Guzhinat e standartit

Guzhinat e standartit

TIRANË, 8 maj 2014 — Nji shoqatë shqiptarësh nga Greqia na e zu’ syri tek i kërkonte kryeministrit me ia mbledhë betë gjuhëtares dhe deputetes Ledi Shamku-Shkreli, mbasi e partisë së tij kjo. Shembulli na tregon se grupe interesi që flasin për shqipen zyrtare po gëlojnë tashmë kahmos e kudo. Reagimi tjetër, që e nënshkrujnë 20 emra, kryesisht gjuhëtarë nga formimi, sjell pozicionimin e nji grupi të ngjashëm interesi, tu alarmu se Këshilli Ndërakademik “ka hyrë në një rrugë të rrezikshme”. Nuk do të lejosh – thotë thelbi i të dyja reagimeve – i dashuri KM, t’i ndryshojë kush vendimet ortografike e gjuhësore që janë pasë marrë në periudhën socialiste.

Ledi-Shamku Shkreli, në kundërgjegjen e saj, paraqet nji tjetër interes: me e pru shqipen standarde më afër me çka sot hasim gjerësisht në gjuhën publike të Tiranës. Ajo ka edhe do propozime: me i dhënë fjalët “standart”,”guzhinë” e do të tjera si këto, tashmë me ortografinë që imponohet gjerësisht nëpër Tiranë.

Do të ishte interesante me i pa këto propozime kundrejt mundësisë hipotetike për shqyrtim prej Këshillit Ndërakademik të Gjuhës. Nëse aty, a në çfarëdo organizmi shqyrtues mbarëkombëtar, do të shtroheshin shembujt e mësipërm për diskutim, është e lehtë me ua mendu votimet sipas përmbajtjes së anëtarësisë. Priren me votu kundër gjuhëtarët nga Kosova e përgjithësisht trevat shqiptare ku as shqiptimi e as shkrimet, private e publike, jozyrtare e zyrtare, nuk e kanë tingullin nistor të zëshëm në fjalë si “kuzhina” ose ku në fjalë si “standard” nuk e shurdhojnë tingullon fundor. Do të votojnë kundër edhe ata gjuhëtarë nga Shqipëria, kryesisht të brezit më të vjetër, që ngurrojnë me i ndryshu vendimet e periudhës socialiste.

Çka tregojnë matjet, edhe nëse i kemi? Nëse ‘standard’ e kemi vështirë me e matë me motor kërkimi si Google, duke qenë fjalë ndërkombtare kjo, fjalëformat e lemës ‘kuzhinë’ mundemi, kryesisht për shkak të veçantisë së grafemës zh, prandaj gjetjet do të na dalin veç prej shqipes. Për ta siguru gjetjen veç të fjalëformës përkatëse, e fusim atë në kërkimin tonë në Google brenda thojzash të dyfishta. Qe edhe gjetjet (matë më 8 maj 2014):

kuzhine 698.000 guzhine 86.200
kuzhinë 1.113.000 guzhinë 35.500
kuzhina 1.490.000 guzhina 242.000
kuzhines 290.000 guzhines 77.100
kuzhinës 494.000 guzhinës 3.360
kuzhinen 68.900 guzhinen 6.980
kuzhinën 87.100 guzhinën 2380
kuzhinat 35.600 guzhinat 4520
kuzhinave 24.500 guzhinave 1170
kuzhinash 4.600 guzhinash 1410

Korpusi i gjuhës shqipe në web-corpora.net, mbasi ushqehet veç me prurje tekstesh në shqipe, na lejon me i matë ndryshoret ‘standard/t’. Qe matjet prej këtij korpusi (8 maj 2014):

standard 285 standart 14
standardi 114 standarti 10
standardin 101 standartin 6
standardit 147 standartit 5
standarde 526 standarte 55
standardet 727 standartet 75
standardeve 649 standarteve 68
standardesh 12 standartesh 5

Matjet tregojnë se është e parakohshme, qoftë për ‘guzhinë’ a ‘standart’, me u imponu me ndonji vendim autoritativ mbi trajtat ekzistuese të normës. Në nji shoqëri demokratike, nji vendim i tillë autoritativ për të kodifiku ‘standart’ e ‘guzhinë’ kish me e nxitë dufin e atyre që trajtat i shkrujnë sipas normës aktuale. Pra ‘kuzhinë’ e ‘standard’, nuk do të zhdukeshin, por do të kalonin në opozitë ortografike.

Matjet kërkojnë punë, hulumtime, analiza, planifikime përkatëse. Alternativa e mbetur: anëtarët, si në rastin konkret të Këshillit,i propozjnë dhe i votojnë ose jo ato trajta që i parapëlqejnë vetë. Nji anëtari ri i Këshillit nga Kosova voton kundër “guzhinë” e “standart”, edhe për arsyen se kjo i duket ende vendimmarrje në të cilën ai mundet me ofru pos unanimitetin, si në rastin e Konsultës së Prishtinës më 1968, pra dakordimin e Kosovës me projektin ortografik të vitit 1967 në Shqipëri. Unanimiteti i kohës u diktu ashtu siç diktohen gjithnji vendimet kolektive: nga kushtëzimet e drejtpërdrejta të jetës politike. Krahina Kosovë e sapodalë prej periudhës Ranković kushtëzohet vetiu me votu ndryshe nga Kosova e sapodalë shtet.

Nji tjetër ‘jo’ në shembullin ilustrues është për t’u pritë brenda Këshillit edhe prej të gjithë atyre interesave që nuk duan ndryshim të trajtave ortografike, a pse vetë autorë të teksteve ku ortografitë “kuzhinë” e “standard” kodifikohen, a pse të teksteve ku kodifikimet zbatohen. Brenda këtij grupi rreshtohen profesorë të moshës mbi 60-vjeçare, kryesisht të Shqipërisë. Dimë edhe se Isa Bajçinca e Shefkie Islamaj, anëtarë të Këshillit, do të votonin ‘jo’, thjesht sepse rreshtohen me këtë grup interesi që nuk pranon astenji ndërhyrje të vetme në kodin 1972; në emër të ‘gegnishtes’ jo se jo, por as në emër të ‘korrigjimit’ a ‘përditësimit’ të standardit. Por gjuhëtarë që të jenë anëtarë të bindur të këtij grupi interesi nuk ka se si të nxjerrë më Kosova e bashkëkohësisë. Ata i përkasin nji periudhe tjetër formimi, asaj fill mbas çrankoviqizimit të Kosovës dhe kanë prandaj të tjera bindje edhe mbi gjuhën. Kjo edhe për arsye se janë mëkonservatorë në qëndrimet ndaj gjuhës.

E sido me qenë, cilado trajta standarte, me ‘d’ a ‘t’, sot a nesër, e vërteta është se do të vazhdojmë me i hasë e lexu të dyja variantet ortografike, e se as përpjekja për me i rujtë ortografitë siç parashkruhen (standard, kuzhinë), as ajo për t’i ndërru (standart, guzhinë) nuk do të munden me qenë ndonjiherë të zbatueshme në plotninë e vet, pra deri aty sa me e zhdukë konkurrencën. Gjithnji mund të presim nji tjetër botim për gatime guzhine e farë artikulli lidhur me shqipen standarte. Me fjalë të tjera, do t’i shohim e njohim edhe njërën edhe tjetrën, shum prej nesh tu mos ditë fare se cila syresh është “e sakta”. Dhe prandaj gjuha publike, zyrtare, mediatike, tekstet mësimore e botimet gjithëfaresh, do të vazhdojnë t’i kenë njërën dhe tjetrën, siç në fakt i kanë, rrezik madje edhe nga i njejti autor.

Megjithatë, kjo që Ledi Shamku-Shkreli shpreh në nivel parimi, pa u kredhë më tej në përimtimet e shembujve të mësipërm, është për t’u shqyrtu krejt seriozisht. Standardit i duhet me u kqyrë në pasqyrën e realitetit gjuhësor me ndërveprime shqiptare përmasash kurrnjiherë më parë kaq të gjithanshme, po edhe të matshme si kurrnjiherë më parë.

Nji propozim për shkurtimin e të ardhmes së tipit “do të vij” në “do vij” është lehtë i pritshëm jo veç prej Ledi Shamku-Shkrelit, që mbron idenë e përditësimit të standardit kundrejt realitetit në arealin motrolopitan. Për më shum, i vumë për diskutim kundrejt nji organi shqyrtues autoritativ, si Këshilli Ndërakademik, nji kësi propozimi fare lehtë do të mund të miratohej.

Tu e marrë egon si stacion për votën përfundimtare, dimë se do të votonte ‘po’ çdo anëtar i organit vendimmarrës prej Tetove e poshtë, ku trajta përdoret dendur për ta dhënë të ardhmen. As nga anëtarë zonash ku përditshmëria gjuhësore e jep të ardhmen me “kam me ardhë” nuk do të kishte bazë për ndonji kundërshtim. Në komunikimet mes përdoruesve që trajtën ‘vetjake’ e kanë me paskajore “kam me ardhë” dhe atyre që trajtën ‘vetjake’ e kanë me lidhore, trajta që ndigjohet prej të parëve për përshtatje me të dytët është “do vij” para se “do të vij”. Trajta është edhe më ekonomike dhe prandaj ka më shum gjasë me i mbijetu epokës së digjitalizuar të cilën e jetojmë (“do vij per 5 min”). Sa me e marrë nji shembull kanali mediatik shum të ndjekur, Top News e përdor këtë trajtë në titujt e lajmet që i ndërron vazhdimisht nëpër ekranet televizive që i shohim në gjithë ato lokale e klube që e mbajnë këtë kanal për ta joshë klientelën, duke i bë kështu sytë e shqiptarëve gjithandej me e fiksu këtë trajtë. ekonomike. Autorë të brezit të mesëm e të ri, që ndërkëmbejnë mes “do të vij” dhe “do vij” krejt pavëmendshëm, ke sa të duash. Në Prishtinë, nëse jo në gjuhën bisedore, trajta ndihet shpesh nëpër TV e radio dhe lexohet nëpër gazeta e portale, edhe kur të Kosovës këto. Priten me votu ‘jo’ vetvm mbrojtësit e idesë se parashkrimet e periudhës socialiste thjesht nuk mund të preken.

Këshilli Ndërakademik do t’i mbetej të saktësonte për opinionin publik se sugjerimi i trupit të ekspertëve është me e ndërmarrë këtë lloj operacioni gjuhësor jo veç me të ardhmen e tipit “do të vij”. Morfologjitë me do + lidhore në të tashmen (do të vij, do tëvish…) dhe do + të pakryemen (do të vija, do të vije…) të gjitha e bjerrin pjesëzën ‘të’ (do vij, do vija, do kisha ardhë).

Për me qenë më autoritative vendimmarrja, Këshilli, si organi shqyrtues e sugjerues, përpos nxitjes autoritative që mund t’i bëjë trajtës ekonomike, bën mirë me e ndjekë përhapjen e trajtës së re kundrejt të vjetrës, për të pa nëse do të mund të evidentonte rrudhjen e të dytës dhe në ç’masë. Ndërkohë, kuptohet, nuk mund të pengohet përdorimi edhe i trajtës së vjetër standarde, “do të vij”. Sot është i konsiderueshëm
numri i përdoruesve, që ndonëse parapëlqejnë trajtën ekonomike, nuk e shkruajnë bash pse vendosin me i ndjekë rregullat e miratuara. Trajta ekonomike, e miratuar si dysore, do t’i përfitonte edhe këta përdorues dhe kështu trajta e vjetër do të rrudhej gradualisht.

Në rastin konkret, ndonji grup interesi që nuk pajtohet me kodifikimin e trajtës ekonomike “do vij”, nuk duket sikur ka gjasë me shkaktu kurrfarë trumhasjesh të mëdha publike. Hipotetikisht, madje edhe po u tubuan 20 a 30 nënshkrime, reaguesit do të duheshin me saktësu se çka konkretisht kanë kundër përdorimit të trajtës ekonomike “do vij”, pra mbi ç’matje dëshmojnë se është i papranueshëm ekonomizimi i propozuar, sepse reagimi se organi vendimarrës “ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar

shqetësim

të thellë publik”, do ishte, mbasi krejt i përgjithësuar, edhe krejt i pakuptimtë. (Nji spazmë e tillë sociale si reagimi prgjithësues me 20 nënshkrime jep alarmin, po nuk thotë nëse rreziku është “zjarr” a “tërmet” a “përmbytje”, prandaj nuk është se e propozon as mundësinë për adresim të rrezikut, duke e nënkuptu sigurisht eliminimin e vetë “kanosësit” të tij, Këshillit Ndërakademik. Këtë e synon pohimi i reagimit: “Është pa kuptim që shteti të japë para për shkatërrimin e gjuhës shqipe!”)

Matjet e kompjuterizuara gjuhësore dhe digjitalizimi i lëndës gjuhësore, për sofistikimin e të cilave do duhej të investonin të gjitha shoqëritë që synojnë me pasë gjuhë më vete në të ardhmen, do të jenë ato që do t’i kënaqin edhe interesat gjithnji e më të vetëdijesuar qytetarë për hisen e tyre vetjake në gjuhë. Kjo sepse matjet më të mira që ka shoqëria mund të jenë ato që azhurnohen me prurjet e reja që akumulohen nga interneti e nga botimet, të gjtiha këto të disponueshme online. Dhe duke qenë mekanizmat matës në internet, do të jenë në dispozicionin e sekujt që don jo veç me bë matje, por edhe me i verifiku matjet e të tjerëve. Ndryshimet në kodin standard edhe janë të mundshme, por duhet të përkojnë me prirjet e përgjithshme të bashkësisë folëse, të mbështetura me matje këto.

Nga Gazmend Bërlajolli

Gjuhëtar i shkolluar në Angli. Merret me studime dhe përkthime letrare. Shkrun në standardin e vjetër t'Elbasanit dhe zotohet për një gjuhë kombëtare gjithëpërfshirëse për shqiptarët.