Shtatzanë në klasë të tetë

Për pesë ditë shetitje, shtatë nxanëse mbeten shtatzanë. Jan ende në të tetën klasë.

Ky lajm erdh nga Sërpska e Bosnjës, por punët s’jan qaq ma mirë as në trojet shqiptare. Shoqnitë tona në t’ashtuquejtunin Ballkan Perëndimor nuk po tregojnë qoftë ma të voglin kujdes ndaj fëmijëve e të rijve.

Simbas studimeve, fëmijët që edukohen me kohë për jetën familjare dhe shëndetin i nisin përgjithsisht ma vonë marrëdhaniet seksore. Moshatarët e tyne që nuk marrin mësime rreth kësaj pune e provojnë seksin ma heret. Këta gjithashtu jan shumfish ma të rrezikuem prej shtatzanisë së hershme, sëmundjeve gjenitore, si dhe vështirësive psikologjike e shoqnore në lidhje intime.

Prandej dhe shoqnia jonë duhet të jetë e gatshme me folë haptaz. Asnji temë sod s’mbetet tabú. Çashtja asht thjesht a duem ta parandalojmë të keqen apo ta vajtojmë mbasi të ndodhë.

Mbëdhetëvjeçarët e zhvillojnë me të madhe shtatin e mendjen. Këto s’jan thjesht lodra të tyne, por pasuni që ndreqin o prishin bilancin e krejt amvisnisë kombtare. Nuk e kan veç për veti, siç pandehin shpesh do prindën dembela tek i shmangen detyrës së tyne si këshillëdhanës.

Qebesa, s’asht virtyt as me u ngushtue para fëmijëve. Ata s’asht që s’kan ndi llafe të randa, e as që s’i flasin. Por iu vyen dikush sa i pjekun aq i ndërgjegjshëm e i përgaditun me ua ndjellë vetëbesimin e me ua nxitë ndjenjën e përgjegjsisë ndaj shoqnisë dhe piksëpari vetvetes. Ata kan mbëhi për mësim mbi shëndetin e tyne në të tana kuptimet: shëndetin trupor, mendor, e shoqnor.

Urtia e moçme udhzon me i folë të riut. Ashtu dhe shkenca sod dëshmon se edukata shëndetsore sjell përfitime të pazavendësueshme.

T’i këshillojmë të rijtë. Në mos ndigjofshin, jemi tue gabue dikund. Por jo aq rand sa kur s’iu flasim fare.

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avokat prej Prishtine të Dardanisë. Banon në Teksas, por s'ka allti të veten. Shkrun për shqiptarët, gjuhën, historinë, e politikën. Lexon çkamos. Ndihmon me mirëmbajtë sajtin për shqiptari, Plisi.org.

Le përgjigje