Balotazhi në Gjakovë

Qyteti im do ta provojë balotazhin. Kështu i thonë kur njerëzia hamenden, e votat e garuesve dalin pothuaj të barabarta në rrethin e parë. Ideja me balotazhin është që gjindja të kenë rast të reflektojnë përsëri, për të zgjedhur me urtësisht mes dy garuesve kryesorë.

Në Gjakovë, alternativat janë dy. Në njërën anë, bashkiaku aktual, ulur në prehër të Ramush Haradinajt aka Rambo, nën të cilin ka lulëzuar haraçi kriminel, është shkatërruar Çarshia e Madhe, e janë punësuar miq të pashkollë të burrave me armë, ndërsa është zhdukur tërë tirazhi i një gazete kur ajo botoi një artikull antimafie. Fushata e tij mbështetet me defilime kërcënuese makinash që u mëshojnë borive nëpër bulevardin kryesor, duke i poshtëruar qëllimisht qytetarët, e duke ua kujtuar se sa e shkurtë është distanca mes dhunës simbolike dhe asaj fizike.

Në anën tjetër, e kemi një pretendente cinike të parashutuar nga larg, që e ka ilustruar qartë se shitet e blihet me pare si cukël duke marrë dorë në partinë e një udbashi me biznese. Fushata e saj mbështetet me racizëm kulturor plot urrejtje e përçmim ndaj katundarëve në përgjithësi dhe katolikëve në veçanti, e ndaj gjithë gjakovarëve tjerë që s’duan të përlyhen me mut. Thuati se ne jemi 1 miliardë shqiptarë, e kemi hesap me këso përçarjesh.

Këto dy alternativa janë si dy anë të së njëjtës qindarkë të ferrit. Kjo qindarkë është fërfëlluar mbi qytetin tim nga djalli. Cilëndo anë të zgjedhë njeriu, si kokë, si bisht, me të mund të blejë vetëm zhgënjim.

Mua personalisht, më vjen të qaj për qytetin tim, e për njerëzit e mirë e të kulturuar në të. Që tash në prag të balotazhit, duhet t’i numërojnë kokrrat nëpër numratoret e shpirtit, për të gjetur se cila na qenka e keqja më e vogël. Ata meritojnë shumë më shumë. Ata njerëz, e ai qytet i mrekullueshëm, e meritojnë një opsion të ndershëm.

I vetmi ngushëllim është, se zgjedhjet sipas ligjit aktual janë e drejtë por jo obligim. Kjo mundësi, pra mundësia e abstenimit, është streha e fundit e njeriut të moralshëm, kur t’i kenë shtjerrë të gjitha mundësitë tjera: kur vjen puna në balotazh të këtij lloji.

Nga

Shqiptar Oseku

Shqiptar Oseku

U lind në Gjakovë, ku e kreu të mesmen. U arratis si 18-vjeç në Suedisë. Studioi shkencat sociale në Universitetin e Stockholmit. Punon si terapist në kryeqytetin suedez dhe shkruan poezi e komente shoqërore e politike.

Le përgjigje