Shoku im i fillores

E pashë sot, e takova pas kaq vitesh, por nuk e fsheh se shpesh e kam kujtuar, si rrallë të tjerët. Gjithherë kisha një ndjenjë më tepër për të, pa ia treguar kurrë askujt. Sigurisht se s’kishte të bënte me llojet e simpative, as lloji i saj, ishim të vegjël. Diçka më tepër, diçka që përmbyste gjithë zemrën e shpirtin, duke kriju një apokalips të pandreqshëm dhembshurie.

Për herë të parë ndrojtjen me theks të vërejtur në shumicë, përhumbjen mes një klase të vogël, si mes një bote të pa shteg, vetminë e pa shërueshme, fajin idhnak dhe kryeneç, i pashë në sytë e tij që reflektonin në shpirtin tim e më kërkonin dorën t’i zgjas (mua dhe të tjerëve)!

A mund ta paramendoni një fëmijë me një furtunë dimri brenda vetes së tij, në çdo pranverë, verë e vjeshtë, për çdo vit?!

A mund ta besoni se çdo ditë kur vjen nga shkolla, nis e qan për të, me frikë se po e kupton dikush?! Ti je ende i vogël dhe s’mund të flasësh lirshëm për ato që ndien, dhe çdo sulm ndaj shokut të klasës të bën të ndihesh sikur treni duke kaluar në shpejtësi, të ka marrë krahun e djathtë me vete, e t’i s’mund ta mbash më lapsin në dorë?!

Rrinte vetëm, ulur në bankën e fundit çdo vit. Sot e kuptoj se nuk ka qenë faji i tij kur nuk zinte mësimet. Të gjithë mund ta ndihmonim, por nuk e bëmë.

Mund ta ndihmonim, kur, ta zëmë se unë e gjuaja mësuesin me shkumës nga prapa, mësuesi e godiste atë; mund ta ndihmonim, kur, ta zëmë se shoqja ime e bankës shkarraviste dërrasën e zezë, mësuesi e godiste atë; mund ta ndihmonim, kur, ta zëmë se shoku im në bankën e dytë e gjuante mësuesin me top bore, dhe brenda tij mbështillte një gur të vogël, mësuesi e godiste atë, përsëri…

Pas shumë vitesh ndjenja që gjithmonë ma tundte shpirtin, ndieva se m’u largua.

U lumturova për të, jeta e tij kishte marrë tjetër trajtë, një të dëshirueshme për shumë djem të moshës së tij.

Madje, më ofroi me i ble një veturë, të tipit polo, por që mos të ngushtohesha për paratë, pasi mund t’ia jepja për tre vite. E unë, i premtova se pas Vitit të Ri, do të shkoja ta shikoja.

Erdha në shtëpi shumë e lehtësuar, desha t’i drejtohem dikujt në veçanti, për t’i dërguar një faleminderit të madhe, sa vetë shpirti i njeriut të mirë, sepse bota në krahasim me të, është e vogël, por thashë se po u drejtohem të gjithë atyre që bëjnë të mundur lumturinë dhe mirëqenien e tjetrit!

Faleminderit!

Nga

Rreze Abdullahu

Rreze Abdullahu

Shkrimtare dhe psikologe nga Dardania. Shkrun për gratë dhe shoqërinë shqiptare. Autore e librit me kujtime, «Nuk du luftë».

Një mendim për “Shoku im i fillores”

  1. Prandej mësuesi s’ban me çue dorë mbi nxanësat dhe duhet me u tregue diplomat. Se po ta gjetën pikën e dobët fëmija, gjithmonë të qesin në grackë. T’u rrittë ndera që i ndave me ne këta rreshta.

Le përgjigje