Kombëtarja e Shqipërisë së Vërtetë

Mitrovica ka një stadium të përkryer për zhvillimin normal të futbollit, ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm për kosovarët. Ndoshta për të hyrë në listën e stadiumeve me “status” të përkufizuar nga UEFA, duhet të përmbushen ca “standarde”, kritere këto të cilat kërkojnë investime solide në infrastrukturën e vjetruar të stadiumit.

6 shtatori 2002 do të mbahet mend gjatë. Dy ekipet e ëndrrave shqiptare zbresin në fushën e blertë të stadiumit kryeqytetas, Prishtinë. Kosovarët mburreshin me faktin se përfaqësuesja e tyre po zhvillonte një ndeshje (ndër)kombëtare, e në anën tjetër se po shihnin Taren, Hasin, Strakoshën etj., që i kishin brohoritur aq shumë, por vetëm para ekraneve televizive. Ishte kjo sa një ndeshje (ndër)kombëtare reviale, aq sa edhe një ndeshje e përditshmërisë kosovare. Në uefa.com e as në arkivin e FIFA-s nuk u shënua ky takim; nuk u përmendën 30 mijë tifozët e flaktë që anonin për të dy skuadrat, e as nuk u përmend stadiumi ku Shqipëria për herë të parë luajti një ndeshje në Kosovë e trojet tjera jashtë kufijve administrativë. Mos të flasim më për fitoren e vetme të trajnerit Dosena e as për autogolin e Abazit.

Ndeshje ndërkombëtare në Kosovë?

Prania e shumtë e kosovarëve në ekipet përfaqësuese të Shqipërisë në futboll (kombëtarja A, B) tregon se “Albania” është edhe përfaqësuese e Kosovës. Andaj një ndeshje ndërkombëtare e kësaj kombëtare kuptimplote në ndonjërin nga stadiumet e Kosovës do të thotë një lëvdatë për sportdashësit kosovarë. Ata meritojnë të konkurrojnë në kupat evropiane dhe të kenë mbështetjen e UEFA-s e FIFA-s për të përdorur drejt talentin e rinisë sonë…

Mitrovica, vendi më i përshtatshëm

Kur është fjala për kombëtaren, për Shqipërinë, ajo kudo gjen mbështetje nga gjaku i nxehtë i shqiptarëve. Nuk kam as një pikë dyshimi se “brazilianët” nuk do të visheshin kuq e zi, si në “Përparim Thaçi”-n e Prizrenit e si në “Shahin Haxhiislami”-n e Pejës, por dyshimi gjen vend në rrethanat e mbajtjes së ndeshjeve.

Me sa di unë, UEFA nuk e cakton vendin e mbajtjes së takimeve ndërshtetërore, përparësi kjo për ne, por kërkon një stadium të nivelit evropian, barrierë që duhet shmangur.

Rastësisht takoj Gëzim Hallaçin, portier në klubin futbollistik “Trepça” nga Mitrovica, kategoria e dytë e Kosovës. Duke biseduar për rezultatet dhe fair-play-in e treguar nga skuadra e tij vjen në shprehje edhe stadiumi olimpik i qytetit të Mitrovicës.

“Kushtet në të cilat punon ekipi ynë, vështirë gjenden në Kosovë”, thotë Hallaçi. “Madje konstrukti i stadiumit eliminon të gjitha incidentet që janë prezente nëpër arat futbollistike të Kosovës”.

Fjalët e tij ishin të vërteta. Mitrovica ka një stadium të përkryer për zhvillimin normal të këtij sporti, ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm për kosovarët. Ndoshta për të hyrë në listën e stadiumeve me “status” të përkufizuar nga UEFA, duhet të përmbushen ca “standarde”, kritere këto të cilat kërkojnë investime solide në infrastrukturën e vjetruar të stadiumit. Kemi pasur gjithnjë mbështetjen e afaristëve tanë, edhe atëherë kur luanim nën kthetrat e pushtuesit, kështu që një donacion për të realizuar këtë dëshirë të çdo kosovari është 100% i siguruar. Madje tani kemi edhe një ministri të sportit, që nuk do ta lejojë Kosovën të dalë me suficit negativ. Është pozitive që një shumë lekësh të derdhet në qytetin e tifozëve – Mitrovicë; aty ku “Torcida” nuk e tradhton as Trepçën e as Universitetin.

Përfitimi ynë

Përveç përvetësimit të një stadiumi të kërkesave evropiane, do të arrijmë t’i tregojmë botës respektin ndaj sportit dhe punën që ne e bëjmë për sportin. Është kjo goditje e sigurt për të rrënuar barrikadat izoluese, që e rrethojnë sportin kosovar tash e sa vjet.

Do të jemi një vend pjesëmarrës në vatrën botërore të futbollit.

Edhe në basketboll…

Shembull i tillë mund të gjejë zbatim edhe në basketboll. Pas krijimit të një kombëtare për mbarë Shqipërinë Etnike, përveç “Asllan Rusi”-t të Tiranës edhe palestrat kosovare të sportit mund të jenë vendtakimet kundër Austrisë, Bellorusisë e Qipros në kualifikimet për kampionatin evropian Eurobasket 2005.

Botu në Futbolli.com

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Le përgjigje