Flm, sa fjalë e gjatë!

Faleminderit. Eu! 12 germa, 12 tinguj.

Nuk patëm çare pa e shkurtu këtë fjalë. Çereku i shkronjave mjaftoi. Dikush flm-në ua mveshi gjakovarëve, që po kursenin tastierën. Por tash kemi nisë me thënë edhe me gojë: fëlëmë.

Prej krejt gjuhëve përreth, shqipja e ka ma të gjatën fjalë për miradije. Madje faleminderit si fjalë asht pak a shum e re. Athue të parët tanë, si burra krenarë që ishin, nuk kan dijtë me shprehë mirënjohje shoqi-shoit?

Përkundrazi! Të parët tanë i kan kushtu aq rëndësi urimit, saqë një fjalë e vetme nuk u ka mjaftu. Urimi i kish dy të mira. Tue e uru mikun, shqiptari tërthorazi e lëvdonte vetveten. Por e nderonte dhe mikun, siç e kërkonte ligji, tue e njoftë për të barabartë me veten.

Qysh?

Tue shprehë dashamirësi ndaj tjetrit, shqiptari thoshte mes rreshtash: jam trim dhe i kam punët mirë për vete sa nuk frigohem me të pa mirë dhe ty. Dhe varësisht nga rrethanat, shqiptari i zgjedhte dhe fjalët, duke i tregu shoqit se njëmend po i kushton vëmendje — se s’po ia bën rrafsh.

Urimin ma të madh e bënte për nderin e dikujt: t’u rrittë ndera e të falem nderës, prej nga e kemi nxjerrë fjalën e sotme faleminderit.

Nderi nënkuptonte zemërgjërësinë e njërit, sa besnikërinë e punën e drejtë aq edhe pasurinë që mundësonte me i pritë miqtë dhe me iu ndihmu nevojtarëve. Për shqiptarin s’kish çast më të rëndë se me i ardhë miku dhe mos me pasë bukë me i shtru.

Edhe përgjigjja ndaj falënderimit ishte rëndom me nder qofsh. E drejta dokesore i njihte të gjithë shqiptarët për të barabartë. Andaj kur njëri uronte tjetrin, tjetri ia kthente me po të njëjtin urim. Madje do falënderojnë vetë me ta kthefsha për të mirë, duke u zotu mos çu huq mundin e mikut.

Një formulë gjenerike — faleminderit — nuk i zëvendëson dot gjithë ato fjalë e shprehje. As nuk shpreh dashamirësinë e ndërsjelltë mes dy shqiptarëve të barabartë, e as vëmendjen që tregon njëri ndaj tjetrit nga rasti në rast.

I madhi të voglit i thotë u rritsh ja rrofsh. Ia mëson dikujt emrin, i thotë e gëzofsh.

Urimet e posaçme s’mbarojnë këtu:

  • Shqiptari toket me kënd në punë, i thotë puna e mbarë. Puntori i gjegjet: mbarë paç.
  • Njëri teshet, tjetri i thotë shëndet. I pari ia kthen: shëndet paç.
  • Ulen miqtë në sofër me hangër. Vjen kojshiu në derë. Ju baftë mirë, i uron. E mira të gjettë, ia kthejnë të tërë. Dashamiri qëllon në bukë, shton ndonjëri ma fjalaman që mos me u ngushtu kojshiu.
  • Flet njëri keq për tjetrin, shqiptari ia pret: ia marrsh të ligat, o mizor!

Po i huqe fjalët, e fyve veten, se s’qe i zoti me ndjekë se ç’po ndodh rreth teje. Fundja, leht asht me thënë pamendimthi qaty faleminderit, qoftë dhe kur të shan dikush. Por me uru me bindje, sot pakkush denjon.

Të keqen, pra hë!

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.