«Si e krijoi Zojsi Dardaninë»

Abdullah Konushevci ishte poet dhe gjuhëtar. I lindur më 1958 në Prishtinë, studioi letër­sinë në vendlindje dhe Zagreb. Punoi si gazetar për dy rreth dy dekada, filli­misht tu shkru për revistën Bota e Re dhe pastaj për të përditshmen Rilindja. Mbasi u mbyll gazeta, Konushevci mbeti i papunë, ndërsa iu përkushtu vjershës dhe që­m­timit të prej­ardhjes së emrave, sidomos të atyre të vend­banimeve në trojet tona.

Z. Konushevci botoi dhjeta përmbledhje me poezi që janë përkthy në shumë gjuhë botërore si dhe artikuj e studime akademike. Vdiq më 2013 në Prishtinë pas një së­mund­jeje të rëndë që e mundonte prej kohësh.

Ma poshtë, po ju sjellim disa vargje të poetit:

Si e krijoi Zojsi Dardaninë

Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste
Sot e atë mot

E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave

Mungesa e lirisë

Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë

Si fatthënë e rysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë

Nga Plisi

Themelu më 28 nëntor 2012, Plisi është sajt për qytetari dhe shqiptari.