Me lu a mos me lu, kjo asht çështja

Vajza ime pesëvjeçare më thotë:
«Babi, eja të luajmë, të lutem!»
Kështu më thoshte djali para se të fillonte shkollën!
Tash thotë: «Babë, hajde me lu!»

E huazova këtë tekst — me pak ndërhyrje — nga një status i fejsbukut.

Në shikim të parë duket një vërejtje aq e thjeshtë, aq e vetëkuptueshme, sa — thotë njeriu — s’ia vlen as me debatu. Me thënë «me lu» asht aq e pagdhendur dhe aq e pashije përballë «të luajmë», sa edhe të shkruarit e këtij teksti në status bëhet me një dozë brenge dhe habie për atë se çfarë po ndodh me fëmijët, me gjuhën e tyre.

Pse fëmijët i mësojnë «mbrapsht» të gjitha ato që ne ua mësojmë «mbarë»? Pse edhe ata që mësojnë «drejt» e «pastër», dikur «shtrembërohen» dhe «përlyhen»? Çka po ndodh me gjuhën shqipe? Me ne si komb? A ka ilaç? A ka terapi që na shëron e na fut në shteg të drejtë apo si duket na paska marrë lumi, s’paskemi shpëtim!

Problemi asht që trajta «me lu» konsiderohet si «ma e fëlliqta» shkallë sepse para kësaj janë trajtat «ma të pastra» e «ma të durueshme»: «të luejmë», «të lujmë» apo edhe «me lujtë». Por «me lu» asht fundi i kusisë! Trajta ma e pagdhendur, ma katundare e mundshme që tregon menjëherë se prindët e fëmijës janë katundarë të rëndë, ma e mundshmja drenicakë. S’ka ku shkon ma katundarë!

Por problemi asht që gjuha si sistem ma shumë e don katundin. I don katundarët e rëndë! Dhe e don Drenicën. Sikurse bylbyli që ma shumë e don pyllin, dushkajën, luginën e thernajat sesa ndërtesat e betonit apo kafazin, qoftë edhe i artë.

Më pati thënë një herë një profesoreshë e jemja e nderuar nga Drenica, e cila në rininë e saj kishte bë përpjekje të çiltër për me ua mësu fëmijëve të saj të vogjël «gjuhën e unisuar letrare shqipe», tue qenë se vetë ishte arsimtare e gjuhës shqipe dhe atëherë ende ishte kohë e entuziazmit të pafund për «bashkimin e gjuhës» e me këtë edhe «bashkimin e kombit». Mirëpo, sapo fëmijët kishin dalë jashtë «me lu» dhe kishin nisë me folë me fëmijët e tjerë me atë gjuhë, ata ishin përqeshë e nënçmu tërë kohën sepse flisnin një gjuhë të pangjashme, të çoroditur për ta, me shumë -uar-a, me shumë -ur-a, me shumë -ja. Kur ktheheshin në shtëpi ata ankoheshin: «Nanë, fëmijët e tjerë po na përqeshin kur po flasim!» Dikur, profesoreshës teme iu kishte dashë me heqë dorë nga këto përpjekje e me i lënë fëmijët më folë ashtu qysh u vjen ma lehtë e ma mirë.

Me qenë mësues i shqipes nuk të ndihmon shumë me i mësu fëmijët me folë ma mirë se shokët dhe shoqet e tyre. Ashtu sikurse të qenit mjek nuk i imunizon fëmijët nga sëmundjet. Ndonjëherë asht edhe ma keq: fëmija i mjekut të stërkujdesshëm bëhet edhe ma i ekspozuar ndaj sëmundjeve, tue qenë se rritet ma i izoluar prej shokësh dhe ambientesh «të rrezikshme» nga kujdesi i tepërt i prindit mjek i cili din shumë për sëmundjet. Ky edhe bëhet burim i shumë alergjive. Një situatë e ngjashme ndodh me gjuhën. Me jetu don me thënë me qenë në një mjedis tue ndërvepru me agjentë të tjerë të mjedisit. Me folë nënkupton me qenë në ndërveprim të përhershëm me të tjerët.

Para se me hy në thelb të problemit du me bë një krahasim për me mujtë me kuptu natyrën e ndryshimeve në gjuhë, natyrën se si funkcionon si sistem. Le të supozojmë se prindi që flet për gjuhën e së bijës pesëvjeçare ka një raketë. Dhe po ashtu e bija e tij ka një raketë të veten. Të dyja raketat funkcionojnë mirë. Janë shumë të ngjashme. Por, kanë vetëm një dallim të vogël: raketa e prindit ka një sistem kompjuterik të viteve shtatëdhjetë që peshon rreth 50 kilogramë, ndërsa raketa e së bijës e konstruktuar së voni ka një sistem kompjuterik që peshon 50 gramë. Vetëm ky dallim krijon domosdo efekt dominoje në gjithë funkcionimin e raketës së prindit: harxhon ma shumë lëndë djegëse, ngadalëson shpejtësinë, zë ma shumë vend në kabinën e pilotit, asht ma i pasaktë dhe ma i pasigurtë, nxehet shpejt dhe kërkon mbushje të shpeshta të baterive, kryn vetëm disa funkcione bazike kompjuterike dhe kërkon angazhim të madh të pilotit për me punu me të etj.

Tashti, nëse do të pyetej se cilën raketë do ta kishte parapëlqy prindi i kësaj çupe, doemos, aj do të kishte thënë se sistemi kompjuterik i raketës të së bijës asht ma i mirë. Po për gjuhën e së bijës pse s’e thotë këtë?

Tash më duhet të shpjegohem.

Nuk asht gja e re me thënë se edhe gjuha asht sistem. Një sistem i gjallë, gjithmonë në veprim e sipër. Në gjithë historinë njerëzore janë bë shumë përpjekje me ndalë «prishjen» e «bastardimin» e gjuhës. Ky ka qenë ndoshta një nga keqkuptimet ma të mëdha rreth gjuhës në historinë njerëzore. Gjuha nuk bastardohet e nuk prishet asnjëherë.

Me kërku «pastërtinë» e gjuhës asht si me kërku «pastërtinë» e gjeneve. Nga kjo pikëpamje familja ma e «pastër» gjenetikisht kish me qenë familja ku anëtarët e saj kishin me u martu tanë kohën mes vete. Por a kishte me qenë kjo edhe familja ma e shëndetshme? Statistikat tregojnë se familjet me ma së shumti fëmijë me sëmundje të rënda gjentike janë familjet me origjinë pakistaneze në Britani. Pse? Sepse te ata asht e lejueshme martesa me të afërm, me kushërij të parë.

Edhe gjuhët, sikurse të gjitha qeniet e gjalla, janë rezultat i përzirjeve, trazimeve e kombinimeve të ndryshme. Sikurse organizmat e gjallë edhe gjuha ka një sistem vetërregullues: ushqehet me gjithçka, por kjo nuk don me thënë se gjithçka mban në trupin e saj. Nga jashtë, natyrisht, duket sikur gjuha asht kaotike, pa një lidhje, pa një sistem.

Mendoj se kështu duket për shkak të mosnjohjes së problemeve. Lashtogrekët mendonin se rrufeja asht armë e Zeusit. Tash e dijmë se rrufeja asht ngarkesë elektrike dhe e kemi të instaluar në çdo shtëpi. Kështu duket edhe gjuha: armë e ndonjë mbiqenieje që vepron verbtazi, jashtë kontrollit tonë. Megjithatë, as gjuha nuk vepron verbtazi. Ndërdija jonë ka një kontroll për të cilin nuk jemi të ndërgjegjshëm.

Pra, ku mbeti «me lu»?

Po, tash po kthehemi te folja «me lu», për me tregu se mbrenda sistemit egzistojnë arsye të forta pse ndodh me u paraqitë trajta «me lu» por jo, fjala vjen, «me pu» (për «me punu»).

Sipas fjalorit të vitit 1980 gjuha shqipe ka rreth 3.750 folje. Nga këto 98,5 për qind e foljeve janë folje të rregullta dhe vetëm 1,5 për qind e foljeve janë të parregullta. (Kjo asht një statistikë sipas një klasifikimi që e kam bë unë.) Folje e rregullt don me thanë folje që gjatë zgjedhimit ndjek një model të njëjtë zgjedhimi me shumë folje të tjera. Për pasojë folje e parregullt quhet folja që nuk ka folje tjetër që e ndjek atë model ose, nëse ka, ato janë shumë pak.

Grupin ma të madh të foljeve të rregullta në gjuhën shqipe e përbëjnë foljet që ndjekin modelin e foljes «punoj». Pra, në këtë model hyjnë rreth 57 për qind e foljeve shqipe, rreth dy mijë prej tyne si: mendoj, kërkoj, shikoj, ndëgjoj, harroj, telefonoj etj. Ndërsa një folje e parregullt asht folja «vij», e cila në thjeshtore bëhet «erdha», ndërsa në pjesore del «ardhë»! Nuk ka ndonjë folje tjetër që ka këtë model zgjedhimi. Kështu mujmë me thënë që sistemi funkcionon si i rregullt për 98.5 për qind të foljeve simbas disa formulave të thjeshta.

Por te 1.5 për qind e foljeve sistemi ndërlikohet dhjetëfish. Ka edhe aty njëfarë rendi e sistemi, por me modele të kombinuara ose krejt njënike. Në këtë grumbull modelesh bën pjesë edhe një grupth në të cilin bën pjesë folja «luj» (luej, luaj). Sipas këtij modeli dalin shtatë folje. E ato janë: quj (quaj), ruj (ruaj), pruj (pruaj), gjuj (gjuaj), druj (druaj) dhe vuj (vuaj); ndërsa foljet «huaj» e «tëhuaj» janë ardhje të reja dhe nuk shqyrtohen këtu. Ky grupth del me paradigma të kombinuara. Në tashmore dalin me paradigma sikurse foljet «shkruaj-shkrova-shkruar», por në thjeshtore dhe pjesore dalin si foljet e paradigmës së tipit «mbaj-mbajta-mbajtur». Duke qenë kryqëzim dy paradigmash foljesh të rregullta ato mbeten të pakta në numër. Si të tilla janë folje të parregullta. Ka mundësi me u qujtë edhe folje gjysëm të rregullta, varësisht prej asaj se ku kishim dashë me i klasifiku ato.

Gjuha gjatë zhvillimit të vet, kohë mbas kohe, gjithmonë bën dyndje prej grupesh të vogla në grupe të mëdha. Ende nuk asht shpjegu deri në fund pse ndodhin këto dyndje e këto ndryshime. Por arsyeja pse egzistojnë paradigmat e foljeve asht ekonomizimi (Carstairs-McCarthy).

Asht vërtetu që përgjithësisht foljet e parregullta janë folje që përdoren shumë dendur. Kjo denduri përdorimi bën që paradigmat e tyre të mbahen në mend ma lehtë prej folësve dhe të ndryshohen ma vështirë. Foljet me përdorim të rrallë i nënshtrohen shumë ma shpejt ndryshimit dhe shkrihen në paradigma të foljeve të rregullta. Fjala vjen folja «thyej-theva-thyer» në tashmore, në përdorim të gjallë në gegnishte, gjithnjë e ma shumë përdoret si «thej-theva-thy». Edhe këtu vepron presioni paradigmatik dhe i ekonomizimit nga e cila folja «thyej» dalngadalë po kalon nga një grup i vogël prej 11 foljesh në një grup ma të madh të paradigmës «shërbej-shërbeva-shërby(er)». Folja «dru(a)j» ka një paradigmë të ngjashme me foljen «du(a)-desha-dash/ë(ur)», pra, del si «dru(a)j-drashta-drashtë» por edhe «dru(aj)-dru(a)jta-dru(a)jt/ë(ur)». Ndonjëherë kemi luhatje të foljes «shkruaj» në tosknishte si «shkruaj-shkrojta-shkrojtur» që lëkundet kah shndërrimi në «shkroj-shkrojta-shkrojtur» por i kemi mjaft të stabilizuara trajtat «shkruaj-shkrova-shkruar», që në një të ardhme mujnë me u shkri në klasën ma të madhe të foljeve e me u bë «shkroj-shkrova-shkruar» (si folja «punoj»).

Qysh shihet në gjuhë egziston sistemi që vepron përmbrenda, i shtytur gjithmonë nga presioni paradigmatik dhe ekonomizimi. Tashti po këta faktorë veprojnë edhe në grupthin për të cilin po bëjmë fjalë. Ajo çfarë po ndodh aty asht që tue qenë se janë vetëm shtatë folje ato janë vazhdimisht nën presionin e madh me kalu në një paradigmë ma të madhe foljore. Natyrisht, drejtimi kah do të bëhet kjo dyndje asht gjithmonë kah ato folje që janë ma të afërta për nga paradigma. Kështu «lu(a)j-lu(a)jta-lu(a)jt/ë(ur)» asht ma së afërmi me foljet e grupit «shkruj-shkrova/shkrujta-shkru» ku tashma gjithashtu egziston një luhajtje. Prandej kemi shfaqjen — përveç të trajtës së pritur «lujta» — gjithnjë e ma të shpeshtë edhe të trajtës në thjeshtore «luva» që asht pasojë e pasigurisë dhe e një ndërkohe të dyndjes kur kjo folje kërkon stabilizim në një paradigmë ma të madhe. Kështu në një paradigmë ma të rregullt folja shkon kah kalimi në «luj-luva-lu» apo «luj-lujta-lujtë». Kjo asht arsyeja kryesore pse ndodh kjo në gojën e folësve dhe fëmijët janë të parët — në çdo gjuhë — që rregullsojnë trajtat e parregullta. Kështu ndodh edhe në anglishte me foljet e parregullta «buy-bought», swim-swum», të cilat te fëmijët kthehen e përdoren shpesh si folje të rregullta «buy-buyed» e «swim-swimed».

Një zhvillim i njëjtë nga ky grupth i foljeve ndodh edhe me foljen «gju(a)j» që del «gjuj-gjuva-gju» apo «gjuj-gjujta-gjujtë», «ru(a)j» si «ruva» e «rujta» e «me ru» e «me rujtë», Kemi edhe mëzina të foljes «vu(a)j» që del «vuva» e «vujta» por nuk më ka ra me ndëgju trajtën në pjesore «(me) vu». Ashtu si edhe me foljen qu(a)j» që del edhe «quva» e «qujta» por jo edhe «(me) qu». (Si duket këtu pengesë janë foljet e përdoruna dendun «vë», «çoj» e «qoj» që në pjesore dalin si «(me) vu», «me çu» e «me qu».)

Prandej, përpara se me pa ndonjë «gabim» te fëmijët, në të vërtetë, te ata duhet me pa pikërisht mjeshtrinë e rishikimit të rregullave të gjuhës, të një gjuhe që ata kanë me e përdorë gjatë gjithë jetës. Procesori i trurit kërkon gjithmonë rrugë ma të thjeshta për zgjidhjen e problemeve. As fëmijët nuk i dijnë arsyet e vërteta se pse e bëjnë atë që e bëjnë, por truri i tyne, pandërgjegjshëm, funkcionon në atë mënyrë që t’ua bëjë ma të lehtë përdorimin e gjuhës. Në një mënyrë të njëjtë kjo ndodh edhe në krahinat e katundet e izoluara, aty ku gjuha asht e lirë dhe pa «pengesat» e rregullave të fiksuara të «kafazeve të arta» të qujtura gramatika.


Shih edhe:

Nga

Agim Morina

Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.

Le përgjigje