7 Marsi, ditë e madhe për Evropën

Sot është 7 Marsi — një ditë historike që duhet ta shënojnë të gjitha kombet e Evropës së Vjetër.

Shqiptarët e kremtojnë Ditën e Mësuesit. U tregojnë fëmijëve se më 7 mars 1887 u hap Mësonjëtorja e Korçës. Por edhe i rrejnë se kjo ka qenë shkolla e parë shqipe.

Jo. Nuk ka qenë. Ky është stërthjeshtim i paqëllimshëm, por mund të jetë edhe gënjeshtër kastile e diktaturës komuniste që donte me i fshi prej historisë kundërshtarët e vet.

Mësonjëtorja e Korçës qe e para shkollë shekullare e kombëtare që nuk i ndau nxënësit sipas racës a fesë. Qe e para e këtij lloji në Evropën e Vjetër juglindore, e mbase edhe më gjërë. U hap gati një shekull para se Shtetet e Bashkuara t’u jepnin fund segregimit racor në shkollat e veta.

Andaj, me thënë thjesht «shkolla e parë shqipe» është gabim. Ia cenon vlerën e vërtetë Mësonjëtores së Korçës. E bën të pakuptimtë në rrafshin evropian e ndërkombëtar. I bie moh lashtësisë së kombit shqiptar dhe përpjekjeve tona për me rujtë lirinë, gjuhën, e vetëvetësinë tonë përballë shtypjes shekullore.

Pse me pyetë, si u bë që mbetëm kaq vonë ne? Jo, ne s’qemë vonë. Ne i primë vegimit të gjithësishëm për një shoqëri të hapur e demokratike dhe për një komb pa dallim feje.

Dokumentet dëshmojnë se në trojet tona ka pasë shkolla shqipe qysh në vitet 1600. Këto kanë qenë ngrehina fetare të Kishës Katolike. Kanë vepru për aq sa kanë mujtë nën pushtuesin osman, që e luftonte me çdo kusht qenësinë shqiptare.

Ma vonë, komunistët u zunë keq me Kishën Katolike, sepse e shihnin si pengesë për me shtru pushtetin totalitar në Shqipëri. Ka gjasa që edhe Mësonjëtoren ta kenë pagëzu «shkolla e parë» vetëm sa për ta fshehë rolin e madh të katolikëve.

Kisha Katolike ishte e vetmja që nuk i bindej pushtuesit. Dhe hapte shkolla shqipe. Kontribut të organizuar dha ma vonë edhe bashkësia bektashiane. Kurse xhamitë synite ishin nën diktatin e kalifit sulltan, dhe kishat ortodokse greke e sllave herë i shërbenin padishahut e herë e detyronin t’i dëgjonte. Sidoqoftë, ato bashkësi fetare vlonin kundër gjuhës dhe kombit tonë.

Kthesën e bënë grupet pakicë, intelektualët e ndërgjegjshëm, dhe hoxhët e priftat që i prinë Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX. Rilindasit shekullarë e të feve të ndryshme ngritën Mësonjëtoren e Korçës dhe i hapën rrugë përparimit të kombit tonë.

Na mbetet neve që këtë përparim ta shpiem tutje. Gëzuar Ditën e Mësuesit!

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.