Festë para kremtes

« Martin Luther Kingu i çliroi të gjithë, jo vetëm afro-amerikanët. »
Barbara Ewing, veprimtare amerikane e arsimit

E hënë, 19 janar, Seguin, Texas Një renditje jo fort e qëlluar e fjalëve në mediet shqiptare i ka dhënë Barack Hussein Obamës një përparësi ndaj George W. Bushit. Ndonëse të dy ishin zgjedhur nga populli amerikan, Obama u quajt «presidenti i zgjedhur», kur në fakt bëhej fjalë për të zgjedhurin president/kryetar që po e merr këtë pozitë të njëzetën ditë të kallnorit.

Prej 24 vjetësh në Shtetet e Bashkuara, të hënën e tretë të janarit, kujtohet figura e Dr. Martin Luther Kingut (MLK), nobelistit të paqes dhe udhëheqësit të lëvizjes së padhunshme për të drejtat qytetare në vitet e 50-60. Fushata e drejtuar nga Kingu, klerik afro-amerikan i konfesionit baptist, i dha fund segregacionit racor dhe diskriminimit ligjor në SHBA.

Nuk është e rastësishme që Dita e Kingut ndiqet nga përurimi i presidentit, një tjetër kremte kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Marshet e përvjetshme në nderim të Kingut e ndoqën pas ëndrrën e tij, por i paraprinë realizimit të kësaj ëndrre—bashkëjetesën në barazi të zezakëve e të bardhëve.

Sot Barack Obama shihet padyshim si figura më e përafërt me Kingun në jetën publike të SHBA-ve. Mirëpo, ky popullaritet është sajuar jo veç me oratori, por dhe me një varg premtimesh që Obama ua ka shqiptuar aq këndshëm përkrahësve të tij.

Për veprimtarët konservatorë si Grover Norquist, kryetar i organizatës «Amerikanët për Reformë Tatimore» (Americans for Tax Reforms) në Uashington, Barack Obama ka fituar duke mos i thënë «jo» askujt, por «duke iu premtuar të gjitha grupeve të interesit të krahut të majtë». Sipas tij, detyra e Obamës do të jetë larja e hakut përkrahësve, të cilët kërkojnë para për programet e veta.

Norquisti mund të jetë një prej të pikëlluarve nga fryma e re politike, mirëpo mbërritja e erës së Obamës ka ngjallur gëzim në mesin e popullit amerikan. Të paktën, ata kujtojnë se premtimet zgjedhore do të realizohen dhe ata që do të marrin para nga puna e presidentit do të jenë vetë qytetarët. Një sondazh i zhvilluar nga e përditshmja «USA Today» dhe organizata «Gallup» tregon se shumica janë të mendimit se Obama do të ulë taksat për 95 për qind të familjeve të klasës punëtore.

Shumë më i besueshëm është Obama sa u përket premtimeve tjera zgjedhore, realizimi i të cilave është më i ngutshëm për qytetarët. Sigurimi shëndetësor për çdo fëmijë bashkë me lirimin e dukshëm të shërbimeve shëndetësore për familje shihet si punë e kryer nën administratën e re. Për më tepër, ngritja e infrastrukturës rrugore, rritja e prodhimit të energjisë alternative dhe përmirësimi i arsimit kombëtar i besohet Obamës. Pritet shumë nga ai dhe lutjet dëgjohen gjithandej për kalimin e krizës ekonomike dhe vështirësive të epokës sonë.

Është shpresëdhënës fakti që kryetari i ri amerikan gëzon mbështetjen dhe besimin edhe të turmave që nuk e zgjodhën emrin e tij në zgjedhjet e nëntorit. Megjithatë, Obama karshi zgjedhjeve presidenciale meriton një mbivështrim të një tjetër natyre. Edhe përshkrimi më i thjeshtë i zgjedhjeve të fundit nuk ia del t’i shpëtojë ngjyrimit ndjenjësor, duke e salduar vëmendjen mbi zgjedhjen e presidentit të parë afro-amerikan. E vërteta qëndron mbi prioritetet zgjedhore dhe përcaktimin e qytetarëve, që në radhë të parë shkaktuan rritje të pjesëmarrjes në votim. Ndërkaq, premtimet e sipërcekura dhe qëndrimet e Obamës shkaktuan epërsinë e tij, pothuajse të pandërprerë, në sondazhe, si dhe sollën fitoren me shumicë votash të martën e 4 nëntorit.

Zgjedhja e Obamës për kryetar krijoi një mbresë të stërthënë, ndonëse të qëlluar, se racizmi nuk zë vend në identitetin amerikan. Mirëpo, dukuria që iku pa u vënë re qe zemërgjerësia e kombit amerikan përballë ndryshimit politik dhe thyerja e traditës zgjedhore për politikë më tepër qendrore sesa të skajshme. Barack Obama radhitet në mesin e politikanëve më liberalë nga organizata e revista të ndryshme; nënkryetari i ri Joe Biden është futur nga Bashkimi Konservator Amerikan (American Conservative Union) në tufën e «më të këqijve prej më të këqijve» (lexo: më liberalëve prej më liberalëve).

Veçse këto zgjedhje shënuan fillim e përmbushjes së parullës së Obamës: «Ndryshe» («Change»). Dhjetëvjetësha më parë, kjo fjalë qëndronte si sinonim i socializmit dhe përkapej si sfidë ndaj përparimit prej qytetarëve amerikanë. Shpresa, apo «Guximi për të shpresuar» i Obamës, solli guximin e votuesve amerikanë për të zgjedhur qeveri liberale të skajshme para konservatorit të moderuar John McCain. Amerikanët shpresojnë dhe besojnë, siç thonë sondazhet, se do të kenë jetë më të mirë: më shumë para në xhep, sigurim shëndetësor, arsim dhe paqe.

Shpresa i dha kuptimi të ri fjalës «ndryshe». Ndryshe do të jetë edhe pozita e Shteteve të Bashkuara kundrejt vendeve tjera. Matthew Dupuis, studiues në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), pret nga administrata e re «diplomaci më të ngjeshur që parapëlqen bashkëpunim me botën, pa marrë parasysh llojin e regjimit, gjë që dallon nga qasja e administratës së Bushit».

Shefi i zyrës në Uashington të mediumit gjerman «Deutsche Welle», Rüdiger Lentz, vëren një ndryshim thelbësor në trendin e votimit në SHBA. Me Obamën kujton se do të hapen mundësi që Evropa dhe Amerika të aviten në politikë. «Evropa ka nevojë të bëhet më konservatore, ndërsa Amerika më liberale», thotë Lentzi. Ky është ndryshimi që po përurohet këtë 20 janar. Sipas Lentzit, Evropa kishte dështuar në vitin 2000 duke favorizuar Al Goren. Sërish, më 2004, kishte gabuar me uzdajën se «John Kerry [si president] do të fliste frëngjisht me evropianët». Prandaj, Lentzi kujton se Obamën e zgjodhën evropianët me shpresën, përkrahjen e tyre, si dhe mikpritjen që i treguan gjatë vizitës në Botën e Vjetër.

Diskursi i ndryshimeve të përcaktimit politik në Amerikë nuk përfundon me kaq. Obama qe fatlum me fitoren e Partisë së tij Demokratike në zgjedhjet për Kongres. Por, kjo nuk është zgjidhja përfundimtare. Obamës do t’i duhet bashkëpunim dypartiak për të nxjerrë ligjet e nevojitura për programin e tij. Republikanët në Senat, ndonëse nuk përbëjnë shumicën, mund të bllokojnë projektligjet duke debatuar pafund rreth një propozimi përmes metodës së quajtur «filibuster» (kusari). Ndërkaq, demokratët nuk i kanë 3/5 e votave sa duhen për ta ndërprerë «kusarinë» e opozitës.

Termi i përdorur është jomiqësor ndaj karakterit demokratik të kësaj procedure senatoriale. Në njërën anë, roli i republikanëve si pakicë konstruktive në Kongres vërteton konceptin e bashkëjetesës në barazi—sistemi politik i SHBA-ve nuk lejon tiraninë e shumicës. Ndërsa në anën tjetër, republikanët do të mbrojnë shumë interesa publikë që u trajtuan ndryshe ose nuk bënë pjesë fare në programin zgjedhor të Obamës. Republikanët do të vazhdojnë të ngrenë zërin për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, taksa të ulëta për të gjithë, si dhe do të mbrojnë pikëpamjet konservatore mbi shoqërinë.

Më i theksuar do të jetë ndikimi republikan në politikat shoqërore të administratës së Obamës. Republikanët do ta vështirësojnë kalimin e ligjeve që bëjnë lehtësimin e procedurave të abortit dhe do të kundërshtojnë ndarjen e fondeve për punë kërkimore me qeliza amë nga embrioni njerëzor. Këto çështje nuk janë vlerësuar si të rëndësishme nga amerikanët e përfshirë në sondazhin «USAToday/Gallup». Këto gjetje nuk thonë se të anketuarit janë domosdo kundër këtyre synimeve të qeverisjes së Obamës, por paraqesin ndihmesë në radhitjet e prioriteteve për të. Padyshim se bashkëpunimi do të jetë më i vështirë kur puna është e panevojshme ose të paktën s’është e ngutshme.

Të pangutshme e gati krejt të parëndësishme për opinionin janë masat lehtësuese për organizimin e sindikatave. Mirëpo, kjo është e rëndësishme për Obamën i cili, si kryekomandant i forcave të armatosura, do të këmbëngul edhe në përmbushjen e agjendës së sigurisë. Urdhri i ditës së parë për tërheqje nga Iraku ka sa përkrahjen popullore aq edhe realizueshmërinë politike. Megjithatë, e njëjta nuk mund të thuhet për pika tjera të planit në fushën e mbrojtjes. Sondazhet përmbajnë indikacione se Obama do t’ia arrijë qëllimit, mirëpo zvarritjet do të jenë të mundshme.

Ka edhe të tjera punë që Obama do t’i kryejë vetë, me urdhër ekzekutiv. Mbyllja e burgut të të dyshuarve për terrorizëm në Guantánamo, Kubë nuk ka domethënie të madhe për amerikanët. Vetëm 32% kujtojnë se është me rëndësi (por s’do të thotë se të tjerët e kundërshtojnë). Burgut mbase do t’i vihet dryni, siç thotë Obama brenda 100 ditëve të para të prijës së tij, por do të rrjedhin telashe të reja me fatin e të burgosurve. Pa marrë parasysh vendimin, Obama nuk do t’iu dhurojë lirinë amerikane të dyshuarve për terrorizëm. Sado ndryshe të jetë në qasjen e saj, administrata e re do të jetë e përkushtuar për lirinë e sigurinë e Amerikës dhe gjithë botës demokratike. Shtetet shqiptare do të nderohen si aleatë të Shtëpisë së Bardhë dhe kombit amerikan.

***

Me shumë pritje nga katër vjetët e ardhshëm dhe me një ngazëllim të papërjetuar më parë, populli amerikan po shënon përurimin e prijësit të ri. Zemërgjerësia e këtij kombi po dëshmohet: u përmbush ëndrra

e Martin Luther Kingut dhe po përurohet një kryetar ndryshe nga të mëparshmit, por veç më i madh me punën e tij. Ky është Barack Hussein Obama, Presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Urime!

(Autori është student i shkencave politike dhe gjuhës spanjolle në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; së fundi ka kryer punë kërkimore në Uashington pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.)

Botu në Telegrafi.com. Përditësu.

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Le përgjigje