Kur një francez ia fut kot

Franca i ka dhënë botës shum njerëz të mëdhenj. Dhe më i madhi prej tyre është populli francez. Kam pasë fatin me e njoftë vetë. Kur më 1999, lufta në Dardani mbërrijti kulmin dhe forcat sërbe na përzunë prej shtëpisë, familja ime gjeti strehë në Francë.

Në ditët e dhimbshme pas ekzodit, nikoqirët tanë qenë fatbardhësi. Ata ishin qytetarë të rëndomtë, prej të gjitha prapavijave – një shembull (statistikor) njëmend përfaqësues i vendit të tyre. Kishte të lemë në Francën evropiane, në Alzherin kolonial, e në trevat franceze tejdetesh. Njohëm dhe sish që flitshin me theks parizien dhe nga ata që folshin provansalisht, gjuhën e moçme romane-oksitane të rrethit të Marseilles. Kishte aristokratë e vegjëli, pjesëtarë të feve të ndryshme dhe të pafe, njerëz nga çdo racë, tregime të gjithëllojshme nga jeta e secilit. Ishin përfaqësues të Francës.

Por si ndër të gjitha kombet, qëllojnë ata pak emra që e shnderojnë vendin e vet. Kujto dashakëqijtë që i sajuan dëshmitë kundër Alfred Dreyfusë. Ose të rrallët e të ligështit që bashkëpunuan me nazistët. Së mbrami, mund të flasim për një tog edhe më të çuditshëm. Këta veta zgjedhin miqësinë e carit moskovit përmbi lirinë që u jep Franca dhe Evropa e bashkuar. Përmend këtu aktorin Gerard Depardieu, ish-futbolltarin Michel Platini, dhe një kolonel me emrin Jacques Hogard.

Ndonëse fitoi namin në botë mu si francez, artisti i filmave mori shtetësinë ruse për t’i ikë tatimit. Por Depardieu u ngut, ndërkohë që Franca nuk do të mbledhë më pagesën prej 75 përqind në të ardhura pas vitit 2014. U ngut dhe Michel Platini. Kryetar i UEFA-s i mbrojti huliganët racistë sërbë që thirrën “vdekje shqiptarëve” dhe iu vërsulën me dhunë kombëtares sonë javën që shkoi. Harroi kreu i futbollit evropian se ishin mu rrugaçët beogragjanë që jo shumë moti e vranë një tifoz francez në pikë të ditës.

Këtij tabori së fundmi iu bashkëngjit një ushtarak. Koloneli Jacques Hogard trashëgoi emrin dhe zanatit e të atit, i cili shërbente si gjeneral në ushtrinë franceze. Hogardi i ri më 1999 drejtoi një njësi të posaçme gjatë ndërhyrjes në Kosovë, dhe këtë javë botoi kujtimet e luftës.

Koloneli mburret se ka nda etnikisht një qytet sipas asaj që e quan nismë vetjake. Rrah gjoksin se ndërtoi një mur të Berlinit në shekullin XXI, duke i hapë rrugën dhunës e spastrimit etnik në veriun e Kosovës. Deri më sot, qeveria e këtij vendi nuk ka qenë në gjendje me shtri autoritetin e vet përtej lumit Ibër, të cilin gjenerali e zgjodhi si kufi etnik për ta nda qytetin e Mitrovicës. Veriu i Kosovës kontrollohet kryesisht prej banditëve të dhunshëm që shfrytëzojnë ndarjet etnike për t’i mbështetë veprimtaritë e tyre kriminale.

Kujtimtari thotë se aleanca veriatlantike, që shpëtoi shqiptarët e Dardanisë nga gjenocidi, ka përkrahë palën e gabuar në luftë. Dhe Hogadi nuk po flet me prapavështrim e maturi për të mbërrimet dhe dështimet e NATO-s me aleatë. Ai thjesht po thotë se krejt lufta për çlirimin e Kosovës ishte padrejtësi.

Me t’u dhimbtë njëmend që po mendon kështu. Sidomos tani që Sërbia ende nuk ka heqë dorë nga e kaluara e saj e dhunshme, ndërsa sot është miku i vetëm që kanë në Evropë diktatorët si Vladimir Putin. Në më pak se njëqind vjet si shtet i pavarur, Sërbia ka shkaktuar gati 10 lufta agresioni. Vetëm gjatë luftës së mbrame në Kosovë, forcat sërbe vranë 12 mijë qytetarë, dhunuan 20 mijë gra, dhe përzunë një milion ose gjysmën e popullsisë, ndërsa zhvendosën të paktën brenda vendit 90 përqind të banorëve. NATO-ja i dha fund llahtarisë dhe i dha fund apartheidit që pati vendosë regjimi i Millosheviqit, i cili përdori rrugë të jashtëligjshme më 1990 për ta pushtuar Kosovën dhe për t’ia përmbysë autonominë.

Koloneli Hogard botoi librin e tij në Beograd, kryeqytetin e Sërbisë. Ndërkaq, qeveria sërbe – ish-bashkëpuntorët e Millosheviqit dhe ata që dikur i kërkonin diktatorit të sillej edhe më ashpër ndaj shqiptarëve – vijon t’i ofrojë mbështetje financiare dhe logjistike grupeve kriminale në veri të Kosovës.

Parja njëmend i prish (i korrupton) disa njerëz.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.