«Kandidat apo kandidate»: dy fjalë për seksizmin në gjuhën shqipe

Mural feminist (Foto: Robin Javier, 2012)
Mural feminist (Foto: Robin Javier, 2012)

«“Mimoza, kandidat për kryetar” apo “Mimoza, kandi­date për krye­tare”? Si është mënyra e du­hur me u shkru shqip?» më pyetën.

Por ç’dome­thanë shqip ma së pari? Ka dy kup­time: (1) në gjuhën e shqip­ta­rëve; (2) kup­tue­shëm, troç. Tash, si kandi­dat edhe kandi­date janë në gjuhën e shqip­tarëve. Veç cila asht ma e kuptueshme?

Ma e kuptue­shme, dihet, asht gjuha e thjeshtë e popullit — ate që anglo­ameri­kanët e qujnë plain language. Me shkru në gjuhë të thjeshtë duhet me u shprehë sa ma shkurt, me i për­dorë fjalët ma të për­hapuna, dhe mos me shkru ashtu qysh s’kishe me thanë me gojë. Me fjalë tjera, duhet me komu­niku shkurt e shqip!

Simbas kësaj i bjen me thanë kështu: se­cili kan­didat, kandidati Filani, kan­di­datja Filanka, kandi­datët për krye­tarë të komu­nave. Se qështu thomë kur flasim. Pra, gjinia grama­tikore mash­ku­llore asht edhe gjinia e për­gjith­shme; kur për­doret në për­gjithsi e për­fshin fem­noren. Kurse trajta fem­nore për­doret vetëm kur sub­jekti asht femën, në rastin tonë për gra.

Qashtu flitet sod gjuha shqipe. Por mendoj se në t’ardh­men ka me qenë veç nji gjini grama­tikore, dhe s’kish qenë keq me i pri këtij zhvi­llimi, për­de­risa nuk bijmë në sy si teka­njozë. Populli asht i primë me i kursy fjalët dhe tin­gujt. Gjith­ashtu, nuk jepet me i dallu gjanat që nuk i vyn. Kur nesër gjinia e kan­di­datit të bahet krejt e pa­ran­dë­si­shme, e-ja në fund t’emnit kan­didat do jetë tep­ricë. (Madje veç ka nisë me u ba e te­përt. Sod shpesh po e ndijmë frazën «presi­dentja e parë grue». Kjo tre­gon se me thanë «presi­dentja e parë» sikur s’po mjaf­ton për me e tregu gjininë e per­sonit; mun­det me qenë e para krye­tare e nji shteti a organi­zate, jo veç e para grue n’at pozitë.)

Unë kisha me i shku­raju trajtat gjoja gjith­për­fshi­mëse si «kan­di­dati ose kan­di­datja» dhe «kandi­datët ose kandi­datet». Janë të tepër­ta, të panatyr­shme, dhe shpër­qen­d­ruese. Qashtu edhe kon­struktet me vizë­thyese si kandidat/e, që jo veç ta vrajnë synin, por s’din as qysh me i lexu. Kandi­datët për­fshijnë burrat dhe gratë njilloj. Këte e thotë madje Aka­de­mia Mbret­nore e Spa­njës në nji koment rreth seksizmit në gjuhën spa­njolle, që si shqipja ka gjinitë mash­kullore dhe femnore.

Qe, sod në ndër­tesë të gjy­katës, nji plakë m’u drejtu për ndihmë. E pyeta, «a ki avokat?» Nuk i thashë, «a ki avo­kat ose avo­kate?» Jo pse men­dova me i për­jashtu gratë, por thjesht i rashë trup. E këtu e zgjata tash, mirë­po me shkas!

Nji shoqni e hapun e demo­kra­tike e lufton sek­siz­min, dhe u jep mundësi grave shum ma shum se sa po u japim na sod. Por ajo shoqni kum­ton në gjuhë të thjeshtë të popullit. Kjo i bjen, me folë shkurt e shqip — ose edhe ma shkurt: shqip.

Foto: Një mural feminist në Amerikën Latine (Robin Javier, 2012)

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.