Sistemi qeverisës: Parlamentarizmi, provë që nuk na duhet

Prishtinë — Sot partitë politike të Kosovës, në prag të hartimit të kushtetutës së re për shtetin e pavarur, nuk ngurrojnë të flasin në favor të një sistemi të qeverisjes, ndonëse preferencat e tyre u përshtaten më shumë ngritjes së mundësive për partinë përkatëse e jo ngritjes së mundësisë për qeverisje më efikase në Kosovë. Prej sistemeve që janë përmendur janë ai parlamentar, i zbatuar për momentin, dhe ai gjysmë-presidencial, i dikurshmi i Republikës së Kosovës, dhe i djeshmi e i sotmi i Republikës Franceze, Rumanisë e disa shteteve tjera.

Të gjykojmë drejt! Kosova provoi të dy sistemet e propozuara. Njëri sistem, ai gjysmë-presidencial, mund të mos jetë zbatuar plotësisht për shkak të okupimit serb dhe rrethanave të kohës, ndërsa ky i fundit, parlamentari, nuk u zbatua si duhet për shkak të mosgatishmërisë së politikanëve tanë. Deri në masa rekorde, deri në 3 muaj si në vitin 2002, partitë politike nuk merreshin vesh për ta zgjedhur presidentin dhe për ta krijuar qeverinë e re. Pastaj, emëronin ministra pa “legjitimitet”, e më e keqja edhe pa përgatitje profesionale. Në fund, emëronin kryeministra të pazgjedhur nga populli e pa kompetenca, se disa ishin të rezervuara për UNMIK-un, e disa për shefat e tyre që mund t’i shkarkonin kur t’iu tekej. Vetëm një dukuri mbajti gjallë për këto vjet qeverinë e Kosovës: qëllimi i përbashkët për pavarësi!

Dikush mund të thotë se ky pështjellim e mosfunksionim i organeve tona udhëheqëse është pasojë e zgjedhjeve me lista të mbyllura. E vërtetë! Listat e mbyllura na u imponuan. E vërtetë! Mirëpo na u imponua edhe sistemi parlamentar në një kohë kur Kosova madje konsiderohej të mbetej edhe pa president sipas Kornizës Kushtetuese. Andaj, tani kur kemi mundësinë të zgjedhim diçka vetë, siç është puna rreth hartimit të kushtetutës, duhet të matemi mirë e të veprojmë si duhet.

Lexoj në faqet e gazetave tona se përfaqësues të partive të vogla vlerësojnë se në Kosovë nuk ka kulturë të duhur politike për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli. Madje, sipas tyre një gjë e tillë do të ishte barrë e rëndë për Kosovën. Unë nuk kuptoj se çfarë barre do të ishte kjo për ne, kur këtë obligim qytetar e kombëtar e kryem edhe në kohëra më të vështira të okupimit. Qytetarët e Kosovës jo vetëm që kanë kulturë politike për ta zgjedhur kryetarin e vet drejtpërsëdrejti, por kanë edhe dëshirën dhe traditën që atij t’i akordojnë besimin e vet për ta udhëhequr shtetin. Është pjesë e të menduarit tonë politik që kreu i shtetit të ketë në dorë kompetenca më të mëdha dhe të mos jetë i rrezikuar nga lojërat parlamentare të partive politike. Kosovës i duhet një udhëheqës autoritativ e karizmatik, i cili do të merrte vendime të ligjshme, herë-herë të prera, merret vesh, gjithnjë në të mirë të interesit kombëtar.

Pra, pamë se populli për hir të traditës do të anonte kah sistemi presidencial ose gjysmë-presidencial. Populli do një udhëheqës të qëndrueshëm që mund të krijojë qeveri më legjitime, e cila edhe në qoftë përgjegjëse ndaj pushtetit ligjvënës, nuk do të bëhej vegël e tekeve të partive politike. E pamë edhe se sistemi parlamentar i deritashëm thjesht u tregua joproduktiv; partitë shikojnë interesin e vet. Por, duhet të bindemi se edhe nëse shpresojmë se në Kosovën e pavarur parlamentarizmi do të gjente hapësirë më shumë, jemi duke shpresuar kot. Në Kosovën e pavarur, kur zhvillimi ekonomik do të jetë prioritet dhe uniteti për çështje kombëtare nuk do të lypset, qeveritë e sistemit parlamentar do të ndërrohen aq shpesh sa edhe çorapët e ndonjë pasaniku, ndërsa zgjedhje të parakohshme, për të mos caktuar ndonjë periudhë, do të mbahen shpesh. Ndoshta me një ekonomi të fortë si të Belgjikës e Holandës edhe në Kosovë do të ecte sistemi parlamentar. Ndoshta edhe me traditën britanike do të ecte ky sistem, por jo me këtë gjendje në të cilën ndodhemi sot. Sistemi parlamentar u zëvendësua në shumë vende sepse nuk funksionoi, madje edhe në vende të forta si Franca. Pse të digjemi ne atëherë me prova që nuk na duhen. Më mirë të harxhojmë energji e kohë për përparim në ekonomi, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, sport e fusha të tjera të përditshmërisë dhe domosdoshmërisë sonë jetike.

(Autori është student në Teksas, SHBA.)

Botu në “Koha Ditore” më 27 qershor 2007

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avokat prej Prishtine të Dardanisë. Shkrun për shqiptarët, gjuhën, historinë, e politikën. Lexon çkamos. Ndihmon me mirëmbajtë sajtin për shqiptari, Plisi.org.

Le përgjigje