Ç’gegë me qenë?

Rreth «Unë jam gegë» nga Mustafa Nano

Mustafë, je toska që shkon më së largu: jo thjesht vihesh me e zhbiru problemin që jetojmë, por edhe shpall se je gegë. Ky ekspozim publik kërkon më shum se mirënjohje. Don mbështetje të plotë. Sidomos kur dihet se do të dalin aso që shpalimin do të ta marrin për identifikim me ‘katundarizmin’, nji shtresë sociale gjithqysh “të nënrenditur”, e do të rendin fill me të portretizu me plis të bardhë në krye, çifteli në dorë, kokulur, të nënshtruar.

Vërtet, me shpallë se, ndonëse skraparlli, je tashmë gegë, do me thënë me e sfidu pikërisht këtë pabarazi sociale, me synu me instalu vlera të reja bashkëjetese mes shqiptarëve, të ndryshme nga ato që trashëgu i kemi prej sistemit socialist. Do me thënë pra, me vendosë me i braktisë do palë vlera, jo pse ‘komuniste’ ato, po pse të ngritura mbi pabarazi. Hap i madh përpara. Të lumtë!

Mbasi pohimi yt është i përmasave të tilla sa me i thënë këtij populli, këndej e andej kufirit, “Hej! Do trandemi?”, menjirend ka për t’i goditë dofarë interesash, raportesh tashmë të institucionalizueme, d.m.th. të institucionalizuara. Vërtet, duhesh apo s’duhesh tash e tutje me u vetëkorrigju në raste si ky, shi për shkak të ‘institucionalizimit’ aktual të shqipes, megjithëse jo të parit, as të vetmit, e edhe pse të fundit, mbase jo edhe të pafundmit. Mbase në vendimmarrjen e tashetutjeshme mund t’i çelet shteg pasqyrimit të rrethanave të reja që jetojmë? Tashmë je dhe gegë, vetiu i mendon këto.

Primua të thotë për bukuri se din me merandu me nji “prirje të lindun prej ekulibristi”, çka është mirë fort; parakusht për t’i paqtu gegën e toskën, kryesëpari ata përbrenda vetes. Me qenë gegë, Tafë, e ndërkohë me mbetë edhe toskë, do me thënë nji e vetme: dikotominë me e jetu së pari vetë dhe, brenda vetes tu e ndry, me iu vu me e zgjidhë. Për vete e për të tjerë.

“Epo mirë, na qënkërke bërë dhe gegë zotërote! E çë pastaj? Do vihesh të ndryshosh standardin e gjuhës tashti?” — do të pyesin. Ca do të rreken me të bindë se mundesh veç me e stërpikë ligjërimin vetjak me do fjalë, mbledhë prej autorësh të pëlqyer veriorë. Të tjerë do të saktësojnë se fjalët e tilla duhet t’i japësh detyrimisht me korsive. Pse? Kot, atyre sa me ua kënaqë mirakandjen. Të këtilla ato fjalë ndokujt do t’i lënë shije të diçkaje partikulariste, tjerakujt mbase të diçkaje të vjetruar, jonormative do t’i duken tjetrit, të tuhafta tjetrës… dhe s’është as me rëndësi si mund të etiketohen; merami të shquhen si mish i huaj në ligjërimin standard. Por ti, sa kohë je duke e lypë merandimin, ke me ditë me ua kthy se ato s’janë veçse fjalë të shqipes që natyrshëm përkasin në të njëjtën thellomë leksikore si gjithë fjalësi i saj, e se do të jenë prore të atij e asaj që do të vendosë me i nxjerrë soje për t’u shërby me to.

“Oh, po vër ndonji minus për kosovarët pra, të tipit: gjuhën jua nakatosi serbi.” S’do mend – mund t’u thuash –  rrnesa nën Jugosllavi e largoi kosovarishten nga shqipnishtja, siç ndikoi italishtja në Shqipëri duke e rritë hendekun. Nji punë veç është më e rëndësishme sesa evidentimi i tij: me dëftu se si hendekun jemi tu e mbushë. P.sh. me i mbyllë emisionet që dikur drejtoje me nji tung-tung, pra jo vetëm me e thirrë në punë tungun kosovar, po edhe me e përsëritë simbas nji mode të përhapur rinore kosovare, është me nisë me i njohë kosovarët për hisenikë në gjuhë. Ti fundja po e thua shul shqip: “U’ jom gegë bac”, nji pohim ky që ka përmasën e vet të konsiderueshme kosovare. Dëftoju, po deshe, ilustrimin se ‘palidhje’, ky kosovarizëm i hapërdarë mirë në shqipnishte, vjen i kalkuar serbishteje, çka aspak nuk e pengoi me u shtri. E pastaj thuaju se shtrirjen e mundësuan shkëmbimet, kontaktet, njohjet, takimet. I shtojmë këto, shtojmë nivelin e ndërkëmbimit, shtojmë shkallën e pjesëmarrjes, e pra të përgjegjësisë, në visarin e përbashkët: standardin gjithëshqiptar. Kërkoju, me peshën e autoritetit publik që tashmë ke, institucioneve të ngarkuara me studime e hulumtime në albanologji, të nxjerrin studime bashkëkohore për ndërkëmbimet mes kosovarishtes e shqipnishtes, bash qysh po u flet haptas për gegnisht-toskërishten. Secilit që të jep arsyetime, ty që për vete arrin me integru elemente gjuhësore prej tjetrit, me ngulm kërkoji rezultate.

Njikësi geget kjosh, Tafë. Gegë që don me qenë i barabartë me toskën brenda vetes. Se veç brenda vetes, do të jesh i sigurt që të dyja palët do të luajnë me të njëjtat rregulla: njëra s’do të mund t’i fshehë gjë tjetrës. Nuk do dojë t’i fshehë.

“Përmend Kadarenë, që kjo t’i vërë kapakun çështjes.” Por ti zgjidh me u përmendë se je rrezatu prej gjithë asaj game shkruesish e shkrimtarësh, gegë a toskë qofshin a paçin qenë. Përmend suksesin dhe kënaqësinë që përjetove mbas disa përpjekjesh me u kredhë në imazhet e fshehura mbrapa metrikës së vargut fishtian. Atyre që Camaj u duket ‘klasik’ që sot, kund njizet vjet pas vdekjes, u thuaj se kështu do të nisë të kundrohet Kadareja pas pak dekadash. Nëse me shembullin vetjak mund t’ua japësh nji model të formimit gjuhësor që ilustrohet nga tradita shqipshkruese e nji shekulli, tregoju edhe se nuk ka sinkroni që mund ta arsyetojë mohimin e njikësaj tradite, a pjesëve të saj. Mohimi i pjesës gege të të djeshmes ka përmasën e vet të sotme. Bartësve të sotëm të kësaj tradite gjuhësore u thuhet kësisoj se shqipja e komunikimit shtetëror mund të vazhdojë me ndjekë veç vendimet e periudhës socialiste, që vuri toskërishten në bazë e prandaj në krye. Kjo mbasandaj ka përmasën e saj sociale: gegët në vendimet për të ardhmen e standardit të mos mund të diktojnë gegizim të tij. Tash që gegë je edhe vetë, vërua veshin autoriteteve e autoritarëve, tek përsërisin se baza dialektore e standardit nuk mund të preket. Ç’kuptim ka për gegën brenda teje kjo?

“U thuaj: shkruani gegërisht po jo për gegërishten” — do të thonë do. Karakterin kufizues ia heton edhe vetë këtij detyrimi, që s’do të të ketë llogaritë fare ty: sagegëtoskën që nuk shkruan gegnisht, ndonëse për gegërishten shkruan. A thue do të bahesh gegë i bindun Tafë? Me shkruejtë gegnisht, por jo për gegnishten?

E di Tafë që s’i dëgjon. As mua mos më dëgjo. Ndiq veç zanin dhe zërin që t’i pajtojnë toskën me gegën që tanimë ngërthen në vetvete. Dëgjo merandimin.

Nga Gazmend Bërlajolli

Gjuhëtar i shkolluar në Angli. Merret me studime dhe përkthime letrare. Shkrun në standardin e vjetër t'Elbasanit dhe zotohet për një gjuhë kombëtare gjithëpërfshirëse për shqiptarët.