Ta krasitim gjuhën: të shkurtojmë ë-ja!

Dallas, Texas — Sado t’ju pëlqejë me shkrue e me lexue shqip, vështirë asht mos me u ngatrrue me shkronjën ë. Llafi rreth gjuhës së shkrueme asht punë e ndijshme e njerzit preken, patën apo s’patën të drejtë. Por sa i përket ë-së, pakkush mundet me thanë se asht punë e koklavitun me ditë ku me përdorë. As ata që pajtohen me ndonji reformë nuk janë të paktë, por deri tash asnji ndryshim me vend nuk e ka pa dritën.

Nuk due me thanë se nuk na pëlqen ë-ja. Si shqipja asnji gjuhë nuk e përdorë. Asht si buzkuq për gjuhën tonë; e zbukuron ate. Por me ba me vu shum, ia prishë hijeshinë cilësdo motër shqiptare—si gegës zeshkane, që mundet me ma pak, ashtu edhe toskës bardhoke, së cilës çehrja ia lypë ma shum. (Standardi fatkeqisht a le i thijun.) Mirpo nuk asht veç dukja në pyetje; teprimi i ë-së ka të bajë edhe me vetë shëndetit e shqipes. Prandej, ta menjanojmë aty ku s’na vyen ose t’ia gjejmë qaren diqysh.

§ 1. Ë-ja e pashqiptueme

(a) Ë-ja e patheksueme mund të hiqet n’ato raste ku:

(1) nuk e damton normën standarde ose ndonjanin prej dialekteve kryesore; dhe

(2) nuk shqiptohet ose nuk e ndryshon shqiptimin e fjalës (luen vetëm rol morfologjik/etimologjik) dhe nuk menjanon dykumptimsi të randa.

(b) Rastet nën (a) mund të përfshijnë ë-në e pashqiptueme në:

(1) fund të shumësit të emnave, si p.sh.:

– (nji) shqiptar/(shum) shqiptarë > (nji)/(shum) shqiptar (por: shqiptarët)
– (nji) fjalor/(shum) fjalorë > (nji)/(shum) fjalor (por: fjalorët)

(Shih trajtat: lexues i dashtun/lexues të dashtun, (nji) mësues/(shum) mësues, etj.)

(2) në mes të fjalëve të përbame kur nuk asht pjesë e rrajës, si p.sh.:

– miqësi > miqsi: miq + si
– kombësi > kombsi: komb + si
– kombëtar > kombtar: komb + tar
– dykuptimësi > dykuptimsi: dy + kuptim + si

(3) në fjalë të përbame kur paraprihet dhe pasohet nga nji bashkëtingëllore, si p.sh.:

– udhëtoj > udhtoj: udhët + oj
– udhëtar > udhtar: udhë + tar
– gjuhësi > gjuhsi: gjuhë + si
– gjuhëtar > gjuhtar: gjuhë + tar
– shqetësim > shqetsim: shqetë + si + m

(4) në fund të fjalëve ku gabimisht shenjon zgjatjen e zanores paraprake, si p.sh.:

– shumë > shum (për dallim nga shumë/shuma)
– tregomë > tregom

(5) në fund të fjalëve ku nuk ka kurrfarë roli në të folmen e sotshme, si p.sh.:

është > ësht (përfundimisht asht, shih § 2(a)(3))

(6) në pjesëza para fjalëve që fillojnë me zanore, si p.sh.:

– në Amerikë > n’Amerikë
– të Amerikës > t’Amerikës
– të adhuroj > t’adhuroj

(c) Ë-ja e pashqiptueme mund të ruhet në rastet ku:

(1) shqiptohet ose ndryshon shqiptimin për nji pjesë të konsiderueshme të shqipfolësve;

(2) qartëson dykuptimsi jo lehtë të dallueshme (p.sh. kur/kurë, vet/vetë ?);

(3) asht zanorja e parë e nji fjale nji rrokëshe (p.sh. këtu, këto, etj.); ose

(4) ndanë nji varg prej tri a ma shum bashkëtingëllores (p.sh., drejtësi), por jo kur rraja e fjalës nuk përfundon me ë (p.sh. kombtar).

§ 2. Ë-ja e shqiptueme

(a) Ë-ja e shqiptueme mund të zavendsohet me ndonji zanore alternative në këto raste:

(1) kur zanorja alternative pasqyron ma mirë primjet e përgjithshme në të folun, si p.sh.:

– (shum) studentë > (shum) studenta
– (shum) klientë > (shum) klienta

(2) kur zanorja alternatike (e) e dallon ma mirë ë-në e shqiptueme por të patheksueme nga ajo gjysmake ose e pashqiptueme, si p.sh.:

– më [datë, vend] > me (për dallim nga më [foli mua])
– shënim > shenim
– shëtit > shetit
– mënjanoj > menjanoj
– dënoj > denoj

Por: këndoj, lëndoj, gëzoj etj. (Të diskutueshme: për > per; kërkesë > kerkesë; vjetër > vjeter; etj.)

(3) kur ë-ja e theksueme asht e prejardhun prej trajtës hundore të zanores alternative, si p.sh.:

– është/ësht (shih §1(b)(5)) > asht (geg. âsht)
– zë > za (geg. )
– bëj > baj (geg. bâj)
– zë > ze (geg. , por edhe tosk.)
– trashëgim > trashigim (geg. trashîgim); ose

(4) kur zanorja alternative gëzon përdorim të konsiderueshëm ndër shqipfolës, si p.sh.:

– një > nji
– dëftoj > diftoj

(E diskutueshme: dëgjoj > (n)digjoj (n-ja asht menjanue pa ndonji arsye në standard))

(b) Ë-ja e shqiptueme mund të ruhet në rastet kur zanorja alternative:

(1) asht trajtë e lashtë (arkaike) (p.sh. mëshirë e jo “mishirë”; dëshirë e jo “dishir”)

(2) gëzon përdorim të ngushtë krahinor (p.sh. këto e jo “kito”; mëshirë e jo “mishirë”)

(3) ka etimologji të dyshimtë (p.sh. pëlqen e jo “pilqen”, dëshirë e jo “dishir”), ose

(4) krijon dykuptimsi e çrregullime të panevojshme (p.sh. e jo “qi”).

(c) Për ta mundsue zavendsimin e ë-së së theksueme siç parashihet nën (a), mund të lejohet përdorimi i trajtave pa rotacizëm (p.sh. i/e bamë, zani etj.).

(d) Në rastet ku zavendsimi kërkon mospërdorimin e trajtave pa rotacizëm si nën (c), atëherë mund të ruhen edhe trajtat e tashme të standardit, pa e menjanue ë-në (p.sh. i/e bërë, zëri etj.)

(e) Çfarëdo ndryshimi nën (c) nuk ka nevojë të prekë ato trajta ku nuk asht i nevojshëm menjanimi i ë-së, përveç nëse parashihet ndryshe për qëllime tjera.

Shqyrtime politike

Këtu nuk po flas për politikën (politics), por për politika (policy). Edhe pse përdora fjalët e anglishtes për t’ofrue shpjegim, shqetsimi im ka parasysh veç gjuhën shqipe dhe shqipfolësit amtarë. Me i ra trup, kujtoj se menjanimi i ë-së prej shum rasteve ku përdoret tash simbas standardit iu mundson shqiptarve me nxanë e me përdorë ma lehtë gjuhën e tyne të shkrueme. Kjo asht sidomos e vërtetë sa i përket ë-së së pashqiptueme (shih § 1).

Megjithate, unë kam marrë parasysh edhe mungesën e gjithpërfshimjes së të folmeve në standardin e ’72-ës dhe jam mundue me hapë përbamjen tingullore (fonetike) të shqipes së shkrueme. Prandej, kam sugjerue që ë-ja e shqiptueme me u zavendsue prej disa zanoreve tjera (shih § 2).

Nëse zbatohen ndryshimet e parahedhuna në nenin 2, atëherë kishte me u hapë rruga për thithjen e arealit gegë në gjuhën standarde, por pa paragjykime ndaj trajtave toske që janë me të drejtë në standard. Për shembull, në rastin e foljes me ba, mund të përdoret si trajta gege bana, ashtu edhe trajta toske bëra. Trajta e së tashmes, po baj, në shqiptim mund të paraqes lirisht edhe boj (bâj) edhe bëj, ndërsa grafikisht asht e ndërmjetme.

Me ndryshime tjera, standardi mund të përfitojë edhe ma shum prej gegnitshes, por pa i humbë tiparet toske. P.sh., përdoret edhe paskajorja (me ba, me zanë, me punue, etj.), nuk ka nevojë që trajta tjera (si p.sh. dua, i/e punuar, etj.) me u zavendsue me trajta ma pak të pëlqyeshme ose gjysmake të gegnishtes (tue qenë se gegnisht shkruhet due dhe punue(m), por thuhet dhepunú(m)).

Norma që kam ndjekë për me shkrue kët artikull nuk asht rezultati që due me përftue përmes nji parahedhjeje për reformimin e standardit. Kam shkrue kështu ma tepër sa me ilustrue se si do të dukej shqipja me ma pak ë-ja, tue përdorë gegnishten, që ka nji histori të shkrueme (dhe ate me ma pak ë-ja), e jo ndonji standard idiosinkratik që s’e ka miratue kush pos meje. Nuk duhet harrue se dikur gegnishtja vetë kishte shum ma shum ë-ja nga ç’ka toskënishtja sod. Njiherit, standardi i sodit përdorë ma shum ë-ja se që janë të nevojshme për cilindo nga dialektet kryesore.

Vërejtje: Ju lutem njoftomni nëse ndonji prej propozimeve ju shkakton aso vështirsish në të folmen tuej saqë do t’ishte e padrejtë e arbitrare me u përfshi në ndonji reformë të gjuhës së shkrueme.

Botu fillimisht në bllog vetjak, më 7 tetor 2011

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.