Je ti gjithmonë moj…

Prishtina e Furtunës
Prishtina e Furtunës

Ti m’i ke pa lotët e t’qeshunat
m’ke përcjellë nëpër ditë të mira e të këqija,
m’ke ba qull e m’ke tha mandej
krejt vetë…

Ti m’ke pranu n’gji tandin
atëherë kur kurrkush s’më ka dashtë
as kurrkush s’më ka njoftë.

Ti ki qenë aty
e krahëhapun m’ke thanë:
«Hajde. Këtu vend ki gjithmonë».

Po ti m’ke shti edhe me kajtë
ma ke ba zemrën me më dhimtë
kur t’kam pa qysh je shëmtu,
qysh i ke prishë qoshet e tua t’bukura,
vendet e mia të preferume.

M’ke shti me kajtë kur e kam pa
sa je kah vun,
sa shumë je damkosë,
sa tepër je lodhë.

Po edhe me qata lotë
ti prapë m’ke ofru
e m’ke ba me u ndi mirë
me muzikë,
filma,
poezi,
e drita me shumë ngjyra.

Me ty kom dashni e urrejtje njësoj.
Të du për krejt çka m’i ke dhanë ndër vite
e të urrej për krejt çka i ke leju me të ba ndër vite.

Po në mes dashnisë e urrejtjes,
lotëve e të qeshunave,
gjithmonë vij e rri te ti…
se ti je shpija e vetme që kam,
ndjenja e vetme që m’ban me u drithnu,
porta e vetme ne t’cilën m’intereson me u mbeshtetë.

Je ti gjithmonë moj Prishtinë.

Moj dashni që s’di me e shpjegu
po e di që kurrë s’ka me mbaru.

Nga Furtuna Sheremeti

Shqipe e Kosovës e rame nëpër Belgjikë. Studion kriminologjinë, i pëlqen me shkru poezi edhe me bo analiza ligjore për çashtje t'randsishme. Stresin e hjek tuj vrapu.