Kam punu…

Populli është kursimtar. I kursen edhe tingujt, fjalët e rregullat. Andaj gjuha evoluon natyrshëm kah trajtat sa ma të shkurta e të përafërta. Bie fjala, brezat e rij janë të prirë me thënë /kam punu:/ në vend se kam punuar, tue e hangër gati një rrokje që e shqiptojnë ma të vjetrit.

Punu, punue dhe punuar janë variante dialektore t’asaj që gjuhëtarët e qujnë pjesore e foljes. Varësisht se qysh përdoret, pjesorja mund të kryjë funksione të ndryshme.

Prej të folmeve të shqipes, gegnishtja e para ka nisë me i krasitë pjesoret. Gjon Buzuku dikur do shkrunte cam punuom. Pjetër Bogdani përdorte në fundshek. XVIII format si kam punuem. Më vonë, të folmet gege hoqën njiherë m-në e pastaj e-në. Disa shkrujnë punue, por nuk e shqiptojnë e-në e fundit.

Toskërishtja u tregu më konservatore. Ruajti trajtën kam punuar(ë). Ndërsa nuk kurseu tingujt, iu shmang megjithatë dallimeve mes pjesëve të ndryshme të ligjeratës: pjesorja punuar merr dhe sot të njëjtën mbaresë si mbiemri i/e punuar. Gegnishtja e ka humbë një ngjashmëri të tillë.

Por harmonia mes pjesores e mbiemrave nuk është arsye për t’i zgjedhë trajtat e gjata si standarde kombëtare. Forma e shkurtë ka disa përparësi të veçanta që tërheqin çdo ditë e ma shum shqipfolës, pa marrë parasysh se nga vijnë. Kur dikush përdor pjesoren e shkurtë punu(e), ai mund të thotë: punu (nga…), kam punu, për të punu, o pa punu. Mund të shtojë formën gege tu punu, ta toskëzojë duke punu, por edhe ta përgjithësojë si me punu.

N’anën tjetër, dialekti standard që kemi sot nuk ka trajtë të barazvlefshme me me punu. Por kjo formë është tejet e rëndësishme e aq më tepër kursyese. Quhet paskajore sepse përdorimi i saj është gati i pakufizuar. Nji fjalë e vetme – me punu – zëvendëson me dhjeta forma me përdorim të ngushtë (p.sh., për të punuar, të punoj, të punosh, të punojë, etj.).

Popullit natyrisht se i pëlqen të kursejë. Tu e përdorë paskajoren e tipit me punu, ai kursen tingujt por edhe i thjeshton rregullat. Andaj dhe nji drejtshkrim që denjësisht mund të quhet i njisuar duhet ta ketë këtë punë parasysh.

Këtu është fjala vetëm për foljet që në pjesore mbarojnë me –ue gegnisht dhe –uar në toskërishte. Ky është një grup i veçantë – me folje si punoj/me punu, vrapoj/me vrapu apo këndoj/me këndu – që zgjedhohen njëlloj. Edhe grupet tjera mund të përfitojnë nga shkurtimet e thjeshtimet: kam ardhur mund të bëhet kam ardhë dhe për të gjetur mund të bëhet për të gjetë.

punu

Se populli ka zgjedhë që në t’ardhmen të thotë vetëm /punu:/ nuk ka dyshim. Çka mbetet me shqyrtu tani është sesi me e shkru pjesoren e këtij grupit të foljeve. Ka dy kandidatë: punu dhe punue.

Gjuhtari Agim Morina sugjeron me i ra shkurt – me shkru. Edhe Gazmend Bërlajolli ven re se shqiptarët n’internet parapëlqejnë me shkru. Kjo trajtë fonetike përdoret shum ma shpesh sesa format tjera (që përfshijnë edhe sajesën përngjashmuese me punuar). Është e thjeshtë, por meqë në shqip ka disa fjalë që mbarojnë me -u, lexuesi duhet të jetë i kujdesshëm të mos ngatërrojë, p.sh., foljen me pakú dhe ndajfoljen së páku.

Që mos me e ngatërru rrokjen mbi të cilën duhet me vu theksin, mund të zgjedhim me shkrue, simbas traditës së shkrimtarëve gegë. Por ngaqë shqipfolësit kanë mësu shkrim-këndimin shqip me bindjen se gjithçka shqiptohet ashtu siç shkruhet, ajo trajtë nuk e gëzon prestigjin që e lyp gjuha e shkruar kombëtare. Lexuesit kanë zgjedhë ta shqiptojnë (qoftë dhe në mendjen e tyre) e-në fundore, tu e kriju përshtypjen e nji tingullimi të vjetruar që lidhet me të folmen e katundeve.

Me gjasë, brezat e ardhshëm, të zënë me punë, do shkrujnë shkurt: kam me punu. Por e-ja do mbetet në shum fjalë. Siç parashohin studiuesit Morina e Bërlajolli, atë nuk do e heqim nga emri punues. Do gjallnojë tutje edhe –uar e toskërishtes në mbiemrin i/e punuar.

Me një fjalë, asgjë s’do zhduket plotësisht. Por të folmet e shqipes do shkrihen natyrshëm dhe nga to do lindë një gjuhë vërtet kombëtare.

(plotësu 5.3.2016; përdit. 22.1.2020)

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.