndue në fëmijni. Në bibliotekën e banesës në Dallas e kam vetëm të përkthyem spanjisht – Ismail Kadaré, «Crónica de piedra». Athue, mund t’ia shkojë veprës së Miguel Ángel Asturiasit? Kadareja ynë, qebesa, e pat fitue çmimin e Prenkut t’Asturias, princit të kunorës spanjolle.)


8. Jusuf Buxhovi, «Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit», roman (1982)

Në këtë tufë prej dhjetë librash, ky asht i vetmi i shkruem prej nji autori dardan. Athue, jo rastësisht tek kjo vepër i gjejmë përpjekjet e nji fuqie të huej me shfarue nji popull të pafajshëm?

«Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit» asht roman historik që gërsheton nji përshtatje letrare të jetës së nji prifti me historinë e shqiptarëve nën sundimin osman. Njiherësh, asht tribut për trashigiminë e qytetit të Gjakovës, vendlindjes së të dyve, autorit dhe protagonistit të veprës. Prelati Gjon Nikollë Kazazi njihet në histori si zbulues i «Mesharit» të Gjon Buzukut dhe si autor i nji libri fetar.

Në roman, Kazazin e gjejmë si njeri atdhetar, të përkushtuem ndaj gjuhës dhe vetvetsisë kombtare. Ndonëse prift katolik, Kazazi mban lidhje me t’afërmit e tij myslimanë, ndërkohë që përpiqet t’i shërbejë popullit pa dallim, si në qytet, ashtu dhe në malsi. Në një çast kritik, Kazazi bahet dëshmitar i betejës së shqiptarëve me murtajën, të cilën e përhapin për qëllime të liga pushtetarët.

«Shënimet . . . » flet për nji periudhë bardhezi me nji kryepersonazh që rëndom vishet në të zeza. Buxhovi e ka ba të veten, tue i dhanë jetë dhe ngjyrë tregimit të zymtë. Veçse prapë ai mbetet roman që lyp durim për ta këndue me andje. Ai që din sadopak për shqiptarët e kupton edhe pse kjo vepër e Buxhovit asht përkthye në disa gjuhë të hueja dhe autori ka marrë nji varg shpërblimesh për mundin e tij.


9. Norman A. Beck, «Jesus: The Man» (anglisht, “Jezusi: Njeriu”), dramë filmike (1993)

Ndryshe nga filmat që madhështojnë Jezusi e Nazaretit si bir i Zotit dhe si vetë Perëndia, «Jesus: The Man» e paraqet ate thjesht si figurë historike. Për autorin dhe teologun Norman Beck, Jezusi ishte i biri i Jozefit dhe Marisë, nji çifti i vorfun jahudit që rrnonte në Judenë e pushtueme prej romakëve. Jozefi dhe Maria kishin disa fëmijë të tjerë, ma i madhi prej të cilëve quhej – simbas traditës jahudite – Jozef. I zoti i shpisë ishte nji bujk dhe besimtar i devotshëm.

Maria, ndonëse jo vajzë, ishte grue e ndershme dhe njimend e bekueme që kishte për bir Jezusin, nji djalë i papërvojë por i ndërgjegjshëm për vuejtjet e familjes nën regjimin romak. Nga ndihmës i t’atit në punët e bujqsisë, ai bahet lajmtar i paqes dhe i shpresës për popullin e tij të shtypun.

Jezusi e kuptonte se judejtë nuk kishin fuqi t’u banin ballë ushtrive romake. Ai i qortonte ashpër zellotët, cubat që tinzisht mbytshin nji ushtar, ndërsa romakët e tërbuem hakmerreshin tue vra me dheta e qinda jahudij të pafajshëm. Por në veçanti, Jezusi nuk i duronte ata që bashkëpunonin plotsisht me pushtuesit.

Sepse këte, protagonistit të dramës nuk ia lejonte besimi në Perendinë. Që Jezusi të bahej tragrambledhës, ai do të duhej me iu përkulë shtatores së perandorit, të vetëshpallunit zot i romakëve. I vetëdijshëm për pasojat, Jezusi nuk i ftonte besimtarët që të mos e paguejshin tatimin. Andaj dhe thoshte, “Jepni Qezarit, ate që asht e Qezarit.” Por ai i këshillonte mbasuesit mos me iu nështrue shpirtnisht “satanit,” që ishte po i njejti që i shtypte edhe politikisht.

Jezusi njeri kishte të metat e vetitë e tij njerzore: kishte shumçka që nuk dinte, e kaplonte dhe mllefi e mosdurimi, dhe e begeniste Marie Magdalenën, vajzën të cilën e kishin çnjerzue ushtarët romakë. Por Jezusi ishte prijës që nji populli të shtypun i sillte porosi paqeje e shprese për liri.

Jezusi i historisë që e gjejmë në dramën e Beckut ka qenë në kohët tona Ibrahim Rugova, prijetari i Dardanisë. Asnjani nuk kishte njimend shtet e ushtri. Asnjani nuk ishte pa cenet e nji qenie njerzore. Por që të dy ishin mbretën biblikë që u prinë popujve të tyne në kohët ma të vështira dhe i ruejtën nga shfarosja në duert e nji anmiku të pamëshirshëm.


10. Noel Malcolm, «Kosovo: A Short History» (anglisht, “Kosova: nji histori e shkurtë”), monografi (1998)

Ky libër e ka nji anë që më ftof. Autori sikur e ndjek traditën sërbe, që historinë e Dardanisë e nis mu me ardhjen e sllavëve në Ballkan. Noel Malcolmi shpërfill shekuj qytetnimi, përfshi periudhën e hershme të krishtenimit. Për shum kombe, pagzimi paraqet fundit e parahistorisë dhe fillimin e tregimit kombtar. Për Dardaninë, historia fillon edhe ma heret. Studiuesi anglez mjaftohet tue thanë se shqiptarët nuk e kanë trashigue mbretninë e dikurshme dardane.

Por libri i akademikut t’Oxfordit nuk asht i qitun posht. N’ato pak fjalë që i thotë përgjithësisht për lashtësinë, ai e paraqet popullin shqiptar si popull vendas, që me gjasë rrjedh nga ilirët. Malcolmi flet për nji prani të vazhdueshme të shqiptarëve në Kosovë qysh prej viteve të hershme të sundimit sërb. Me këte, ai e rrëzon teorinë e akademikëve beogragjanë se shqiptarët u dyndën në Dardani mbas pushtimit osman.

Malcolmi u bjen shuplakë pa dhimbtë historianëve të të dy palëve – sërbëve e shqiptarëve. Nuk e flet për neve mu ashtu qysh flasim ne për veten. Por përfundimisht, tue i mishnue parimet ma të nalta të ndershmënisë akademike, historiani britanik nxjerr në pah nji të vërtetë të madhe: se shqiptarët kanë të drejtë ta gëzojnë Dardaninë si tokë të tynen, dhe se Sërbia asht shkaktarja e padrejtësive historike mbi popullin tonë.

Për mue, me e lexue Malcolmin domethanë me qenë i hapun (edhe në mos me i pranue) kritikat konstruktive që mund të na i japë nji i huej.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.