Literatura antishkencore

Kjo thënie antishkencore e Vesel Latifit në librin “Kriminalistika” duhet të kriminalizohet, bashkë me autorin.

Shkencërisht është e dëshmuar, në një sërë studimesh afatgjata, e në mjedise të ndryshme kulturore, që gruaja është më e rrezikuar për dhunë fizike dhe seksuale në shtëpi të vet, nga burra të afërm. Prekursorët më të sigurt nuk janë sjellja e saj, po gjinia, afria me kriminelin, dhe situata e ndarjes (kur gruaja kërkon t’i japë fund relacionit). Si predikator i katërt i rrezikut është shtatzania, shumë gra i nënshtrohen dhunës (edhe seksuale) gjatë shtatzanisë. Kjo është e vërteta shkencore për dhunimet.

Nëntëdhjetë përqind të grave, thotë një studim relativisht i vonë suedez, i eksponohen dhunës në mjediset familjare. Ka plot metastudime (pra studime mbi atë se cfarë thonë studimet individuale) që konfirmojnë se dhuna ndaj grave, përfshirë atë seksuale, është e pranishme të gjitha grupet sociale, nga shtresa e ulët, e deri te shtresa e epërme. Faktori i përbashkët është jo sjellja e viktimës, po, përsëris: gjinia e saj: viktima në të shumtën absolute të rasteve është grua, e krimineli burrë.

Ky idiotllëk antishkencor i Vesel Latifit e inkriminon viktimën, duke e fajësuar direkt atë dhe zgjedhjet e saj për dhunën e ushtruar nga kriminelët. Pohimi bjen në kundërshti me fjalitë tjera në të njëjtin tekst, që thotë se viktima të dhunës seksuale janë edhe fëmijët e vegjël, e gratë në moshë të shtyrë. Kjo tregon se idiotllëku antishkencor në fakultetet shqiptare nuk ndin nevojë të jetë as konsisent në përmbajtje. Botuesit thjesht e dinë që librat as botohen, as tërhiqen, me kritere shkencore.

Nga Shqiptar Oseku

U lind në Gjakovë, ku e kreu të mesmen. U arratis si 18-vjeç në Suedi. Studioi shkencat sociale në Universitetin e Stockholmit. Punon si terapist në kryeqytetin suedez dhe shkruan poezi e komente shoqërore e politike.