Për dekadën e dytë të shtetit

Shqip-17: Dardania dhe vendet fqinje (hartë politike)

Tash që u kry festa, mos të harrojmë:

1. Kur asht shpallë pamvarsia më 2008, RTK-ja s’ka pasë kamera HD. Më 2018, vijon me tejçu video në përmasa të para­luftës. Këto ditë lejoi që kanali 2 në gjuhën sërbe mos me e shkru «10 vjet shtet» nën logo sikur kanalet tjera. Edhe siç e përmendët i madh e i vogël, e ndali trans­me­timin e koncertit të Ritës. RTK-ja merr pare prej populli gati sa marrin gjykatat, dhe qe qysh e zezat popullin.

2. Bororamizin apo Pallatin e Rinisë e kena kallë mbas lufte edhe nuk e kena ndreqë ma kurrë. Pale­s­trat ma të mira që i kemi pasë ndonjiherë në Dardani janë ndërtu sa ka qenë gjallë shoku Tito.

3. Godinën e Bibliotekës Kombëtare e kena lanë mbas dore. Natën dhezen dritat veç në gjysmën e plisave/‌kupolave. Edhe ato duken pa la ditën. Pllakat n’ecetoret përreth janë të thyeme, e përgjat shtegut që shkon kah Rektorati i vjen era kanalizimit.

4. Rrymën a më doket jena hala tue ua pagu bashkëqytetarëve në Severni-Kosmet?

5. Telekomi i Kosovës, që dikur ka qenë kompania ma fitim­prumëse e vendit, tash po thotë se «po operon me humbje». Kah po avullohen paret?

6. Shum jurista sivjet kanë me hy në provim të juris­pru­dencës. Ligji thotë se komisioni i pro­vimit për­bahet prej njerëzve që e kanë dhanë provimin. Por për kryetar të komisionit tash e kanë propozu nji njeri që me shum gjasë s’e ka dhanë provimin.

7. Sa njeri asht çu me shti pare në bitcoin e kripto­valuta tjera, tue pritë se do pasu­nohen mbrenda nate. Ka edhe që i kanë shitë shpijat e veta për me ble kripto­pare. Shum kanë me u zhgënjy, pastaj me iu gju në qafë qeverisë, si shqiptarët e Shqip­nisë Londinare mbasi dështunë fajdet më 1997.

8. Inspektorati i Policisë po i ndëshkon policët që po e kryjnë detyrën. S’po i nguc ata që po shkojnë në shkër­dhim­tore n’orar të punës ose po i rrehin qytetarët midis rruge.

9. E tek u përmend rreha, burrat po vazhdojnë me i rrehë gratë. Kur s’po u sjellin, po i ngucin. Nuk i lanë rahat as me punu, as me u shkollu. Gjithkund kqyrin «me i nxanë» për seks, me arsyetimin banal se «qashtu p’e lypin».

10. Ndoshta shoqnia jonë e lyp të keqen e nuk e meriton ma mirë. Kqyrim veç me e mashtru njani-tjetrin. Pritojmë me punu mbarë. Ia marrim për buda­llaki atij që ec udhës së drejtë. E saherë na thotë dikush me i grahë simbas rregullave, përgjigjemi me «hajt». Qëky hajti na mbyti!

11. Po na mbysin qebesa dhe qentë e rrugëve. Na kafshojnë, se janë ba shum. Kemi dështu me kontrollu shtimin e tyne. Në shpi nuk i mbajmë se janë «llaskuca». Kurse vetë llaskucohemi tue ble qej prej Sërbie.

12. Shqiponja në flamur i ka 12 krahë në nji anë. Na kena ma shum probleme. Por këtu i njeha disa. Qashtu qysh m’u kujtunë në këto orë të vona. S’jemi qaq të këqij prej zemre. Por na ka hupë guximi me besu në të mirën dhe me pa andrra të mëdha si dikur. E kjofarë tute tash don me na prishë mora­lisht e kombtarisht.

Andaj, nuk ban me u dorzu. T’e dojmë kët vend e të punojmë. Përpara, vllamotra dardanë!

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.