Letër e Kadaresë Presidentit George H.W. Bush

Qe letra që shkrimtari ynë Ismail Kadare i dërgoi kryetarit të Shteteve të Bashkuara, George H.W. Bush, më 1991:

Zoti President,

Dy vjet më parë, më 1989, kur, jo vetëm në vendin tim, por në gjithë perandorinë e Lindjes, diktatura komuniste ishte ende në këmbë, me mikun tim, laureatin e çmimit “Nobel” të paqes, Elia Weisel, ju kam dërfuar një letër. Në atë kohë, për një letër si ajo, në Shqipërinë komuniste dënoheshe me vdekje, megjithatë unë e ndjeva për detyrë t’u drejtohesha Juve, presidentit të shtëtit më të fuqishëm demokratik të botës, për t’ju kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar për qëndrimin armiqësor që mbante qeveria komuniste shqiptare ndaj SHBA-se. Ju shkruaja, midis të tjerash, në atë letër, se populli shqiptar, në kundërshtim me sunduesit komunistë, kishte ndjenja të thella mirënjohjeje për SHBA-në, dhe ju lutesha Juve, që, pa ua vënë veshin fyerjeve të Tiranës, të vazhdonit të ndihmonit këtë popull martir, si atë që vuante brenda, kufijve të shtetit, si gjysmën tjetër të tij që vuante në Jugosllavi.

Dhe ja, pa u mbushur dy vjet, në mardhënëniet amerikano-shqiptare ndodhi e pabesushmja. Kur sekretari i shtetit Baker u prit në mënyrë madhështore në Tiranë, isha i lumtur të vërtetoheshin si fantazi shkrimtari, se SHBA-ja do të ketë te populli shqiptar një nga ato lidhje të mbrapshta në të cilat i çuan komunistët, janë sot më të etur se kurrë për miqësi të vërtetë.

Zoti President, sot kur një pjesë e botës, e sidomos ajo pjesë që posa është shkëputur nga e kaluara komuniste, po përpëlitet e s’gjen për rregullimin e saj. Në këtë kahje, jo vetëm si shkrimtar e qytetar shqiptar, por edhe si njeri që dëshiron një botë më të përkryer, ju drejtohem Juve, burri të shtetit me të cilin e ardhmja e botës ka një lidhje të drejtëpërdrejtë.

Për shumë dekada, një pjesë e botës në aksionet e saj politike e diplomatike, përballë problemeve të mëdha, ka qenë shpeshherë e paralizuar prej dogmave dhe tabuve. Në emër të një stabiliteti e qetësie false këto dogma shpalleshin të shenjta e të pandryshueshme, paçka se kombe e popuj të tërë, të rrëzuar prej fatit njëlloj si titanët e dikurshëm, vuanin e rënkonin prej tyre. Tani është e qartë për cilindo se ajo qetësi dhe stabilitet që përligjej nga formuluat gjoja të shenjta, nuk ka qenë veç një harmoni e gënjeshtërt. Nuk do të zgjatem për gjëra që Ju i dini më mirë se kushdo dhe prej të cilave jeni shqetësuara si jeten tuaj, Zoti President, për popullin me fatin më tragjik të krejt kontinentit europian: shqiptarët.

Ky është i vetmi popull në historinë e Europës që, pas dy mijë vjetëve jetë, u nda më dysh që në fillim të shekullit të XX prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy diktaturave më të egra që ka njohur bota: diktaturës se komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë.

Ky gjymtim e kjo shtypje dyfishe e ka lodhur dhe e ka dëmtuar rëndë këtë komb. Tani, gjysma e tij, ajo që jeton brenda kufijve të shtetit shqiptar, është duke e fituar më në fund lirinë. Por gjysma tjetër, ajo që ende ndodhet nën komunistët serbë, është në zi dhe në mjerim.

Zoti President i SHBA-së! Mendoj se është e palejushme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë e të jetë I dënuar kështu. Dhurata që iu bë terroristëve serbë që vran më 1914, ne Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke u dhënë si shpërblim gjysmën e Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit,

Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çliroj veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë.

Kur ju shkruaj këto fjalë, unë nuk mendoj kurrë që paqja dhe mirëkuptimi i sotëm, i arritur me aq mundime, të rrezikohen për shkak të shtiptarëve. As nuk parashtroj kërkesa për veprime të ngutshme, brutale ose sensacionale. Ajo që dëshiroj të shtroj para jush është kërkesa për një ndryshim parimor në qëndrimin ndaj popullit shqiptar. Në mbarim të këtij shekulli, përpara shqiptarëve po ngrihet shansi historik, shansi që të korrigjohet faji që u bë ndaj tyre në fillim të shekullit.

A do të pranohet prej botës së sotme të qytetruar e drejta e këtij populli që të jetojë bashkë, në të njëjtën shtëpi, si të gjithë kombet, apo do t’i mohohet kjo e drejtë në emer të tabuve ose të gjumit të qetë të dikujt?

Në qoftë se në vizionin e Europës së nesërme pranohet kjo ide, mendoj se edhe mjetet demokratike për zgjedhjen e saj në mënyrë paqësore, diplomatike, njerëzore, pa dhimbje e gjak për kurrkënd, mund të gjenden. E tmerrshme është se gjer më sot kjo ide nuk është pranuar. Por në kohën tonë, në kohën e triumfit të të drejtave të njeriut, triumf në të cilin SHBA-ja ka një vend nderi, të mos pranosh një ide të tillë, do të thotë të pajtohesh me të kundërtën. Të pajtohesh me një nga tragjetitë më të rënda të kohës.

Me një krim të tillë në ndërgjegje, bota e lire s’mund të flejë e qetë. Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër më një gjë të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë një thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgaditet kundër tyre.

Shpresoj, Zoti President i SHBA-së, se ju do të bëni gjithçka për të ndaluar këtë krim të paralajmëruar tashmë nga shumë drejtime.

Duke ju falënderuar edhe një herë. Ju personalisht dhe shtetin tuaj të madh për vëmendjen ndaj popullit tim, shpresoj, Zoti President, interesoheni për fatin e popullit tim martir.

Pranoni, Zoti President, shprehjen e respetit tim më të thellë.

Ismail Kadare

Paris, 11 shtator 1991

Nga Plisi

Themelu më 28 nëntor 2012, Plisi është sajt për qytetari dhe shqiptari.