Dy kombëtare, një abetare

Kryeministri shqiptar Edi Rama u taku sot me «150 maturantët më të mirë të vendit», me të cilët foli për pranimin në uni­ver­sitet. Kurse mua më erdhi një porosi e çuditshme: «mfal a ka afat t2 ne filologjik Gj.shqipe? [sic]», më shkrun në Facebook një i panjof­shëm. Ta qujmë Leart.

Learti nuk po më pyeste për afatin kalimtar në futboll, ku jemi dyzu në kom­bë­taren shqiptare e për­faqësuesen e Dardanisë. Atij i in­te­re­sonte me u re­gjis­tru në uni­ver­sitet. Në arsim të pak­tën, kemi një abetare të për­bashkët për gjithë shqip­tarinë. Por jemi edhe më të ndarë se në sport kur bëhet fjalë për arsimin e lartë.

Leartit i thashë me shiku në sajtin e uni­ver­sitetit, ngaqë s’dija për kon­kursin. Nuk e për­mendi e as nuk pyeta se cili uni­ver­sitet i in­te­re­sonte. Por mbi­emri që kish, net­lekti që për­dorte, dhe fakti se po më pyeste mua si prish­tinas ma lidh­nin më fort me Dardaninë.

Kështu pandeha se donte me u regjistru në mësonjë­toren më të pres­tigj­shme në vend — Univer­sitetin e Prishtinës.

Nuk i bie keq me shku në shkollë afër shtëpisë. Por largësia s’është arsyeja kryesore as e vetme pse Learti s’mendon edhe për ndonjë tjetër univer­sitet shqiptar. Për këtë thjesht nuk ia vlen barra qiranë.

Leartit i duhet me u për­gatitë veçmas për se­ci­lën shkollë. Për t’u re­gjis­tru në Univer­sitetin e Tiranës, ai do të udhë­tojë qinda kilo­metra, dorë­zojë doku­mente të po­saç­me, do kër­kojë njohjen e diplo­mës e do ndjekë një mori udhë­zimesh të kokla­vitura (në vend të një pro­vimi pra­nues), dhe do pagujë një kosto jo fort të ulët. Në mos lekë, kjo për­pjekje do i ku­sh­tojë me kohë dhe me rre­zikun që ta humbë ven­din në Prishtinë. Andaj, Learti për­qend­ro­het aty ku i ka gjasët më të mira.

Herëpashere, univer­sitetet tona kanë zbatu një kuotë për pra­nimin e studen­tëve shqiptarë që vijnë nga jashtë vendit. Por këto, sado dasha­mirëse, nuk kanë sjellë ndonjë për­tërësim mbre­së­lënës të kombit tonë. Duhet të bëjmë më shumë, dhe këtë mund ta bëjmë pikë­sëpari duke e njësu ecurinë e regjistrimit.

Së pari, të gjithë maturantët shqiptarë duhet të kenë të njëjtat të drejta për të konkurru në ci­lin­do uni­ver­sitet. Së dyti, duhet t’i dorë­zojnë lutjet për­mes një sistemi të vetëm. Së treti, t’i nën­shtro­hen një provimi pranues (të fushës së tyre) për të gjitha ngre­himet e arsimit të lartë në hapë­sirën shqiptare. Dhe së mbrami, uni­ver­sitetet duhet të kon­ku­rrojnë mes vete për studen­tët më të mirë shqiptarë.

Një trup i për­bashkët mbarëkom­bë­tar duhet të mbarë­shtojë aplikimet e studen­tëve, të orga­ni­zojë pro­vimet pranuese, dhe të shërbejë si urë lidhëse mes uni­ver­siteteve dhe matu­ran­tëve. Vendet e zhvilluara kanë zënë me e zhvillu këtë ide që në shekullin XIX. Sot, studentët në Juesej aplikojnë për­mes shoqatës College Board, në Britani për­mes UCAS-it, dhe në Hong­kong për­mes JUPAS-it. Shumë uni­ver­sitete në Ame­rikë e Evropë pranojnë formularin e për­bashkët, Common Application. Edhe shqiptarëve u duhet një këshill i pranimeve dhe një aplikim i njësuar.

Kështu, Learti do të hynte në sajtin e këshillit, do të plotë­sonte for­mularin, të zgjidhte fushat dhe uni­ver­sitetet që i pëlqejnë, dhe të regjis­trohej për pro­vimin pranues në qytetin më të afërt. Ato doku­mente që shkolla e mesme s’arrin t’ia digjitizojë, Learti do t’i dorëzonte vetë në një për­faqësi ven­dore. Por në fund, këshilli mbarë­kom­bë­tar do të njof­tonte zyrat e pra­nimeve anekënd shqip­ta­risë, dhe shkollat tona do t’i për­zgjidhnin vetë stu­dentët më të mirë e të garonin për t’i bë për vete.

S’është punë pa huqe. Por mund të jetë e vetmja mënyrë për t’i nxjerrë Leartin e Laertin jashtë pro­vin­cës së vet, për t’i detyru me e njohë njëri-tjetrin, dhe për t’i nxitë me u lidhë si pjesë të pa­ndashme të një trungu.

Tekembrama, ne shqiptarët jemi të ndarë pse nuk lëvizim brenda trojeve tona. Kemi gjasë me u shpër­ngulë nga fshati në qytet, nga rrethet në krye­qytet, ose nga vendi në dhe të huaj. Por lëvizim fare pak brenda ven­deve tona, ani pse kufijtë nuk janë më të gjembosur siç ishin dikur.

Në vitet ’70 e ’80, kur kombi ynë jetonte i shtypur a i pushtuar, uni­ver­siteti e inte­lek­tualët shtonin shpre­sën për bashkim. Për­kundër pengesave të politikës, Shqipër­ia Londinare dërgonte profe­sorë e dije­tarë që u ligjë­ronin studen­tëve nga mbarë ish-Jugo­sllavia në Uni­ver­sitetin e Prishtinës, shtëpia Rilin­dja botonte veprat e shqip­tarëve nga të gjitha trojet, dhe në Insti­tutin Albano­logjik në Dardani punonin bashkë­kombas nga Mali i Zi e Maqe­donia. Kurse sot në liri, bashkë­punimi e shpresa na janë zbehë.

Vërtet kemi nxjerrë një abetare të për­bashkët. Por kur ia vëren cilë­sinë dhe sheh politi­kanët tek rrahin gjoks për këtë «arritje të madhe», nis me dyshu në e kanë një­mend për hir të bash­kimit. Thjesht, ç’kemi arritë me bashku për­tej abetares?

Vërtet tifozët tanë e duan dhe një kom­bë­tare të vetme. Por edhe këta kur i sheh tek e për­buzin Dar­daninë, dyshon se e kuptojnë punën që kërkon bashkimi. Thjesht, kemi bë qoftë një turne mbarë­kom­bë­tar që me kalu te garat mes kombeve?

Ta nisim pra një punë të njëmendtë — me studentët tanë.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.