Parathanie (e Dhiatës së pakëndueme)

Parathania, kjo e keqe e domosdoshme e shum librave, ka veç nji të mirë: e kapërcejmë, në ma të shpeshtat e herës, pa e lexue hiç. S’di që pos shkruesit të saj, autorit të librit që ajo po i paravihet, e redaktorit që librin po e boton, e lexon tjerakush. Rrallëherë edhe na ndodh të nuhasim, si me thanë, nëpër të; e tejet-tejet rrallë, ta lexojmë shqim. E, në rast se leximi yt nëpër të ka me i mbijetue instinktit për ta lëpi fill gishtin e djathtë tregues – i ndjellun ky me gjasë nga vetë titulli ‘parathanie’ – atwherw qe ma poshtë nji lexim personal i kësaj poezie, për mos me thanë, ma saktë mbase, i këtij poeti.

I pari pohim i Lisandri Kolës, sa nis leximin, asht se fjala, ajo që paskish qenë krejt në krye të herës, me Hyjin, e vetë Hyji, qenka fjala andërr. E kisha lypë këtë fjalë zanafillore, e kisha lypë te fjala unë, mandej te na, te fjala bukur, mandej dashni, duke e besue të gjetun te e vërteta, po asnjiherë jo, vetëdijshëm, te fjala andërr. Qe arsyeja e parë pra, me lexue ma tej:

Në fillim ishte andrra
E andrra ishte te Hyji
E andrra ishte Hy.
Prej saj u ba çdo gja
e pa të nuk u ba kurrgja.

Mishnimi i andrrës, poezia nistore e këtij cikli poetik, ma jep çelësin e parë për zbërthimin edhe të dryjve të matejmë të ligjërimit të këtij poeti, tek kuptoj: përpara paskam nji idealist! Që këtu mundet me nisë degëzimi i leximeve të këtij vëllimi – ndërsa njani lyp me ia gjetë idealin poetit, tjetri ia ka ngarkue ironinë vetjake kësaj loje me tekstin biblik. Unë, kureshtar, vazhdoj.

Tue ia pasë mbajtë pajën tanaherë prozës para se poezisë, shkrimet e këtij poeti i lexoj për prozë. Lisandri më ndihmon vetë: s’para shkruen në varg, veçmas në ciklin e parë, Ungjilli (si)mbas Gjonit. Po, kjo, jam i vetëdijshëm, jo menjiherë d.m.th. prozë. Ritmi i mbrendshëm poetik ndjehet fill; e vërej presjen, gjithkah të domosdoshme, tek m’orienton valëzimeve simetrike të pakëputuna kund. S’asht as se Lisandri flet me rimë. Ndonji rime t’atykëtushme lehtë i ndiqet filli: duket e ushqyeme mjeshtrie tradicionale. Qe nji rast rimimi prej ciklit të dytë Dorëshkrimi i humbun i Shën Mateut, shoqnue me figuracionin fishtian që me të njejtën potencë e stil e përçon të njejtën gjini: satirën.

             …
ku ma i miri din
sa nji magjar, jo nji magjar,
por nji magjar turijvar,
turijvar e veshpërpjetë,
veshpërpjetë e kambëlehtë,
kambëlehtë e Zot na ruej
që për të pallun s’ia lëshon kuej.

Lexoj këtu ndërtekstualitetin sapo komunikoi me Fishtën, përmjet rimës dhe figurës tipike satirike fishtiane të gomarit (magjarit te Lisandri). Qe pra Fishta tek komunikon me brezninë e re, nji kundërargument i fortë pandehmës se “asht ba i pakuptueshëm, madje edhe për të rijtë e arealit të njejtë gjuhësor”, çka më ngushëllon mue që ma parë do të doja me pikasë vargje të Fishtës rimave të hip-hopit, sesa Fishtën të qitun në harresë.   Do të doja, por nuk jam aq i verbët sa mos me pa se edhe në Shkodër madje, Lisadri i përket nji specieje në zhdukje.

Të lexuemit e këtij poeti detyrimisht nis m’i shtrydh madje edhe krejt ato referenca biblike të strukuna skutave të kujtesës, tue më vu sakaq përpara nji bote të profetënve, të shejtëve e të herojve mitikë. Secilin synesh Lisandri e vrojton skeptik bash si nji tjetër bashkëmëkatar, tek rrëfen për të me gjuhë dyshimi, mllefi, brenge, pafytyrësie t’ambël e madje të vërtete të hidhët. Bash asnjanin prej tyne nuk e gjej ndër bama legjendare, tue mbledhë tjera lavde, thurë edhe prej nji tjetër poeti. Prite Zot! Prej Lisandrit? Ndokush tashma edhe mund ta ketë cilësue heretik që blasfemon i shtytun largqofti. Nuk befasohem fort kur nga fundi dikah gjej:

E mandej tana perënditë pagane ranë dakord me më ngjitë këtë emën që kam, e po ashtu më paradëftuen se njerëzia kishin me më djegë në turrë të druve, tue ulurue me sa fuqi u kish shpirti: “I pafeu ka pamjen e nji poeti.”

Ç’asht ky që shkruen? Ateist që s’e beson Zotin? As unë fort s’i besoj ateistët, tek i kam ndie, kur e kanë pisk, tue e thirrë në dheta gjuhë, e me nga disa sinonime në secilën, emnin e Perëndisë. Prandej, tue e quejtë veçse nji tjetër vdekëtar, pa i ngarkue tekstit kurrfarë pozicionimi prej farë zadhanësi të të Vërtetës, vazhdoj me e lexue herezinë e radhës.

Qe poeti me presh në dorë për shembull: Noeja i menduem. Noeja/Nuhu ndodhet n’arkë; jashtë shiu s’men. I lodhun terri e i velun duhme kafshësh bashkudhëtare, ai brengoset, ndërsa çartaqefas kruen mjekrën që “…me sa duket paska zanë morra”. Më vjen me qeshë: të tjerat gjallesa i ka shpëtue nga dy, veç morra paska marrë ma shum. Po Nuhu se, pse brengoset? Dyshues se s’po men shiu? Ndonëse asht udhëzue prej vetë Zotit? Krijoj menjirend nji tjetër imazh të këtij profeti, të cilin në përfytyrim e kisha pasë t’arkivuem tue e ndërtue arkën e përjetshme. Tash shoh pos nji vdekëtar, që ani se i udhëzuem fjale të Zotit, brengoset. Sa njerëzor më duket tash Nuhu/Noeja, e kur ia mendoj prap vullnetin e mundin me e ndërtue arkën, hjekat për me i tubue tanë ato gjallesa, njiherësh sa madhështor.

Po nuk di pse lidhem aq me këtë profet, kur disa faqe përpara Moisiun e lashë tue nemë, Jakobin duke i ba dredhi Izakut, Abrahamin të padëshiruem për gjijtë e përthamë të të shoqes. Çfarë mëkatarësh do të kenë qenë edhe ma shembullorët ndër ne. E prap, prej gojës së çdo emni të shejtë, që përherë rrëfen në veten e parë, e ndiej tek flet poetin përpara se profetin: më bahet se asht Lisandri në kërkim të idealit të vet, që tue e gjetë veç vdekëtarin mëkatues mbas çdo shejti, akumulon zhgënjim për me e derdhë tevona në psalmin vetjak të radhës, herë si nji nga shum nuancat e pikëllimit, herë-herë edhe si mllef.

Psalmi 1:
Nuk di pse në këtë Pashkë që po avitet, due të jem përsëri në bark të nanës, ose ma mirë, të jem landa seksuale e tim et.

Psalmi 5:
Ndjehem i pajetë këtu në Purgatorin tim.

Psalmi 7:
Edhe vetë kam nisë mos me i lexue ma shkrimet e mia, sepse këtu i ka sosë ora gjithçkaje. Psalmet e mia janë thjesht nji derdhje sperme e pavullnetshme gjatë mbramjeve të errëta dimnore, ku Parrizi më shfaqet mes kambëve të nji vajze.

Psalmi 8:
Jeta ime s’asht gja tjetër, veçse fundi i Sodomës.

Qe edhe kryemëkati i këtij heretiku:

Zoti, i mbetun në nji fron të ulët, sheh nji tatuazh adoleshence, që e ka diku në krah.

Pasha Zotin, me i ra te Kisha e Françeskanëve, nji pistoletë uji me e mbushë plot prej mermerit me ujë të bekuem, me e gjetë Lisandrin e me e stërpikë kryq, e tërthor mandej, së prapthi me ç’të ketë mbetë ujë – se hak asht. Acid iu baftë e e kalltë në qoftë djalli vetë; e shpërlaftë e e çliroftë, nëse prej djallit del të ketë qenë i banuem.

Nuk do të mundesha, edhe të doja, me e çue lexuesin për dore deri në fund, e ma mirë që s’due. Ta lexojë vetë! Por di me i dhanë të sintetizueme përshtypjet: libri asht edhe nji novelth, se e ka nji syzhe, asht i njejti poet, ndërron emën e nam, fytyrë e zhgun, po gjithnji tue mbetë në pyetjen unë kush jam? e që idealin e vetëm i ka skepticizmin dhe pikëpyetjen mbas tij.

Shënim: Me e nxjerrë pjesën ku e nem nanën (f.XX, cikli II), si shuplaka ma e madhe që kam marrë prej krejt kësaj poezie. Autori thotë krejt sinqerisht se e ka jetue, e jo veç përjetue, moshën e Kompleksit të Edipit. Me shtue se kur u bana i sinqertë me vetveten, isha kthye sërish n’atë moshë dhe – sa për çudë – prap po ndjehesha keq.

Gjuha

Regjistri gjuhësor e harmonizon natyrshëm elementin shprehës që asht sa liturgjik, aq introspektiv, intim, e madje edhe arkaik, bukolik, krahinor e tejkrahinor. Lisandri nuk eksperimenton me përziemje laboratorike elementesh të regjistrave që s’para ndërveprojnë – çka do të mundej me e kërcënue ndijimin estetik – përveç ndoshta në dy-tri raste. Qe nji i tillë:

Ndoshta bora do të jetë vizitorja e parë e atij shkambi, që ia ka kthye shpinën bungut të moçëm dhe nji kmese, e cila asht bri nji coca-cola të dalun ngjyre.

Industrialiteti, mbas gjase tashma krejt i digjitalizuem, mbrapa brandit të Coca-Cola-s, bashkë me natyralitetin e borësshkambitbungut të moçëm dhe kmesën rurale edhe mund të krahasjetojnë në nji imazh artistik. Por ma tharb shijimin estetik kjo kapërthurje e natyrales dhe rurales me industrialen, mbase edhe shoqnue me faktin se lema e mbramë,Coca-Cola, shi prej industrialitetit që mbart si brand, nuk u nënshtrohet dy diktateve gjuhësore: parafjala bri e lyp emnin në rrjedhore, numërori nji në të pashqueme. Jam i vetëdijshëm ndërkohë se dhunimi i regjistrave me elemente për ta të hueja përban ndër ma të guximshmet e sprovave artistike dhe jep kulme kur
jetësohet. Lisandrit hallall që po ec nëpër këtë teh të mprehtë, në të cilin zor mos me u pre herë-herë. Nji premje të vogël në tekst ma len edhe orientalizmi turlisoj; në vetvete i bukur, po edhe njifarë guximi i vetëm i Lisandrit prej këtij regjistri fjalësh, rrjedhimisht njifarë jetimi, si t’ish dele e galme.

Gjuha e Lisandrit asht ajo shqipja e mirë, që s’pranon me u strukë në asnji krahinë të sajën, a me iu nënshtrue farë varianti me strukturë e leksik kësisoj të strukun, pamvarësisht prej diktateve të prestigjit t’atij varianti. Asht nji shqipe që niset prej Shkodrës drejt veriut e jugut, duke
përshkue
kuptohet edhe Kosovën, por që kridhet edhe thellësive, tue kuvendë mjaft jo veç me Camajn e deridjeshëm, por edhe me Koliqin, Mjeden, Fishtën e ndonji tjetër françeskan:

Njerëzia i besoi shortarit të Tebës dhe pa pritë e pa kujtue, shtegtoi nëpër troje të reja, sepse vendin do ta mësynin

do zvarranikë ose tokësa (siç do t’i quej tashti e tutje; emën të cilin e pata ndeshë qysh i ri tue lexue nji françeskan).

Por, Lisandri kuvendon (teksa i lexon) jo veç me këta. Ai asht nxanës i tosknishtes shndërrue në standard, me gjithë leximet e detyrushme e të vullnetshme që ky variant gjuhësor ia paraqet nxanësit të vet. Ndaj gjuha e tij, në leksik, konstrukt e dukë, me fort mjeshtri synon ma sublimen e shqipes së përbashkët, që gjakue e kishin rilindasit, gjakim që ua vazhduen djemtë, por ua braktisën nipat, e stërnipat s’e morën vesh as andrrën që dikur kish pasë jetue si ideal i përbashkët. Në fillim mund të ketë qenë andrra, po andrra u ba fjalë, e e mori era. E sa për ortografinë e shqipes së përbashkët që Lisandi synon, më duket ma afër majes sesa jam unë, ma ngjat madje se vetë Camaj. Hmmm, Lisandri Kola; kush asht ky poet?

Metafora

Qe edhe nji moment që due me e nda me lexuesin (hipotetik) të kësaj parathanieje:

Tashti nuk di se sa ka shkue ora, e as nuk due me e ditë, ashtu sikurse ndodh me metaforat që krijoj, pa e ditë se çka asht metafora.

Çka po luhet këtu? Lisandri po më kërkon me e kqyrë e me e kuptue edhe si autor edhe si personazh. Autori po më tregon se krijon metafora kur asht personazh, e mandej po më vetëdijeson se personazhi s’asht as i vetëdijshëm se ajo që po krijon quhet metaforë. Si autor, po din – kuptohet – për personazhin çka ky vetë nuk din, tue qenë, në letërsi, i pari zoti i të dytit vdekëtar. Mundem me kalue me nji kot fare e me e vazhdue jetën, por ndalem me mendue: autorët na kanë ba gjithnji me i kqyrë e kuptue edhe si vdekëtarë nëpërmjet personazheve, edhe si zot të tynin nëpërmjet narratorit. Po sa autorë na bajnë me i lexue si narrator e si personazh mbrenda nji fjalie, e për ma shum, të dy tue e pasë të njejtën ego-adresë: autorin vetë. E rilexoj fjalinë: Tashti nuk di se sa ka shkue ora, e as nuk due me e ditë… Po deri këtu, cili po më flet? Personazhi? Narratori? Autori?Qe Trinia e Shejtë, ekzistoka! Në letërsi! Kështu më vjen me thanë, sepse leximi i Lisandrit më ka futë në dofarëtripash biblikë. Nji tjetër ‘ligj’ i letërsisë këtu sapo vdiq. Me të drejtë! Vetja jonë e sotme gjithmonë flet kësisoj për vetjen tonë të djeshme: jemi narratorë e personazhe njiherësh.

Lisandri s’ka me i pëlqye ndonjiherë turmës, për mos me thanë lexuesit të gjanë. Jo veç pse poezia lexuesin e ka të rrallë, por edhe pse Lisandri i ven lexuesit mjaft kate me i ngjitë e shum e arkivin referencial të mendjes me e hapë. Por, ka ardhë koha me i vu pikë këtij bashkëbisedimi me lexuesin hipotetik të kësaj parathanieje, që në qoftë pak si unë, parathaniet nuk para i lexon.

[G. Bërlajolli, “Parathanie” në Lisandri Kola, Dhiatë e pakëndueme (Rrokullia: Prishtinë, 2011)]

Nga

Gazmend Bërlajolli

Gazmend Bërlajolli

Gjuhëtar i shkolluar në Angli. Merret me studime dhe përkthime letrare. Shkrun në standardin e vjetër t'Elbasanit dhe zotohet për një gjuhë kombëtare gjithëpërfshirëse për shqiptarët.

Një mendim për “Parathanie (e Dhiatës së pakëndueme)”

  1. Parathanie që me fjalinë e parë më ka detyrue me lexue vazhdimin. Dhe vazhdim që më ka nxitë me e lexue gjithë parathanien prapë, me nji frymë e me gjithë knaqsi. Thjesht nuk e dij nëse ishte parathania apo mbrendia e veprës së Lisandrit arsyeja që më ban t’ua sugjeroj kët libër poezish çdo dashamiri të librit shqip. Ia vlen me e pasë dhe me e lexue!

Le përgjigje