Gratë dhe reforma zgjedhore

Në Dardani ka përmbi pesë vjet që folet për reformë zgjedhore. Partitë kan premtu disa herë se kan me kry kët punë. Por edhe sikur krenët e partive të baheshin burra dhe ta mbajshin fjalën, ç’ndikim do kish sistemi i ri i zgjedhjeve për gratë në Kuvend?

Deri më tash, ligji e ka zbutë sadopak pabarazinë gjinore n’organin ligjvenës të vendit, tue veçu gati nji të tretën e ulëseve për njanën gjini. Në llaf të thatë, kjo mund t’ishte cilado nga dy gjinitë, por në praktikë kuota e “30 përqindëshit” u ka dalë në krah grave e vajzave.

Nji rregull i tillë vepron lehtë në sistemin me nji vis zgjedhor — që domethanë se numri i votave që merr nji parti cakton se sa ulëse në Kuvend do të ketë ajo. Para zgjedhjeve, secila parti dorzon nji listë kandidatësh. Kurse qytetarët votojnë së pari për nji parti, e pastaj nga lista e saj zgjedhin deri në pesë deputetë për t’i zanë ulëset që i fiton partia.

Në përgjithësi, deputetë bahen ata që nga votat për partinë kan marrë ma së shumti vota individuale. Por këtu ka nji përjashtim: ligji u jep përparësi kandidateve gra e vajza derisa ato të përbajnë 30 përqind të deputetëve.

Baraspesha gjinore asht qëllim i mirëfilltë i ngrehimeve të shtetit. Por sistemi i tashëm e ka ngatrru keqas demokracinë në Dardani, tue ua hapë udhën si vjedhjes së votave ashtu dhe zgjedhjes së nji Kuvendi të papërgjegjshëm ndaj qytetarit.

Nji zgjidhje qëndron te viset zgjedhore. Ta zamë, vendin e ndajmë në 20 vise, ndërsa kandidatët pastaj garojnë mbrenda nji visi të caktuem. Qytetarët votojnë për dy-tre kandidatë, dhe ata që marrin ma së shumti vota bahen përfaqësues të visit në Kuvend.

Por nji çashtje mbetet: Si do vepronte kuota gjinore n’at rast? A do të baheshin zgjedhjet kuvendare si zgjedhjet vendore, që sado demokratike nxorën vetëm nji grue në krye të nji komune në tanë vendit? Ose si emnimi i ministrave e të drejtorëve komunorë, që jan pothujse të gjithë burra?

Ligji mund t’u kërkojë lehtë partive që 30 përqind e kandidatëve të vijojnë të jenë gra ose vajza. Mirëpo nuk do të sillte kurrfarë të mire, nëse subjektet politike garojnë me kandidatë sapërsyefaqe në rrethe ku kan ma së paku gjasë fitoreje. Pjesëmarrja e njimendtë e grave në politikë do të binte.

Mundësia me kapërcye problemin qëndron te ulëset e rujtuna enkas për njanën gjini. Por për Kuvend sa ma demokratik, vendet e rezervueme duhet të mbeten të papërdoruna përderisa nuk nevojiten.

Dhe për barazi gjinore, mund të ndajmë ulëse shtesë vetëm atëherë kur deputetët e nji gjinie përbajnë ma pak se 30 përqind t’antarëve të Kuvendit. Për ta thjeshtu matematikën, mund ta vendojmë edhe kuotën e nji të tretës. Llogaria pastaj bahet lehtë.

Ta zamë, se me sistemin e ri, vendin e ndajmë në 20 vise (zona) zgjedhore me popullsi të barabartë. Secili vis pastaj zgjedh nga tre deputetë. Krejt, del nji Kuvend me 60 antarë.

Dhe zvogëlimi i numrit këtu nga 120 do t’ishte i arsyeshëm. Sepse nëse ma pak se nji e treta e deputetëve jan të nji gjinie, Kuvendit do t’i shtojmë ulëse të reja derisa ta arrijmë baraspeshën gjinore që e dëshirojmë.

Për shembull, nëse nga 60 deputetë, vetëm 10 jan gra, Kuvendit do t’ia shtojmë edhe 15 deputete. Krejt do të na dalin 75 antarë dhe nji e treta të gjinisë së nënpërfaqësueme. Kurse në rastin ma të keq – nëse asnji grua nuk fiton mandat në zgjedhje të drejtpërdrejta – n’organin ligjvenës do të kishim 90 delegatë.

Mënyra si antarët shtesë marrin mandatin do t’ishte njilloj e randësishme për demokracinë. Mundësia e parë asht me i ba deputetë ata kandidatë që, ndonse nuk kan dalë të parët në rrethet e tyne, kan marrë pëlqimin e nji numri të theksuem qytetarësh (p.sh., 10-15 përqind).

Por kështu sistemi do të çalonte dyfish. Në njanën anë, disa njisi zgjedhore do të kishin ma shum za në Kuvend. Në tjetrën anë, votuesit do të mund t’i lenin gratë n’anën e humbësve qëllimisht, tue shpresu që ato pastaj të përfitojnë nga sistemi dhe rrethi t’i gëzojë sërish dy deputetë.

Për at arsye, muj shpresojmë që sapo t’i kemi 10 a 15 gra deputete, vetë ato t’i emnojnë pjestaret shtesë t’organit ligjvenës. Ato gra që fitojnë mandatin e përfaqësueses do të mund të tuboheshin për ta hartu nji listë emnash. Këta pastaj do t’i miratonte i mbarë Kuvendi ose t’i dekretonte kreu i shtetit.

Thanë shqip, zgjidhje të lehtë nuk ka. Por vetë përpjekjet e sistemit tonë të qeverisjes për t’arritë pjesëmarrje të barabartë të burrave e grave në politikë jan punë e koklavitun.

Megjithate, viset zgjedhore mund të fuqizojnë si demokracinë, ashtu dhe vetë gratë. Tue largu pushtetin nga partitë dhe krenët e tyne — të cilët përfundimisht i caktojnë listat e kandidatëve — modeli i shum zonave rrit randësinë e gruas në vendimmarrje.

Me nji aranzhim të pazakontë u japim shkas dhe partive që të përkrahin qysh në fillim kandidate të fuqishme gra. Partitë nuk kishin fort nxitje për me rrehë kandarin gjinor në zgjedhjet komunale. Por në nji sistem ndryshe për Kuvendin, gjinia e nënpërfaqësueme mund të bahet çelësi i pushtetit.

Nji subjekt politik që nga zgjedhjet del me ma shum gra deputete do t’arrijë ta kontrollojë edhe tubimin e ligjvenëseve që do t’i caktojnë emnat e antareve të reja të Kuvendit. Ky tagër asht goxha për lakmi. Dhe s’asht vështirë me e mbërri, por as lehtë me e gëzu urtisht.

Sepse në fund, demokracia e njimendtë nuk don paterica. Ajo lulzon falë ndërgjegjes së popullit sovran.

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avokat prej Prishtine të Dardanisë. Shkrun për shqiptarët, gjuhën, historinë, e politikën. Lexon çkamos. Ndihmon me mirëmbajtë sajtin për shqiptari, Plisi.org.

Një mendim për “Gratë dhe reforma zgjedhore”

Le përgjigje