Porti i Prevezës (Harry Gouvas, 2009, CC BY-SA 3.0)

Shqipe, o ashtë!

Ti kapton kufirin me Greqinë, futesh thellë gjer aty nga Preveza, dhe plot vendas ta kthejnë në shqip. E flasin shqipen ujë apo, siç thonë ata, flasin «shkipë» dhe ti i kupton fare mirë edhe pa qenë gjuhëtar.

Veçse kur i pyet «shqiptar je?», stepen e të thonë me murmurimë: «jo, e kam mësuar!».

Ndala njerën syresh që m’u gjegj kësisoj (e madje më tha se edhe «biltë e saj fjasën shkipë gjithë»), dhe i kallxova buzagaz:

«Nëno, dëgjo! Unë jam gjuhëtare. Ti flet me fjalë të vjetra tonat, të cilat tash s’ke nga t’i mësosh. Ti thua: biltë për bijtë, mblidhur për mbyllur, mënoj për vonohem, cinxëra për gjinkalla, naní për tani, shkipët për shqip, gluha për gjuha – thua plot kësi fjalësh tona të vjetra. Ti shqipen e ke gjuhën tënde amtare të trashëguar, nëno! Ti je bilë e shqipes!» Qeshi dhe më ra shpatullave.

Dy ndjesi provova n’atë çast. E para, e hidhur: nacionalizëm grek, ç’dreq trysnie ke ushtru kaq fort mbi njerëzit e mi në viset e veta sa druhen të më thonë ç’janë?! E dyta ndjesi, e bukur, shumë e bukur, e shoi shpejt idhtinë e së parës: më gjegjen shqip pas kaq e kaq kohësh, pa asnjë zor, flasin rrjedhshëm me mua, dhe shqipja aty nuk është veç gjuhë pleqsh. E flasin bijtë. E tani që Shqipërisë i ka rënë shtetrrethimi, e flasin mes tyre dhe mes tonë, e flasin edhe me ne!

Shqipe, o gjuhë prej ashte të fortë! Mrekullia e vitalitetit tënd vijon të më mrekullojë! Zana ime e bukur!

Pamje: Porti i Prevezës (Harry Gouvas, 2009, CC BY-SA 3.0)

Nga

Ledi Shamku

Ledi Shamku

Gjuhëtare, poete, pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Le përgjigje