Urrejtja e Ardianit për Dardaninë

Jo rrallë, bëllogxhiu ngucakeq shpreh dashamirësi për fashistët sërbë dhe – ndërsa përvetëson edhe rrenat e propagandës së tyne – bahet nji nga ta.

Prind’ të dashtun – kam nji lutje për ju: Këshilloni fëmijët tuaj që të mos i lexojnë shkrimet e njifarë Ardian Vehbiut. N’i këndofshin, le t’i marrin për shembull të mendimeve që nji qytetar i njimendtë nuk mund t’i pranojë.

I ramë prej Tirane në New York, Vehbiu punon si dragoman dhe mban nji blog për gjuhë e shoqni me nofkën Xha Xhai. Përderisa vendet shqiptare dhe Shtetet e Bashkueme janë tejet të hirshme sa ta lejnë të thotë çfarë të dojë, fjalët e bëllogxhiut janë fyese dhe të damshme për kombin tonë.

Shkrimet e Ardian Vehbiut nuk përmbajnë gja tjetër pos urrejtje të shitun për mendime dijetari. Xha Xhai i urren haptaz shqiptarët, sidomos ata të Dardanisë. I urren dhe myslimanët. Asht kundër bashkimit kombtar për kurrfarë arsye pos smirës e frikës që ka ndaj shqiptarëve matanë kufijve londinarë. Jo rrallë, bëllogxhiu ngucakeq shpreh dashamirësi për fashistët sërbë dhe – ndërsa përvetëson edhe rrenat e propagandës së tyne – bahet nji nga ta.

Edhe atëherë kur nuk e përmend drejtpëdrejt Kosovën, Vehbiu rëndom synon t’i poshtërojë shqiptarët e Dardanisë. Në nji nga të futmet e fundit të blogut, Xha Xhai qortoi Kryeministrin Hashim Thaçi pse pati përdorë nji fjalë shqipe të panjohun për shumicën e tiranasve. Udhëheqësi dardan e pat pyetë prijësin e Arbënit, Edi Ramën, «A nirthte?», ndërsa të dy po takoheshin në Prizren për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare.

Vehbiu ka qenë edhe ma i rreptë. Jo shum moti, fuste në nji thes përpjekjet për shtetin e pamvarun të Kosovës me nacionalizmin sërb që çoi në luftën e fundshekullit të mbramë. Madje, sfidonte njikohësisht edhe mbrojtjen që humanisti dhe ish-kryetari i ndjemë çek Václav Havel i pati ba ndërhymjes humanitare të NATO-s më 1999.

Ndonëse me mbiemën nga gjuha arabe, Vehbiu i ka halë në sy myslimanët. Si argument kundër bashkimit kombtar dikur jepte praninë e theksueme t’islamit në Dardani, ndërsa thoshte – krejt gabimisht – se «kosovarët» janë të shkëputun nga trashigimia e rilindasve ortodoksë të Toskërisë dhe nga arbëreshët e Italisë. Por historia flet ndryshe. Nga Lidhja e Prizrenit deri në Kryengritjen e Përgjithshme të 1912-ës, shqiptarët nga të gjitha trojet u tubuan në Kosovë në përpjekje për ta krijue shtetin e tyne.

Në disa shkrime tjera, Xha Xhai u vërsulej përkthyesve letrarë nga Dardania. Simbas tij, veprat botnore që Kosova i dërgonte në shtetin amë gjatë periudhës komuniste ishin në nji shqipe «të pakuptueshme». Në nji rast, madje, lavdon nji përkthim të botuem në Tiranë, që dyshohet se i asht vjedhë nji përkthyesi pejan. Në fund, shkon aq larg sa të kambëngulë se botimet dardane kishin pa dritën falë pares së madhe që Beogradi jepte n’at kohë për kulturën shqiptare.

Edhe kur flet me dashamirësi cinike për dallimet mes shqiptarëve këtej e andej kufinit, Vehbiu shprehet qartaz: «Kosovarët» janë folklorikë, të gatuem nga propaganda e Shqipnisë komuniste. «Shqipëritarët», siç i quan me korrektësinë përbuzëse bashkëkombasit në shtetin e 1913-ës, qenë lodhë nga tirqit e plisat. Andaj, Vehbiut i ban zemra ma fort për nji të huaj që ndigjon Pink Floydin sesa për nji shqiptar që ngon kushedikush farë rapsodi me çifteli.

Kurse në gjanë ma të mbrame të blogut, Xha Xhai iu kthye sërish fjalësit. Ua pa për të madhe portaleve joprofesionale që, si rrallëherë, kishin përdorë fjalën shqipe «lukth» për organin e tretjes. Vehbiu kambëngul se duhet «stomak».

Por këtu, si rrallëkund, del në pah edhe mjeshtria dinake e bëllogxhiut me diplomë t’Universitetit të Tiranës. Autori nuk e përmend Kosovën qoftë edhe njiherë në tekst. Dhe kur lexuesit i bajnë verejtje, ai shpreh habi se Dardania po e përdorka at fjalë. Qe, ban me gisht, tue cekë se lajmin e ka lexue në disa portale të Shqipnisë Londinare.

Mirëpo asht fare e qartë se autori që kurrënjiherë nuk thotë nji fjalë të mirë për Kosovën e ka zorin te ndikimi i saj në hapsinën shqiptare. Vehbiu nuk don konkurrencë dhe nuk don sfidë. Ai don që idiolekti i tij, që përkon pak a shum me gjuhën e periudhës komuniste, të mbetet ashtu siç asht. Gurra popullore për te «e bën shqipen të tingëllojë si gjuhë fisi barinjsh të sapozbritur nga mali».

Xha Xhai urren të gjithë ata që ia sfidojnë vlersimin që ka për veten. Sado ta shajë sod diktaturën, ai asht nji qullac i mbrumë përkëdhelisht me paragjykimet e nji regjimi fashist. Në moshë madhore, asht nji i pabamë burrë që e vret therrca narcisoide kur i duhet të mësojë diçka nga dikush «i ulët». Për Vehbiun asht fyemje, kur nji katundar krenar ia mëson nji fjalë të lashtë shqipe ose kur dora e nji zotnuesi të dobët të së folmes standarde mahnit me zgjedhjen e fjalëve.

S’asht me u çuditë, atëherë, pse në shkrimet e tij, A.V. hiqet dijetar. Por në mes rreshtave të ngjymë me pak njohuni shkencore, ai mbëlton urrejtjen që ndien në shpirt ndaj të tjerëve. Shkrimet e dragomanit janë fyese për çdo shqiptar atdhedashës. Nuk duhet të jesh as gegë, as malok, as mysliman, e as kundërshtar i drejtshkrimit të 1972-ës që pandehmat përparimtare të Xha Xhait të të pështirin.

Shum nga copëzat e blogut të Vehbiut janë botue fillimisht në gazetat kryesore të Shqipnisë Londinare. Dhe klithma e autorit asht ndje me të madhe. Në nji shoqni të zhvillueme, pakkush do ta kish marrë seriozisht nji bëllogxhi si Vehbiu. Por ndër ne, që ende vuajmë prej plagëve të së shkuemes dhe ende çalojmë në rrugtimin tonë intelektual, piskama e nji sharllatani kumbon fuqishëm e ndigjohet dhe ma fort. S’janë të paktë ata që i rrehin shuplakë.

Por na jemi shumica dhe duhet të japim përgjigjen tonë. Njerzit që si Ardian Vehbiu dergjen prej sëmundjeve shoqnore duhet të marrin përgjigjen e meritueme: t’i leçitim njiherë e mirë dhe t’i ngujojmë larg botës intelektuale se përndryshe rrezikojnë të na sëmujnë dhe ne.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.