U kall e s’e ndreqëm që 16 vjet

Sod 16 vjet u kall Pallati i Rinisë, kur nji flakë që nisi në garazhin e shndërruem në depo mallnash e kaploi pjesën ma të madhe të kompleksit gjigand në qendër të Prishtinës.

Shumkush vajtoi që koloseu i kryeqytetit u shkatrru në liri. Kjo punë s’duhet me na bré ne sod: Sërbia e zaptoi ndërtesën më 1990, e ktheu garazhin e kerreve nën sallën sportive në nji ahurishte mallnash me shumicë, dhe na e la ish-Bo’ramizin në gjendje të mjerë. Shkaku i pushtimit, Pallati i Rinisë nuk mbërrijti me e zbatu as rregulloren kundër zjarrit, e cila parashihte nji ekip të veçantë zjarrfikësash për kompleksin. Flaka e 25 shkurtit thujse e shkrumboi krejt Pallatin.

Por për këte s’kemi pse bájmë na marre sod. Marre duhet me na ardhë pse kanë kalu plot 16 vjet dhe na ende s’e kemi ndreqë Pallatin e Rinisë. Dhe ndërsa sportistat tanë marrin medalje t’arta në botë dhe sjellin në shpi trofe evropianë, na s’mbërrijmë me i nderu as me nji hapsinë të dejë për t’u stërvitë e për t’i zhvillu takimet.

Hiç ma larg se mbramë, Sigal Prishtina e Peja u ndeshën në Sallën e Vogël, që s’asht mendu kurrë me qenë pjesa qendrore e Pallatit. Dy elefantë lujtën në nji kotec!

Kësaj marrie duhet t’i vijë fundi. Prishtina e meriton nji kolosé për ndeshje sporti e ngjarje kulture. Dhe asht koha që na si shoqni me ba diçka. E në mos daçim, duhet me e shti veten me zor.

Ndoshta Sigal Prishtina duhet ta braktisë përkohësisht qytetin derisa qyteti t’ia ndreqë Sallën e Madhe. Ndoshta Peja s’duhet të pranojë ma me zhvillu ndeshje në nji palestrëz. Apo ndoshta, klubet e basketbollit duhet ta vendosin nji rregull të re: për me garu në ligën siprore duhet me e pasë nji ulëse për çdo njimijë banorë të qytetit — vetëm Prishtina s’e përmbush kët kusht.

Por mun kryjmë punë edhe pa e çu qaq larg. Veç ta kujtojmë se sa turp asht për ne mos me mujtë me e ndreqë në liri ate që e kemi ndërtu në motin jugosllav.

Prishtina e meriton me e pasë Pallatin e Rinisë të ndrequn e të kryem, siç asht shestu mbi 40 vjet ma parë. E për kët dëshirë temen e tanden, edhe shpirtin në shitje qitë e kam.

Foto: NATO Press, 2000. Për ma shum rreth Pallatit të Rinisë, shih «Shpallje: Shes shpirtin».

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Le përgjigje