Të gjitha kushtetutat e Kosovës

Nën Perandorinë Osmane në shekullin XIX dhe deri më 1912 Kosova kishte statusin e vilajetit, me pak ndryshime nga territori i sotëm.

Më 1912 shpërbëhet Perandoria Osmane ndërsa shqiptarët dështojnë të formojnë shtetin etnik me Kosovën, pjesë e tij. Më 28 nëntor 1912 në Vlorë, dyzetedy delegatë, përfshirë përfaqësues të Kosovës, në krye me Ismail Qemalin “venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme” me një qeveri të përkohshme. Konferenca e Ambasadorëve në Londër, që nisi më 17 dhjetor 1912, e njohu Shqipërinë për shtet, me princ të huaj në krye të saj.

Më 1918: Kosova shkrihet në Mbretërinë e Serbëve Kroatëve dhe Sllovenëve.

Ide për rregullimin shtetëror dhe rindarje të territoreve ka pasur edhe më heret. Kosova ndërmjet dy luftërave botërore qe ndarë në tri banovina, të Moravës, Zetës dhe të Vardarit.
Është interesante se Kosova pati status të padefinuar deri më 1945, kur u shua kryengritja e armatosur shqiptare dhe Tito futi administrim ushtarak.

Një tubim i një trupi jo të zgjedhur u mblodh në korrik të vitit 1945 në Prizren dhe vendosi që Kosova t’i bashkohet Serbisë federale, që paraqet një akt aneksimi. Nga 142 anëtarët e këtij trupi, vetëm 33 qenë shqiptarë. Rezoluta u miratua me aklamacion dhe pa asnjë fjalim mbi këtë temë.

Autonomia e Kosovës është rezultat i evoluimit disa dekadash.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova me Kushtetutën e parë të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, miratuar më 31 janar 1946, u definua si njësi autonome territoriale-administrative brenda Serbisë e quajtur “Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë (QAKM)”. Kosova nuk kishte as statusin e krahinës, të cilën e kishte Vojvodina. Ky qe bashkim i dhunshëm i Kosovës me Serbinë. Kosova fitoi një lloj kushtetute më 1946, ndërsa shumica shqiptare fitoi statusin zyrtar të pakicës. Vitet e ’50 dhe ’60 shënuan rritjen e terrorit shtetëror mbi shqiptarët, duke prodhuar valë të mëdha shkombëtarizimesh e emigrimesh në Turqi.

Me Kushtetutën e 7 prillit 1963, RFPJ shndërrohet në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë, ndërkaq Kosova shpallet Krahinë Autonome. Në po këtë vit aprovohet Statuti i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, si pjesë e ndryshimeve kushtetuese në kuadër të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ky Statut përkufizonte Kosovën si bashkësi shoqërore e politike në kuadër të Republikës së Serbisë, e themeluar si njësi autonome në vitin 1945 me Vendimin e Kuvendit të Serbisë. Kosova nuk kishte status kushtetues në nivel federativ.

Sipas Statutit, Kuvendi krahinor ishte organ më i lartë politik përfaqësues, ndërsa Këshilli ekzekutiv krahinor ishte organ politik ekzekutiv Kuvendit. U formua në Prishtinë dega e Gjyqit të Lartë të Serbisë. Përveç që shqiptarët dhe turqit ishin të barabartë në të drejtat e tyre, ky Statut parashihte që në shkollat e larta dhe fakultetet në territorin e Kosovës, mund të organizohet mësimi edhe në gjuhën shqipe, respektivisht turqishte.

Pozita e këtillë e pavolitshme politike e Kosovës filloi të ndryshojë në të mirë të pasurimit të autonomisë pas vendimeve të Plenumit të Partisë komuniste mbajtur në ishujt e Brioneve në Kroaci. Përjashtohet nga establishmenti shtetëror Ministri i Punëve të Brendshme, serbi Aleksandër Rankoviq.

Në vitin 1968, u mbajtën bisedime për të ndryshuar kushtetutën jugosllave e serbe të vitit 1963, dhe nga fundi i këtij viti rezultuan me amendamente të rëndësishme.

Amendamenti VII thoshte se krahinat autonome u takojnë edhe Serbisë edhe Federatës së Jugosllavisë. Me amendamentet kushtetuese u hoq fjala Metohi.

Ligji Kushtetues për Kosovën i miratuar në shkurt 1969 nisi rrugën që Kosova të ketë një kushtetutë të saj. Këto ndryshime erdhën si rezultat I demonstrative popullore të vitit 1968, të cilat sollën në përmirësimin e statusit të shqiptarëve. Në vitin 1969 gjuha shqipe u sanksionua me ligj gjuhë e dytë zyrtare, krahas gjuhës serbo-kroate; u legalizua përdorimi i flamurit kombëtar; ndërsa në nëntor 1969 Kuvendi i Kosovës shpalli ligjin për themelimin e Universitetit të Kosovës, i cili do të jetësohet më 15 shkurt 1970.

Kushtetuta e vitit 1974, e ngriti Kosovën në element të federatës jugosllave, duke krijuar kështu jo vetëm një lidhje të drejtpërdrejtë me bashkësinë jugosllave, por duke e ngritur Kosovën në një entitet të fortë juridik. Kosova fitoi kompetenca për të ushtruar çdo funksion të republikës, përveç atyre të cilat qenë detyrë e republikës së Serbisë vetë.

Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, e 27 shkurtit 1974 në nenin 1 të saj, e definonte Kosovën si bashkësi shoqërore politike, por me lidhje hibride politiko-juridike, kur thotë se Kosova është në kuadër të Republikës Socialiste të Serbisë dhe të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në klimë më të volitshme politike, u arrit të shtrihet pjesëmarrja e shqiptarëve në organet e administratës e të pushtetit ekzekutiv, u formua Gjykata Supreme e Kosovës, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria dhe Avokati Shoqëror (ombudspersoni i asaj kohe).

Më 23 mars 1989, ndryshohet Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974, në kundërshtim dhe duke i shkelur parimet e Kushtetutës jugosllave të vitit 1974. Një Kuvend, me “votimin” e shumë pjesëtarë të shërbimeve shtetërore sekrete dhe në kundërshtim me debatin e qytetarëve dhe vullnetin e tyre, e shpalli Kosovën pjesë të Serbisë. U suprimua autonomia.

Pasuan demonstratat dhe protestat civile, të cilat nuk e ndaluan establishmentin politik të Serbisë në krye me Sllobodan Milosheviqin që më 28 mars të miratojë kushtetutën e saj të re aneksioniste dhe të pretendojë se Serbia sërish u bë një dhe e pandarë.

Në kulmin e bisedimeve për riaranzhimin e Federatës jugosllave, më 2 korrik 1990, pjesa dërmuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës, shqiptarë, turq dhe të përkatësive tjera e shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Sipas kësaj deklarate, Kosova e shpallte veten të pavarur nga Serbia.

Duke u mbështetur në Deklaratën e Pavarësisë së 2 korrikut 1990, Kuvendi i Republikës së Kosovës nxori Kushtetutën e re, më 7 shtator 1990. Në nenin 1 të saj, përkufizohej se “Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vet: serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë.”

Meqenëse ende zhvilloheshin bisedime ndërmjet kryetarëve të republikave jugosllave dhe qenë hedhur në diskutim propozimet për federatë asimetrike jugosllave, ose konfederatë, kjo Kushtetutë e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, për shkak se qe miratuar në këtë qytezë nga delegatët e Kuvendit në kushte të rënda okupimi, në nenin, thoshte se “Republika e Kosovës si shtet është anëtare e Bashkësisë së Jugosllavisë.”

Kjo kushtetutë, e shtetit të Kosovës, të njohur në botë si sistem paralel me sistemin e instaluar të Serbisë në Kosovë, thoshte se sovraniteti në Republikën e Kosovës buron nga populli dhe i takon popullit. Vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror. Gjithashtu edhe sovraniteti i popullit realizohet përmes përfaqësuesve të zgjedhur në organet e pushtetit shtetëror dhe me referendum.

Më 15 maj 2001, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, shpalli se e ka nënshkruar dhe ka hyrë në fuqi Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovës, me anë të nënshkrimit të Rregullores nr. 2001/9. Kjo kornizë kushtetuese ishte rezultat i kompetencave që i janë dhënë shefit të UNMIK-ut me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të 10 qershorit 1999.

Korniza e përkufizon[te] Kosovën një entitet nën administratën e përkohshme ndërkombëtare, që, me popullin e vet, ka atribute unike historike, juridike, kulturore dhe gjuhësore dhe një territor të pandashëm ku ushtrojnë përgjegjësitë e tyre institucionet e përkohshme vetëqeverisëse.

[Më 2006, Kombet e Bashkuara caktuan ish-kryetarin finlandez, Martti Ahtisaari, për të ndërmjetësuar në negociata për zgjidhjen e statusin përfundimtar të Kosovës që parashihej me Rezolutën 1244. Në prill 2007, Kuvendi, si organi ligjvënës i institucioneve të vetëqeverisjes, pranoi një plan të paraqitur nga kryetari Ahtisaari për pavarësinë e Kosovës. Plani përmbante edhe provizione kryesore për kushtetutën e vendit.]*

[Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur sipas Planit të Ahtisaarit. Në prill u miratua Kushtetuta e re, e cila hyri në fuqi më 15 qershor.]*

Autori, jurist dhe ish-gazetar, është zëvendës-ambasador i Republikës së Kosovës në Pragë, Çeki. Ky shkrim u botua në shtypin ditor të vendit në fillim të viteve 2000.

*Plotësim nga Plisi.org.

Nga

Lulzim Mjeku

Lulzim Mjeku

Ish-gazetar dhe redaktor i disa gazetave të Prishtinës, Lulzim Mjeku diplomat i Republikës së Kosovës. Ka shërby si drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe si zëvendës-shef i misionit në Pragë, Çeki. Është autor i librit «Kosova: Neoshqiptarizma për shekullin e ri» (Prishtinë, 2000).

Le përgjigje