Vorri i ashikut

Ndër ma të bukurat e legjendave në shqip asht ajo e vorrit të ashikut. Vendngjarja, simbas historianëve, i përket nji fshati të Pezës. Në pak fjalë, historia asht kjo:

Nji i ri punonte hyzmeqar te nji fisnik. Ky, kur heton se djaloshi ia dashunonte të bijën, e fejon fill me nji tjetër. Me ta marrë vesh se e dashuna do t’i martohej, hyzmeqari ia shpreh fisnikut dashuninë për të bijën dhe ia kërkon dorën e saj. Fisniku le që s’don me ndi por madje e përzen hyzmeqarin prej shpisë, megjithëse ky e paralajmëron se ata të dy nuk do të ndaheshin kurrë prej njani-tjetrit.

Vjen dita e darsmës dhe vijnë edhe krushqit me e marrë nusen. Në rrugë të kthimit, djali i dashunuem, mshefë në pritë mbas nji rrapi, ua pren rrugën e u thotë: “O krushq t’mirë! Nusja qi keni në kalë osht e dashmja jeme. Ne i kena dhonë besën njoni-tjetrit mos me u da kurrë”. Nusja mandej çon duvakun e thotë: “Burra trima! Unë s’jom nusja juj, por e njikti çunit ktu. Zemra jeme nuk don tjetër”. Krushqit mbeten të habitun, porse nuk tërhiqen, tue qenë se zakoni e donte me e çu nusen medoemos në shpinë e dhandrit, ku tashma darsma kishte fillu.

Por kur krushqit morën m’e vazhdu udhën, djaloshi e zgjati koburen dhe e qëlloi nusen. Ajo ra e vdekun në tokë. Mandej djaloshi tha: “Tashi na martoni të dy bashkë njiktu” dhe ia ktheu koburen vetes.

Krushqit i vorrosën të dy bashkë në të njejtin vorr. Dhe vërtet historianët thonë se në nji pikë anës rrugës së Kavajës, në afërsi të Ndroqit, ndodhet edhe sot nji vorr i njohun me emnin “Vorri i Ashikut” pranë të cilit qëndron nji rrap shumëshekullor.

Nga Gazmend Bërlajolli

Gjuhëtar i shkolluar në Angli. Merret me studime dhe përkthime letrare. Shkrun në standardin e vjetër t'Elbasanit dhe zotohet për një gjuhë kombëtare gjithëpërfshirëse për shqiptarët.