Ne qyqarët

ne qyqarët jemi ata që mbijetojmë
kur trimat të kenë vdekur
është ligj i natyrës ky
trimat e flijojnë jetën vullnetarisht
për fjalë të mëdha
reforma ndryshime revolucione demokraci
ata e japin jetën për fëmijët tanë
por të vetët i lënë jetimë
pa shkollë pa punë pa asnjë shansë në jetë
t’u bëhen barrë fëmijëve tanë
shyqyr që trimat janë pak
e pas vdekjes shndërrohen në shtatore
ndërsa ne vazhdojmë të rrojmë me mijëra
se ushqehemi me kufomat e tyre
të shtënat kur mbarojnë oshëtimët e armëve
ekzodet fushatat ajrore gjenocidet
kur bëhen reformat ndryshimet demokracia
dalim ne nga skutat tona
nuhasim kujdesshëm përreth kahjet e erës
u ndërtojmë idealet e larta të shtatoreve
me kthetrat tona gërvishëse
me dhëmbët tanë të mprehtë
nganjëherë më bëhet se i dëgjoj trimat
tek ankohen atje lart në qiell
vijëdrejta ishin idealet e tyre simetrike
ndërsa punëdora jonë është e shëmtuar
e shtrembër si kasolle e rrëzbitur pylli
por kot ankohen hahaha
shtatoret e pajeta në shesh
askush s’i dëgjon

Nga

Shqiptar Oseku

Shqiptar Oseku

U lind në Gjakovë, ku e kreu të mesmen. U arratis si 18-vjeç në Suedisë. Studioi shkencat sociale në Universitetin e Stockholmit. Punon si terapist në kryeqytetin suedez dhe shkruan poezi e komente shoqërore e politike.

Le përgjigje