Mehdi bej Frashëri, udhëheqësi liberal i Shqipërisë

Qe nji video e rrallë e kryetarit të shtetit shqiptar, Mehdi bej Frashërit, më 1944. Mehdiu ishte pinjoll i degës së Velibejllive të Frashërit dhe nji figurë tejet e respektueme në Shqipni.

Për shkak të veprimtarisë së tij për të drejtat kombtare gjat sundimit osman, regjimi i atëhershëm e përndoqi dhe burgoi disa herë. Pasi shërbeu në poste të ndryshme në vitet e para të pamvarsisë, Mehdi Frashëri udhëhoqi gjatë viteve ’30 nji qeveri liberale, por ajo nuk pati jetë të gjatë.

Kur Italia po bahej gati me pushtue Shqipninë në prillin e 1939-ës, Mehdi Frashëri u ba kundërshtari ma i zashëm i Musolinit. Mehdi beu dha kushtrimin për mbrojtjen e vendit me fjalime të zjarrta në Radio Tirana, ndërsa vijoi përpjekjet kundër fashizmit edhe mbas pushtimit. Më 1942, nji këshill antifashist e emnoi ate kryetar nderi, gja që historianët komunistë e mohuen.

Mbasi kapitulloi Italia në verën e 1943-ës, Frashëri punoi me ringritë shtetin shqiptar. U zgjodh kryetar i Këshillit të Naltë të Regjencës, organit katërantarësh që zavendësonte Mbretin Zog, dhe për pak muej shërbeu edhe si kryeministër. Përkundër pranisë së trupave gjermane në Shqipni, z. Frashëri nuk bashkëpunoi në plotni me nazistët. Ai ndihmoi me i shpëtue refugjatët jahudij që gjetën strehim në Shqipni, dhe u përpoq vijimisht — ndonse s’ia doli mbanë — për pajtim kombtar dhe lidhje me Aleatët.

Mehdi Frashëri ruejti ligjnisht pamvarsinë dhe asnjanësinë e vendit në Luftën e Dytë Botnore, ndërkohë që luftoi kundër partizanëve të Titos që përpiqeshin me pushtue Dardaninë. Kur komunistët projugosllavë e udhëhequn nga Enver Hoxha morën me forcë pushtetin në nandor 1944, udhëheqësi liberal i Shqipnisë u detyrue të largohej nga dheu i tij.

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avokat prej Prishtine të Dardanisë. Banon në Teksas, por s'ka allti të veten. Shkrun për shqiptarët, gjuhën, historinë, e politikën. Lexon çkamos. Ndihmon me mirëmbajtë sajtin për shqiptari, Plisi.org.

Le përgjigje