Gjuha zyrtare, e njisueme

Dallas, Texas — Shum miq të mij, toskë e gegë, përkrahin letërsinë në dy variantet e shkrueme, se krijimtaria e pasunon e fisniknon gjuhën shqipe. Mirpo, zyrtarisht sundon standardi i ’72-ës (që prej respektit për toskënishten e popullit, nuk due ta quej toskënishte) e jo gjuha shqipe si tansi. Mos nuk qenka e mundshme që gjuha zyrtare t’i ngërthejë të dy të folmet kryesore?

Zgjidhja që unë e kam mendue mbase nuk asht ma e përkryemja, por i shërben logjikës së bashkimit. Ka mundsi që nji fjalë me u shkrue njilloj për të dy dialektet, por me u shqiptue simbas zgjedhjes së lexuesit, gegnisht ose toskënisht. Për shembull, tue përdorë nji karakter të veçantë— (n me pikë poshtë)—për n-në e gegnishtes që toskënisht bahet r, fjala Shqipëṇí do të mund të shqiptohej në dy mënyrat sa të natyrshme, por aq edhe të drejta.

Me diakritiket veç e humbë yndyrën kjo ide, që paraqet nji kandvështrim shum ndryshe nga propozimi im i maparshëm për me i shkurtue ë-jat. Se për kët qëllim të njisimit, ish dashtë me përdorë rregullisht grafema si ë, â, ê, î, á, é, í etj., tue shtue edhe dy të reja, të panjoftuna për shqipen, dhe (n dhe m, me nga nji pikë poshtë).

Veç kësaj, nji normë e tillë e ban shqipen ma pak fonetike në të shkruem, problem që zor mund të zgjidhej pa ndonji program të përsosun kompjuterik. Mirpo, nji qasje e tillë ndaj gjuhës kish me i rahatue gojët e shqiptarëve, të cilët kishin me i shqiptue fjalët simbas zgjedhjes së tyne, gegnisht ose toskënisht. Çka do të duhej pasë parasysh asht nji tabelë shqiptimi:

Shkrim
i njisuem
Shqiptimi
gegnisht
Shqiptimi
toskënisht
Shembuj
â â* ose o ë âsht(ë), mâ, bâj
ê ê ose â ë ose e vênd†, kê(nd)
î î ose i ë trashîgim, dîftesë
ᇠá ose a a hatá, shaká
é é ose e e ndér
í í ose i i Dardaní, cilësí
ú ú ose u u kúr, gúr
n r Shqipëṇí, e dash(t)uṇ
m r i bâṃë, i pâṃë
ua ú, ua ose ue ua dua, thua, zgjua
* theksi kulmor (hundaku) shenon nji zanore hundore në gegnishte

† Trajta standarde e caktueme më 1972 sod nuk i përshtatet plotsisht asnjanit prej shqiptimeve mbizotnuese.

‡ Përdorimi i theksit të gjatë nuk asht i domosdoshëm për ta realizue paraqitjen grafike të njisueme të të dy dialekteve: gegnisht paraqet nji zanore të gjatë e të theksueme të fjalës, toskënisht kryesisht paraqet zanoren e theksueme të fjalës.

Pak a shum, ky njisim merr parasysh veç tingujt (fonologjinë) dhe thuejse nuk prek fare ndërtimin e fjalëve dhe fjalive (morfologjinë e sintaksën). Me fjalë të tjera, tabela nuk i zgjidhë të gjitha vështirsitë në njisimin e gjuhës së shkrueme. Ndër to, a duhet me i përfshi ato shkronja që në shembujt e masipërm i kam futë në kllapa?

Çashtje e koklavitun mbetet njisimit i mbiemnave foljorë, si p.sh. “i punuem” (shq. i punúm) dhe “i punuar”. Në kët rast do të mund të përdorej edhe nji karakter tjetër, p.sh. ô, për të nxjerrë nji trajtë si “i punuôṃ” për gjininë mashkullore (geg. i punuem, tosk. i punuar), por që s’vyen për gjininë femnore (geg. e punueme, tosk. e punuar). Prandej, zgjidhja ma e mirë asht që të lejohen të dy trajtat, siç kemi edhe sod trajtat “i hapun” dhe “i hapët”, secila me ngjyrime të veçanta. Gjasat reale, megjithate, janë që trajta me -uar të mbizotnojë, sidomos te togfjalësha si “Shtetet e Bashkuara”.

Bashkë me mbiemnat, vijnë edhe foljet, meqë nuk përcaktohet nëse do të shkruhet “(kam ose tue) punue” (shq. punú) apo “(kam ose duke) punuar”. Edhe këtu do të duhej të lejoheshin të dy trajtat. Zyrtarisht, primjet e elitës së sotme do ta favorizonin trajtën toske, por për brezat e ardhshëm trajta gege do të mund t’ishte ma e përshtatshme, meqë asht ma e shkurtë (dhe në realitet, asht veç shkurtesë e trajtës së mahershme “punuem”, që asht e barazvlefshme me trajtën “punuar”). Njikohsisht, trajta gege lejon edhe përfshimjen e paskajores (me punue), që, në kohën e kontakteve të mëdha me gjuhët e perëndimit, po bahet gjithnji e ma e nevojshme, e deshtën apo s’e deshtën shqiptarët.

Në fund, duhet ba edhe nji vërejtje plotsuese. Shkrimi i njisuem simbas tabelës së masipërme duket se i përshtatet ma shum tansisë tingullore të gegnishtes sesa të toskënishtes. Por kjo asht e rastit dhe ndodhë pse gegnishtja ka nji areal ma të gjanë të zanoreve dhe ruen shum tipare të përbashkëta të shqipes nanë, që i ka humbë toskënishtja. Për shembull, â, ê, e î, të gjitha janë kthye në ë në toskënisht. Gegnishtja po ashtu nuk ka pësue rotacizëm, tue ruejtë n-në ose m-në.

Në të vërtetë, trajtat njisuese janë vendosë mbi emnuesit e përbashkët të dy të folmeve dhe tue marrë parasysh zhvillimin historik të gjuhës, e jo tue favorizue njanin dialekt kundrejt tjetrit. Sikundër që disa trajta të njisueme janë ma afër gegnishtes për shkak të grafemave â, ê, î, dhe, trajta të tjera i afrohen ma fort toskënishtes, meqë kjo ka ruejtë ë-në aty ku e ka humbë gegnishtja (p.sh. vëllá, vështirë). Edhe përcaktimi për togzanorëshin ua—ose trajtën toske “dua” në vend t’asaj gege “due”—bahet në bazë të zhvillimit historik të shqipes, me ç’rast toskënishtja i avytet ma ngat shqipes nanë, që kishte uo e jo ue siç ka gegnishjta (o-ja dhe a-ja, në fakt, shpeshherë i kanë ndërrue vendet në gjuhën shqipe).

Na mbeten edhe çashtje të tjera për t’i trajtue, sidomos disa ndryshime ma të thella morfologjike e sintaksore mes dy të folmeve dhe disa dromca parregullsish që ndodhen në standard. Por prapë asht e mundshme që, tue i zbatue paradigmat e paraqituna në tabelë, me kthye sadopak në kët normë që unë po e quej të njisueme çfarëdo teksti të standardit të ’72-ës.

Qe, ma së mbrami, për ilustrim, nji tekst (që me gjithë ndryshimet mbetet ma afër toskënishtes sesa gegnishtes):

Në rrethana të tilla, përjashtimi nga reformat i pjesës mâ të madhe të tokave shqiptare të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, si edhe i të gjithë vilajetit të Shkodrës dhe të Janinës, nuk qe i mjaftueshëm për të siguruar tâṇësinë territoriale të Shqipëṇisë. Rritja e ndikimit të ideve të çlirimit kombëtar, të propaganduara nga qarqet atdhetare mbrênda vendit, si edhe nevoja e vetëmbrojtjes nga ndërhyṃjet e shteteve fqinje dhe nga terrori i bandave të tyṇe në tokat shqiptare, bânë të domosdoshëm riorganizimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mbi themele të reja. U shtrua kështu si njî nevojë e ngutshme formimi, sipas shembullit të popujve të Evropës e të Ballkanit, i njî organizate politike të fshehtë, qendrore dhe të përgjithshme, që të bashkërendiste veprimet e të gjitha shoqëṇive dhe të atdhetarëve sipas njî programi të njêjtë, të ripohonte me rrugën e luftës së armatosuṇ e të organizuar të drejtat e kombit shqiptar në trojet e veta dhe t’i detyronte Turqinë dhe shtetet evropiane t’i njihte ato.

Në lëvizjen kombëtare kishte filluar tani të aktivizohej dhe të ushtronte ndikim të fuqishëm njî brez i tâṇë atdhetarësh me pikëpamje radikale, që ishin kryesisht intelektualë, gazetarë e botues të organeve të shtypit shqiptar, mësues të shkollave turke, nëpunës të aparatit shtetëṇor, njerëz të profesioneve të ndryshme, që rridhnin nga borgjezia e nga bejlerët patriotë, por edhe nga borgjezia e vogël e qytetit dhe e fshatit, nga vegjëlia, siç shprehej shtypi i kohës. Përfaqësuesit e këtij brezi intelektualësh morën këtë herë nismën për krijimin e njî organizate të fshehtë. Pas takimeve e diskutimeve që atdhetarët shqiptarë bânë në Dibër, në Elbasan, në Tiranë e në qytete të tjera, në nântor të vitit 1905, me nismën dhe nën kryesinë e patriotit Bajram (Bajo) Topulli, nëndrejtor i gjimnazit turk të Manastirit, u formua këtu komiteti i fshehtë shqiptar me emrin “Për lirinë e Shqipëṇisë”, që shënoi fillimin e njî organizate të përgjithshme kombëtare. Themelues e anëtarë të tij ishin gjithashtu Halit Bërzeshta, kolonel dhe shef i shërbimit farmaceutik të Korparmatës III, Fehim Zavalani, pronar, Sejfi Vllamasi (Novosela), veteriner i qytetit të Manastirit, Gjergj Qiriazi, përkthyes i konsullatës austriake në atë qytet dhe Jashar Bitincka, mësues gjimnazi.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Themelimi i komiteteve ‘Për lirinë e Shqipërisë’ dhe programi i tyre (1905),” Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi II: Rilindja Kombëtare. Vitet 30 të shek. XIX–1912 (Toena: Tiranë, 2002).

Botu fillimisht në bllog vetjak më 21 tetor 2011; përditësu më 1 prill 2012

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.