Albin Kurti në protestë në pikë të dimnit 2013 (Foto: Agron Beqiri, CC-BY-SA-3.0)

Albanija e Albinit dhe Shqipërija e Shqipëtarëvet

Mos kandidati për kryeministër të Kosovës don me e ndërru edhe kushtetutën e Shqipnisë që s’lejon referendum për «[ç]ështjet që lidhen me tërësinë territoriale»?

Udhëheqësi ma i votuem në Dardani po e njajtëson bashkimin kombtar me referendumin. I emnuemi i Vetëvendosjes për kreun e qeverisë, Albin Kurti, paska thanë rishtazi:

Ajo çfarë do të bëjmë në qeverinë e LV, është që t’i japim popullit të Kosovës të drejtën e referendumit, të cilën sot nuk e ka. E drejta për referendum është një ndër themelet e të qenit sovran. E pastaj, kur të jetë e drejta për referendum, populli i Kosovës le të flasë vetë, kur të jetë momenti.

Veç e ka gabim. Populli sovran mundet me marrë çfarëdo vendimi që t’e shohë të vyeshme. Por nuk mundet me e shu sovranitetin e vet e as me ia mohu dikujt të drejtat themelore. E kjo i bjen që s’mundet as me kriju komb ose me e zhba shtetin me referendum.

Kombin shqiptar dhe shtetin e Dardanisë i kemi farkëtu mbi disa të dhana natyrore e historike që nuk lëkunden leht. Na edhe me dashtë, nuk mujmë me i ndërru. (Prandej e drejta e vetëvendosjes, që s’due me e qëmtu fort këtu, din me qenë e paqartë se kujt dhe në ç’kushte i takon. S’mjafton veç me pasë vullnet e me u thirrë në parime shpresuese, pa i qitë në vijë edhe do rende që shihen.)

Na s’kemi udhë tjetër pos me vepru drejt, simbas kushteve natyrore dhe historike. Me punu dhe me e ndërtu ma tutje shtetin e Dardanisë, dhe njiherësh me u ndërgjegjsu se jemi pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe me i trashë lidhjet me shtetet e bashkësitë tjera shqiptare. Për asnjanin prej këtyne qëllimeve nuk na vyn referendumi.

Me lypë referendum domethanë me u marrë me trajtën, jo me përmbajtjen. Edhe me e ndërru Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 2008-s — tue ia shkulë nenin namkeq 1.3, që s’na len me u bashku me shtet tjetër — na s’bajmë kurrgja për bashkimin kombtar. Qebesa, na mujmë me prishë punë ashtu.

Se çka si të dalim në votime? Qe, po e shkrikemi shtetin e Dardanisë në Republikën e Shqipërisë. Ose po e krijokemi gjoja nji entitet të ri politik me çfarëdo emni. Na lumtë! Por ç’po bajmë me sendet e prekshme që s’i kemi krahu tash e sa vjet e që as dhe nji udhëheqës atdhetar si Albin Kurti nuk duket se din qysh me i ftillu? Kurrgja fare!

Ku po na mbetet ma së pari nji institut hulumtues ose nji studim i mirëfilltë akademik për bashkimin kombtar? Ku po na mbet madje vetë përkufizimi i «bashkimit kombëtar»? A e kemi njisu gjuhën përtej rrenave të gjuhtarëve komunista? A kemi ba gja për arsimin përveç nji abetareje sapërsyefaqe? Provimin e përbashkët pranues për universitetet, e bamë dot? A u mundu kush me e përshkëlli ndërgjegjen qytetare deri n’at pikë sa 2 korriku 1990 me zgju kujtime krejt të ndryshme në Prishtinë e Tiranë? Ç’po ngjet me kulturën e sportin? Po me tregtinë e lirë? Po me ngrehimet e përbashkëta e bashkëpunimin ndërqeveritar? Mos po ngritet dot sa për fillim nji shoqatë mbarëkombtare që qet diçka në dritë në cilëndo fushë, për me pa se qysh mujmë me punu na tok pastaj në të gjitha rrafshet madhore? Dhe ma e randësishmja, tek ua ngojmë tekat disave për shtet të veçnjashëm në vend të nji besëlidhjeje shtetesh, a po i ndërton kush kapacitetet e Tiranës për me e përbi mbrenda natës nji kafshatë sa gjysma e trupit të vet?

Përgjigja asht jo. Dhe Albin Kurti e askush tjetër s’po del me folë për këto sende. Se këto janë përmbajtja. Për to duhet me shkri mend. Kurse trajta s’lyp pikë ndjerse. Mjafton me e çelë gojën dhe me u anku.

Kushedi ku kishim me qenë, por i hueji na ka mbajtë nën zgjedhë e na ka shtypë, të thonë popullistat si puna e gjasshëm-kryeministër Kurtit. Të huejt dhe argatët e tyne vendorë na e kanë ndalu edhe referendumin dhe na e kanë mponu paragrafin e mosbashkimit në Dardani. Por s’e dij Shqipnisë Londinare kush ia detyroi nenin 151 të kushtetutës që s’lejon referendum për «[ç]ështjet që lidhen me tërësinë territoriale». Mos edhe këte e ka shkru ish-kryetari suomian Martti Ahtisaari dhe e ka përbi me shërbylizëm nji vasal si president Hashim Thaçi?

Prijësi i urtë i Juesejit Abraham Lincolni pat thanë njiherë se kush don me u ngritë duhet «me e përmirsu veten në çdo mënyrë që mundet, pa dyshu kurrë se dikush don me e pengu». Edhe neve, s’guxon me na shku mendja se miqt tanë janë kundër bashkimit tonë, ose se nji formalitet si referendumi po na pengon me e gëzu njajshmëninë e kombit. Na thjesht duhet me e ndjekë këshillën e Lincolnin.

Se shqiptarët janë nji komb nuk do fort mend. Por as s’e jemi të ndamë s’un e mohon kush. Prej këtyne fakteve mujmë me e pranu të mirën dhe me e luftu mjeshtrisht të keqen. Kufijt mes nesh i vunë padrejtësisht Fuqitë e Mëdha, kurse shtetet tona i ndërtuem vetë me gjakun e ndjersën tonë. Çdo formulë e bashkimit që i shkatrron shtetet tona, por edhe që kqyr me saju narode të reja, asht kundërprodhuese. Bashkimin duhet me e qëndisë tue u endë herë në njanën e herë në tjetrën anë të realitetit tonë.

Shqiptari si në Tiranë si në Prishtinë ndin krenari që i përket kombit shqiptar. Rrethanat historike e politike kanë ba që ata të kenë do interesa e përvoja të veçanta, dhe këto kërkojnë qeverisje poliqendrike. Por tiparet që i bajnë shqiptarët nji komb — truelli i përngjitun, gjuha e përbashkët, doket e trashigueme, dhe lidhjet e gjakut e afrisë — janë ma të forta, ma të përzemërta, e ma dobiprumëse. Ato mund t’i rujmë e t’i gëzojmë me nji besëlidhje shtetesh e bashkësish shqiptare, njiherë si organizatë ndërqeveritare e dikur mbase si sipërshtet a shtet federativ.

Por na ndodhemi larg atij caku të madh, dhe shtegtimin duhet me e nisë me hap të vogël. Referendumi për gjoja «bashkim me Shqipërinë» asht përpjekje me fluturu.

Foto: Agron Beqiri, 2013 (CC-BY-SA-3.0)

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avokat prej Prishtine të Dardanisë. Banon në Teksas, por s'ka allti të veten. Shkrun për shqiptarët, gjuhën, historinë, e politikën. Lexon çkamos. Ndihmon me mirëmbajtë sajtin për shqiptari, Plisi.org.

Le përgjigje