Demokracia që përligj autokratin

Zgjedhjet për kryetar të Sërbisë (1992)
Zgjedhjet për kryetar të Sërbisë (1992)

Unë besoj te demokracia dialektike, jo te ajo robotike!

Populli, demosi po mendohet si thellësisht i dëlirë, i pasherr e i pafaj dhe se çdoherë vepron me nder e me mend. Historia na tregon tjetërçka: populli e zgjodhi Hitlerin, Putinin, Erdoğanin, Thaçin dhe mun me e zgjedhë nesër Trumpin ose naj budallë tjetër.

Populli asht çerdhe e pamendimeve, frustrimeve, paragjykimeve, inateve, dështimeve, e idiotsive të llojllojshme të individëve brenda tij. Popull janë njerëzit që besojnë qorrazi në gjithfarë konspiracish, që krijojnë mendime pa kurrfarë logjike, pa kurrfarë arsyetimi, pa kurrfarë faktesh empirike. Populli asht ajo shumicë njerëzish të paformuem që dëshirojnë me ngulm udhëheqësa që e materializojnë budallakinë e vet.

Kanë mendu që jahudijtë duhet me i zhdukë. E kanë zgjedhë Hitlerin. Kanë mendu që shqiptarët duhet me i rrehë, me i mbytë, me i dhunu. E kanë zgjedhë Millosheviqin. Kosovarët e sodit po besojnë që për me arritë diçka duhet me vulgarizu gjithçka. Dëshirojnë me hy në punë përmes t’afërmve ose parave, dëshirojnë me ecë në karrierë si mashtruesa, dëshirojnë me u pasunu si hajna. Qate, e dëshirojnë nji sistem llom arsimor. E dëshirojnë nji fakultet që asht i qasshëm për ta. E dëshirojnë nji vend ku askush nuk e kryn punën mirë, ku puna e askujt nuk mbikëqyret, që as ata mos me kry punën mirë, as ata mos me u mbikëqyrë. E dëshirojnë PDK-në dhe LDK-në!

Kjo asht demokracia jonë! Sepse ky asht demosi ynë!

Dhe demokracia, e shikueme si nji varg formalitetesh s’don as me nji për kurrfarë debati, të drejte a të vërtete. Numrat kanë të drejtë! Forca! Ai që ia del me marrë ma shum vota!

Nëse dikujt i teket me marrë pjesë në zgjedhje me idenë e pezullimit të demokracisë — dhe pavarësisht kontradiktës brenda vetë idesë dhe veprimit — i merr votat dhe fiton, ai demokratikisht e ka të drejtën e pezullimit të demokracisë. Pra, demokracia e jep edhe mundësinë e shkatërrimit të vetvetes!

Edhe natyra e debatit në demokraci tjetërsohet! Nga kërkimi i pikave të përbashkëta për ndërtimin e të vërtetave të përbashkëta kalohet në barrikadime, britma, shamje! Pra, braktiset kërkimi i përbashkët sokratik i të vërtetës. Iu jepet e drejtë sofistëve: e drejtë asht ajo që i kuvendon ma të fortit. Pikë çuditëse!

Let’s agree to disagree (Të pajtohemi mos me u pajtu) asht epigrafi i demokracisë. Pra, me u pajtu për mos me u pajtu. Me u pajtu për mos me komuniku. Me u pajtu për me garu se kush ka të drejtë.

Edhe nëse ti beson si Muhamedi e Krishti te fjala jote, ajo fjalë futet në garë, demokratizohet. Edhe nëse je i sigurtë që toka nuk asht në qendër të kosmosit, e prandaj duhet që njerëzit me i ndërtu botkuptimet e reja nisë nga ky fakt — prap, edhe kjo varet prej demosit.

Në praktikë, megjithatë ndodh edhe e kundërta! Demokracia din me e mohu vetveten! Asnji aksion politik s’kish pasë kurrfarë kuptimi nëse aktivistët s’kishin me besue në të vërtetat ndërtuese t’aksionit.

Qe në Kosovë: veprimet e opozitës ishin krejtsisht jodemokratike e prandaj demokratike. Dolën nga formaliteti i demokracisë për me na vizuatu nji të vërtetën dhe u futën prap brenda saj. Tash, dëshirojnë me debatu për kufinin me Malin e Zi… por edhe këtu vyn nji moment krejt jodemokratik, vyn nji moment pajtimi ku arrihet akordi.

Ndryshe, mbesim në fushën e demokracisë dhe vendosim me vota! Dhe siç kuptohet leht, asht krejt e mundshme me fitu ai që s’ka të drejtë! Cilido qoftë!

Pra, demokracia e formaliteteve mun me çu drejt skenareve të tmerrshme, e bile edhe apokaliptike! Demosi nuk asht i përsosun! Demokracia arrihet përmes momentesh që e mohojnë vetveten: e ato janë debatet ku shkoqiten të vërteta të përbashkëta ose akte dhune që mundësojnë ilustrimin e qatyne të vërtetave të gjithëpranueshme dhe pastaj komunikimit.

P.S. Unë i mbështes puçistët në Turqi dhe jo Erdoğanin, sepse ky i fundit ka rrëshqitë drejt autokracisë tu u mbështetë në formalitetet demokratike. Qashtu qysh e kisha mbështetë ushtrinë amerikane nëse nuk e kish leju Trumpin me përdorë armën bërthamore kundër Sirisë ose Irakut apo dikujt tjetër. Demokracia e ka të nevojshme shpesh antidemokracinë!

Nga Jetlir Buja

Student i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, por edhe jashtë tij — veçanërisht jashtë tij. Përveç dashnisë për dijen, asht i interesuem edhe për aktualitetin politik, kulturor e shoqnor. Së mbrami po shkrun edhe tregime të shkurta.