«Nëse…» e Rudyard Kiplingut

Rudyard Kipling (1865–1936) qe poet e shkrimtar anglez lindë e rritë në Indi. Fitoi çmimin Nobel për Letërsi më 1907. Qe shqip vjersha e famshme e tij, «If—»:

Nëse mund të rrish i qetë kur të gjithë rreth teje
Kanë humbur qetësinë dhe ty të fajësojnë,
Nëse mund t’i besosh vetvetes dhe ata t’i falësh,
Për çdo rast e mundësi kur në ty dyshojnë;
Nëse mundesh me prit dhe të mos lodhesh së prituri,
Apo kur të gënjejnë, ti të mos gënjesh,
Apo kur të urrejnë, ti të mos urresh,
Dhe prapë të ecësh pa shumë krenari, me modesti.

Nëse mund të ëndërrosh — pa t’u bërë ëndrrat Zot;
Nëse mund të mendosh — por pa menduar kot;
Nëse mund të trajtosh fitore e fatkeqësi
Jo gjaknxehtë, por me maturi;
Nëse duron se si e vërteta që shqiptove
Shtrembërohet nga mashtrues e matrapazë,
Nëse sheh se si thyhen gjërat që ti ndërtove,
Dhe ndalesh, ulesh, dhe i ndërton prapë.

Nëse ke guxim që të gjitha triumfet
T’i vësh në rrezik në një kthesë të beftë jete,
Dhe të humbësh, por t’ia nisësh nga fillimi
Dhe të mos klithësh «ah, sa i rëndë dështimi»;
Nëse zemër e muskul mund t’i detyrosh
Të të shërbejnë edhe kur dobësohen,
Atëherë kur çdo gjë të thotë dorëzohu,
Përveç vullnetit tënd që bërtet: «Mbahu!»

Nëse në turma zhytesh por virtytin ruan,
Apo me mbretër ecën — por nuk humbë toruan,
Nëse armiq e miq nuk mund të të lëndojnë,
Në ty mbështeten por nuk mund të rrëzojnë,
Nëse arrin që çdo minut ta mbushësh
Me lot e me qeshje, dhimbje e gëzim,
Atëherë e jotja është Bota me çdo gjë në të,
Dhe — për më tepër — do bëhesh burrë, biri im!

(Përktheu: A. Bekaj)

Nga Armend Bekaj

Politolog dhe dashamirës i poezisë. I diplomuar në Britani, punon për Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore IDEA, në Stokholm.