A lejohet martesa gej në Kosovë?

Populli ka fitu bindjen se Kushtetuta e Kosovës e lejon martesën mes personave me gjini të njëjtë. Këtij mendimi i kanë kontribu edhe fjalët e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Prof. Enver Hasani. Gjatë një ligjërate që pati mbajtë në një universitet në Shtetet e Bashkuara, pat thanë se në kushtetutë nuk përmendet gjinia e bashkëshortëve.

Por kjo s’domethanë se një çift homoseksual mundet qysh tash me ba kunorë në Kosovë. Ndonëse e drejta e familjes dhe e martesës garantohet me kushtetutë, për këtë çështje vlen edhe ligji për familjen.

Nenit 37 i aktit më të lartë juridik thotë:

1. Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin.

2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve.

3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj.

Në këtë nen nuk përcaktohet gjinia e bashkëshortëve, por i lihet ligjit të vendosë. Kurse ligji për familjen, neni 3.1 dhe neni 14, martesën e rregullon në këtë mënyrë:

Neni 3. Parimet mbi rregullimin e marrëdhënieve familjare

Rregullimi i marrëdhënieve familjare bazohet në parimet:

1. Barazinë ndërmjet burrit dhe gruas, respektit dhe ndihmës së ndërsjellët ndërmjet tyre dhe anëtarëve të familjes.

[ . . . ]

Neni 14. Martesa

(1) Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht në mes të dy personave të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku me qëllim të krijimit të familjes.

(2) Mashkulli dhe femra kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të formojnë familje pa ndonjë kufizim në bazë të racës, kombësisë apo religjionit, si dhe janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj

Pra, ligji e përcakton qartë se gjinia e bashkëshortëve duhet të jetë mashkull dhe femër, dhe nuk lejon kunorëzimin e mashkullit me mashkull ose të femrës me femër. Por edhe nëse Kuvendi vendosë që ta ndryshojë ligjin, dhe ta lejojë martesën e personave me gjini të njëjtë, nuk do të ishte në kundërshtim me kushtetutën tonë.

Sidoqoftë, deputetët kanë pak gjasë t’i hyjnë kësaj pune. Dhe unë s’po thom se duhet apo nuk duhet që ligji të ndryshojë.

Nga

Freskim Musliu

Freskim Musliu

Djalë i ri nga Gjilani. Student i drejtësisë dhe anglishtes, shkrun për ligj dhe gjuhë.

Një mendim për “A lejohet martesa gej në Kosovë?”

Le përgjigje