Në kapërcyell të dy botëve

Plot 15 vjet má parë, në nji datë si sot, na si familje e palosëm jetën tonë nëpër valixhe dhè morëm avionin per Amerikë. Krejt çka na e gjykuem të vlefshme u ngjesh n’ato valixhe, dy prej tyne mbushun me librat e zgjedhun, prej të cilëve s’mund u ndava, dhe i pruna me veti në New York.

Ah ai momenti kur njeri vendos me u largue jashtë vendit. Jeta jote guzhmohet si nji lamsh i ngatërruem emocionesh. Je duke braktise krejt ate çka di e çka ke mësue deri ate moment për me hy në nji fazë të panjoftun të jetës tande! Jeta që të pret të lyp me u përshtatë — me u përshtatë me të paprituna. Shqisat tua mprehen si lapsa në mprehësen e jetës së re që të sfidon përpara.

Nga ai moment e për shumë kohë mbrapan ka me t’u dashtë me e fshi nga fjalori fjalën rutinë. Ajo s’ka me qenë ma në fjalorin tand. Fjalori yt jetësor ka me shtue faqe tjera. Ka me zbulue tjera hapësina leksiku. Ka me qenë nji udhëtim që s’ka me ia lanë kurrkund vendin adrenalinës, nji karusel emocionesh: tokë e re, vende të reja, zakone të reja, sfida të reja, njerëz të rinj…

Ndjesia má normale në botë asht me u trembë nga e panjoftuna, sepse e panjoftuna e tremb njerin por njiherit asht edhe ndjesi e habitshme vorbulle që të perthith pamëshirshëm. Asht nji permbysje e madhe — krejt ajo që ke mendue tanë jetën tande si “Shpia jeme” nuk asht má. Kjo ngjet sepse njeri me dhimbë e kupton se çdo gja mund të zavendësohet — se vjen një ditë kur papritun ndihesh si në shpi tande në qytetin e ri ku ke ngule furkzën. Kupton se “Shpia jeme” janë ne fakt personat që udhëtojnë me ty. Shpia asht aty ku asht zemra!

Mërgimi gjithmonë ka mbrenda humbjen! Aty asht e ngulfatun! Të thonë kush çka të dojnë!

Edhe në rastet kur njerëzit në emigrim kanë qenë të privilegjuem me letra ose me punë te mira — edhe ateherë kur mujnë me lëvizë lirisht — prapëseprapë humbjen aty e kanë. Emigrantët janë njerëz që shkojnë me mendjen kah e ardhmja. Por udhëtimi i tyne në mënyrë të pashmangshme paguen nje taksë të randë që paguhet nga e shkuemja e tyne. Sepse ata që mërgojnë, má parë se me qenë krah pune, janë njerëz!

Dhe sa herë të lëvizin ata kanë me lanë mbrapa nji pjesë të tyne. Në vendin tjetër, mundimi sizifian për me gjetë ate që kanë humbë rezulton në diçka më shumë se nostalgjia, e ba me qenë me fat, në diçka má pak se mërgimi.

Por humbje asht mbrenda. Vjen me gjjthfarë trajtash. Dikush vdes e s’mund i shkon në vorrim, dikush feston ditëlindjen e të mbetet me u knaqë me fotot që postojnë në rrjete sociale. Humbja shfaqet si ajo dasma e njeriut të afërm që për kushedi sa nuk e kishe lanë pa marrë pjesë, por që s’mund shkove! Humbja shfaqet ne trajten e “Tags”-ave në Facebook, kur sheh nipat e mbesat se si rriten nëpër foto. “Uh sa asht rritë!” Tana këto piketa n’udhën e jetës që kalon pa i kundrue, sepse jeta jote asht diku tjetër tashma.

Ky lloj humbjeje asht i njillojtë, në daç të jesh largue i detyruem nga vorfnia apo lufta, në daç të këtë qenë zgjedhje e vullnetshme.

Edhe në qoftë se ke pasë fat me u rregullue mirë, prapë humbja aty asht. Sepse vërtet mund ta kesh arritë ate që ke dashtë dhe andrrue, por nuk e ke arrite aty ku ke dashtë! Kjo asht taksa që paguen mërgimtari, ai brezi i parë që mërgon, ai që mbet në kapërcyell të dy botëve, asaj nga vjen dhe asaj që gjeti.

***

Ky nuk asht aspak rrëfim dënese, edhe pse lotët më tradhtojnë gjithsesi. Se si zvarriten e gjajnë udhën në shqisa, nuk e di… Por sa herë që kujtoj këtë gja, ma mjegullojnë dritën e syve lotët!

Pamja: “Mërgimi,” pikturë nga Agim Sulaj

Nga Ilir Seci

I diplomuem për gjuhë e letërsi në Shkodër, Iliri ka qenë gazetar i Rilindjes së Prishtinës kur dilte në Tiranë. Sot asht mërgimtar i yni në Nju-Jork, ku merret me biznes dhe shkruen për shqiptarinë.