Ditëlindja e shkrimtarit

Ky âsht shkrimtari e dijetari ynë Martin Camaj, tok me kryetarin e Dardanisë, Ibrahim Rugova.

U lé më 21 korrik 1925, në Temal, në Malësí të Dukagjinit. Vdiq në dhé të huej, syrgjyn, si shum ata atdhetarë që guxuen me andrrue e luftue për Shqipninë e lirë.

Martini ishte ndër studentat ma të dalluem, kur diktatura e re mbylli Kolegjën Saveriane në Shkodrën e mbas-Luftës së Dytë Botnore. I arratisun prej Shqipnisë Londinare, ai punoi njikohë mësues në Tuz dhe kreu studimet n’Universitetin e Beogradit, para se të largohej për Itali, më 1956, në vlugun e shtypjes së shqiptarëve, nën Jugosllavinë e Rankoviqit.

Në Romë, Camaj mbrojti doktoratën, me studim Mesharin e Gjon Buzukut dhe mentor Ernest Koliqin. Në katundet e Siçilisë, studioi të folmet e arbëreshëve. Dhe ngado që shkoi, drejtoi botime shqip dhe thuri vargje e prozë të fuqishme në gjuhën tonë.

Nga vitet 1960, Martin Camaj u shpërngul në Gjermani, ku për dy dekada shërbeu profesor i albanologjisë në Universitetin e Mynihut. Ndërroi jetë më 1992, në mërgim, i huej i respektuem për gjermanët, i panjohun a i përbuzun ndër njerëzit e tij në Shqipní.

Rilindja e Prishtinës ia botoi dy përmbledhje me vjersha në të ‘50-at: «Nji fyell ndër male» dhe «Kânga e Vërrînit». Por çdo libër tjetër i Camajt u shtyp larg trojeve tona. Rrathë (1978), Djella (1958), Karpa (1987) janë tri romane të tij, të shkrueme në dialekt e stil të ndaluem për shqiptarët nën diktaturë.

Në shekullin XIX, katundi Temal i fali titullin romanit ma të vjetër shqiptar. Më 21 korrik 1925, i dhuroi letërsisë sonë nji romancier të madh. Kët ditëlindje ka edhe Ernest Hemingwayi i Amerikës.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.