Deklarata kushtetuese e RTK-së

Pak me vonesë, por pa(?) pendesë: e kqyra Ditarin që e ka dhanë RTK-ja më 7 shtator, në 25-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut. Thashë mos po ndigjoj gja të re për at ngjarje historike.

Dhe njimend ndigjova: disa herë e ndjeva gazetarin tue thanë «deklarata kushtetuese e 7 shtatorit» ose «deklarata kushtetuese e Kaçanikut».

Unë kam ndi për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, që e ka shpallë Dardaninë republikë, dhe për Kushtetutën e Kaçanikut, miratu më 7 shtator 1990. Por se Kuvendi ynë paska nxjerrë deklaratë kushtetuese edhe më 7 shtator nuk e kam dijtë. Kam kujtu e kan nxjerrë thjesht Kushtetutën, të cilën u zotu me e punu qysh më 2 korrik.

Unë e kuptoj kur gazetari gabon pahiri. Ndodh edhe në këta pak rreshta që i kam shkru unë ke me hasë në ndoj gabim krejt fillestar. Por unë kur lajthis njiherë, kqyri herën tjetër mos me rrëshqitë prap. Kurse përmjetet tona — si tëvëtë, ashtu edhe portalet — nuk lodhen fort me mësu prej gabimeve.

Dhe jo vetëm që s’bajnë gja për mos me i përsëritë; ato e vijojnë punën në qaso mënyre që i ban me sharru keq e ma keq. Qysh ndryshe me mbetë gjallë?

Me kriju përmbajtje, duhet me shkri mend: duhet me nga poshtë e përjetë, me hulumtu e me mësu, dhe me e kallxu tregimin shkurt e shqip. A për t’i mbushë katër kanalizime me program, të vyen qebesa edhe kelbazi i gazetarit që e dëlir fytin mbi mikrofon çelë.

Qe pra pse përmjetet tona e trashin gjuhën e llomotisin pa nevojë. Gazetari ia lehton punën vetit dhe e merr nji rrogë dërzhave pa u ndjersë. Madje e ban veten të pazavendësueshëm: «në mënyrë që të ushtrohet me sukses profesioni i çmueshëm i gazetarit», duhet me u ngridhu e me folë pa thanë kurrgja hiç. (Me randësi asht me i shitë mend katundarit që flet me Ö, ja thotë «atu» e «kty».)

Gazetarët e trashin gjuhën. Por gjuha e trashë, siç na porosit George Orwelli, na i budallakon mendimet. «Deklarata kushtetuese e 7 shtatorit» na e difton at budallakim, ndonse ka qinda huqe ma të mëdha që duhet përmendë para tij.

Gjuha e popullit e lyp me i ra trup, pa fjalë të teprueme. Nëse gazetarët tanë do kumtonin shkurt e shqip, s’kishin me rrëshqitë kështu fëlliqtë.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.