Qasjet kundërkushtetuese ndaj kushtetutës

Ramush Haradinaj nuk mund të ushtrojë funksionin e kryeministrit, pavarësisht nëse këtë ja kërkon presidenti apo e dëshiron vet, jo për shkak se ai është dorëhequr, por për shkak të arsyeve që ka dhënë në dorëheqjen e tij. Një zyrtar shtetëror që dorëhiqet për shkak të një procedure penale, pavarësisht natyrës së saj dhe prezumimit të pafajësisë ndaj tij, nuk është i pajtueshëm për të ushtruar funksione shtetërore deri në përfundim të asaj procedure me vendim që e liron nga akuzat apo e shpallë të pafajshëm.

Rasti Marbury v. Madison shënon institucionalizimin e kontrollit kushtetues të akteve legjislative nga ana e gjykatave. Mirëpo një praktikë e tillë e zhvilluar nga Gjykata Supreme Amerikane ishte e papërshtatshme për t’u institucionalizuar në formën e njëjtë sikurse në sistemin juridik anglo-sakson. Në anën tjetër, diskutimi mbi kushtetutën në Francë, aty ku i ka themelet, u zhvillua nën ndikimin e shkollës politike. Për këtë arsye, juristi gjerman Paul Laband, shumë vite para se të themelohej Gjykata Kushtetuese e Austrisë e cila shënon lindjen e gjyqësisë kushtetuese evropiane-kontinentale, i dha karakter juridik kushtetutës dhe metoda e tij e vlerësimit të kushtetutshmërisë vazhdon të përdoret edhe sot në teorinë dhe praktikën e së drejtës kushtetuese në Evropë. Sigurisht se një kontribut të pazëvendësueshëm e kanë dhënë edhe një numër i madh i juristëve gjermanishtfolës si Georg Jellinek, Johan-Caspar Bluntschli, Carl Schmitt, Gerhard Anschütz, Hans Kelsen dhe të tjerë, të cilët themelimin e shtetit gjerman e orientuan nën ndikimin e shkollës juridike. Për këtë arsye shtetet si Gjermania, Austria dhe Zvicra shquhen për një zbatim të lartë të parimeve të drejtësisë, sepse procesi historik i themelimit të këtyre shteteve lidhet pandashmërisht me të drejtën. Shteti dhe e drejta, e në kuptim garantimi i drejtësisë, janë sinonim i njëra-tjetrës në këto shoqëri.

Për dallim nga shembujt e lartpërmendur, themelimi i Republikës së Kosovës nuk u ndikua as nga shkolla politike dhe as nga ajo juridike. Ajo përbën një shembull kaotik të ndeshjesh së interesave, planeve dhe qasjeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që kishin qëllim të vetëm nxjerrjen e popullsie shqiptare të Kosovës nga arbitrariteti dhe shtypja në të cilën gjendeshin. Për fat të keq, ky kaotizëm dhe paqartësi idesh e përcolli Kosovën dhe po e përcjellë ende. Këto dy fenomene të përcjella edhe me degradimin e vazhdueshëm të shkollimit juridik, kanë krijuar një ambient në të cilin edhe situata më e thjeshtë juridike, e sfidon një shoqëri të tërë – duke e kthyer secilin në një interpretues të kushtetutës. Sikur ata që flasin për kushtetutën dhe fenomenet kushtetuese t’i njihnin metodat ndaj të cilës duhet t’i qasemi kushtetutës, nuk do të krijohej një mozaik fjalësh që në fund nuk japin përgjigje. Proceset juridike janë po aq të përllogaritshme sa janë fenomenet matematikore, kur zbatimi dhe interpretimi i së drejtës bëhet në mënyrën e duhur.

Zbrazëtia juridike nuk ekziston në të drejtën kushtetuese

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit ditë më parë, ka shkaktuar një kaos në mesin e akterëve politikë i cili po përcillet me një pasivitet të skajshëm të institucioneve kushtetuese që kanë kompetenca për të vepruar dhe do të duhej të kishin vepruar deri më tani. Deputetët e parlamentit po e presin arritjen e afateve që ju sigurojnë privilegje, ndërsa presidenti i shtetit në vend që të përmbushte detyrat e tij kushtetuese është kthyer në zakonin e tij të zakonshëm – atë të një kalkuluesi të pushtetit të tij personal. Në fakt, ai asnjëherë që nga zgjedhja e tij në këtë pozitë nuk ka arritur as për së afërmi të përmbush rolin që ja ka kornizuar kushtetuta. Madje as që e ka dashur një gjë të tillë.

Në anën tjetër diskutimi publik është duke u dominuar nga konstatime se për situatën e krijuar ekziston zbrazëti juridike. Një konstatim i gabuar që nuk gjen vend në sferën e së drejtës kushtetuese. Në fakt, termi zbrazëti juridike është një term politik dhe nuk është produkt i shkencës juridike. Ai i referohet të drejtës penale dhe asaj tatimore, në të cilat asnjë person nuk mund të dënohet për një vepër që nuk është shprehimisht e përcaktuar me ligj. Një parim i njohur që nga e drejta romake. Mirëpo, për dallim nga këto lëmi – në të drejtën civile dhe kushtetuese (e cila po ashtu bazën e metodikës e ka në të drejtën civile) nuk mund të ketë zbrazëti juridike.

Për më tepër, fenomenet kushtetuese janë të lidhura edhe me vetëdijen mbi shtetin, ndërsa kushtetuta nuk është akt i zakonshëm ligjor. Ajo normon parimet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri – e cila vet e aprovon atë kushtetutë – dhe ndaj të cilës vlen. Po ashtu, metodat e interpretimit kushtetues janë ato që nuk lejojnë asnjë moment të ketë zbrazëti juridike, sepse kushtetutat shkruhen në atë mënyrë që duke u interpretuar si tërësi rendi kushtetues ofrojnë zgjidhje për situatat që krijohen në jetën institucionale. Prandaj e kam theksuar edhe më herët se nuk do të gjeni asnjë kushtetutë që i normon të gjitha situatat. Ndërsa deklaratat se nuk kemi ligj për qeverinë po e vështirësojnë interpretimin e kushtetutës bien ndesh me parimet e interpretimit kushtetues. Sepse ajo nuk mund të interpretohet duke ju referuar një akti më të ulët se ajo, por vetëm përmes metodave të njohura të interpretimit kushtetues. Ajo po ashtu nuk mund të interpretohet përmes praktikave që kanë ndodhur në një sistem tjetër, sikurse po përmendet korniza kushtetuese. Sepse fillimisht ajo ka qenë periudhë e administrimit ndërkombëtar dhe nuk bëhet fjalë për një dokument kushtetues. Së dyti formulimet e tij dokumenti janë të ndryshme nga këto që gjeni në kushtetutën aktuale dhe përfundimisht në sistemet evropiane-kontinentale nuk mund të flitet për zakonin kushtetues si burim i së drejtës, sepse vetëm normat juridike të shkruara të cilat kanë hyrë në fuqi pasi janë aprovuar nga ligjvënësi mund të konsiderohen burim i së drejtës.

Një dallim bën interpretimi krahasues i së drejtës i cili pikërisht në rastin konkret do të kishte ofruar zgjidhje. Pasi Kosova nuk ka një sistem juridik unik i cili është rrjedhojë e proceseve historiko-juridike, por ka përqafuar një sistem juridik të gatshëm të cilin nuk e kanë kuptuar asnjëherë bartësit e institucioneve shtetërore.

Pyetjet jokushtetuese dhe zhbërja e vendimeve të veta nga Gjykatës Kushtetuese

Praktika kundërkushtetuese e «pyetjeve kushtetuese» ishte filluar me rastin Qeska, kur ish-presidenti Sejdiu kishte kërkuar interpretimin e dorëheqjes së tij nga Gjykata Kushtetuese. Ajo ishte kthyer në një mjet të zakonshëm të politikës për të arritur qëllimet e saj kur ish-presidentja Jahjaga i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dispozitat kushtetuese që lidhen me obligimin e presidentit që të mandatojë kandidatin për kryeministër. Një këshilltar juridik i presidentet kishte deklaruar në atë kohë se kjo ishte e domosdoshme, pasi kushtetuta ka kundërthënie. Po ashtu, pas pranimit për shqyrtim dhe vlerësimit në merita të kërkesës së presidentes, i njëjti kishte deklaruar se është njohur e drejta e presidentit që të kërkojë vlerësim abstrakt të kushtetutshmërisë së veprimeve të bartësve të pushtetit.

Por Gjykata Kushtetuese kishte theksuar se nuk ekziston asnjë kundërthënie mes dy neneve të kushtetutës. Rrjedhimisht nuk paska pasur arsye që presidentja t’i drejtohet gjykatës. Së dyti, kontrolli abstrakt i referohet kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe nuk ka të bëje fare me veprimet e bartësve të pushtetit. Një dallim themelor që çdo student juridiku e mëson, por që si duket kabineti i ish-presidentes nuk e paska ditur, përfshirë edhe atë si juriste.

Termi «pyetje kushtetuese» është marrë fjalë për fjalë nga ai në gjuhën angleze constitutional question, por që ka domethënien e «çështjes kushtetuese» dhe jo si i referohen juristët dhe opinioni. Pra kushtetuta në gjuhën angleze, njëjtë sikurse në gjuhën shqipe thotë se presidenti/qeveria ka të drejtë të referojë çështje kushtetuese, jo pyetje kushtetuese. Lloji i çështjeve kushtetuese të cilat presidenti/qeveria kanë të drejtë t’i referojnë është e rregulluar në nenin 113 të kushtetutës. Pranueshmëria e kërkesave të dërguara nga këto institucione është interpretuar deri vonë në mënyrë të gabuar, pasi është bërë në mënyrë të pavarur nga neni 113 i cili parasheh kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, palët e autorizuara dhe llojin e procedurave që zhvillohen para saj.

Pasi presidenti Thaçi filloi ta konsideron në vitin 2018 Gjykatën Kushtetuese si konsulencë personale, pata vendosur të shkruaj mbi kundërkushtetutshmërinë e kësaj procedure. Për habinë time, Gjykata Kushtetuese kishte kopjuar arsyetimin e dhënë në punimin tim dhe ju kishte dhënë fund pyetjeve jokushtetuese të referuara nga presidenti apo qeveria. Mirëpo, duke mos qenë të vetëdijshëm për pasojat e interpretimit që kanë dhënë, Gjykata ka konsideruar se procedurat e zhvilluara para saj në rastet e mëhershme, janë pranuar në kundërshtim me kushtetutën. Rrjedhimisht ajo ka pranuar se vendimet e nxjerra duke u bazuar në kërkesat e presidentit/qeverisë për interpretim të dispozitave kushtetuese apo ligjore, pa u bazuar në nenin 113 të Kushtetutës, janë të pavlefshme.

Dorëheqja për shkak të procedurës penale nuk lejon ushtrim të mëtejmë të funksionit

Rënia e qeverive është diçka e natyrshme në demokracitë parlamentare. Për dallim nga koncepti mesjetar i shtetit, kur ai kishte karakter personal (ishte i lidhur me personin), rënia e perandorit apo mbretit – për çfarëdo arsye – krijonte vakum në qeverisje. Në shtetin bashkëkohor shteti lidhet me sovranin (popullin si tërësi). Prandaj rënia e qeverisë nuk është arsye për t’u shqetësuar. Fundja qeveritë në Kosovë nuk është se kanë ndryshuar shumë jetën e qytetarëve, për të mirë.

Deklaratat se nuk guxojmë të lejojmë vakum institucional janë thjeshtë për konsum politik. Ngjashëm sikurse referimi i kërkesës përmes të cilës u kërkuara interpretimi i kushtetutës. Në një gjykatë kushtetuese të konsoliduar, atë shkresë do ta hidhte poshtë administrata, pra nuk do të kalonte fare në dorën e gjyqtarëve kjo çështje. Qeveria përbëhet nga stafi politik dhe stafi administrativ. Ky i fundit është bartësi kryesor i të gjitha funksioneve që i kryen ekzekutivi. Ata janë të punësuar me kontrata të përhershme dhe nuk varen nga ndryshimi i stafit politik (parimisht!). Në rast se ekzistojnë rrethanat në të cilat stafi politik nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione qeverisëse, atëherë zyrtari më i lartë administrativ në kryeministri dhe ai më i larti nëpër ministritë përkatëse, ushtrojnë funksionet edhe të stafit politik. Nënkuptohet se detyrat që ata ushtrojnë janë çështje me rëndësi vitale për shtetin dhe nuk përngjajnë me implementim të politikave programore të një qeverie. Situata të cilën po e kalon Kosova do të duhej ta vëntë në zbatim këtë rregullim juridik, sepse jo vetëm pozitën e kryeministrit, por asnjë pozitë tjetër nuk do të duhej ta ushtronte dikush që dorëhiqet për shkak të veprës penale. Në asnjë mënyrë nuk e paragjykoj epilogun e procedurës penale dhe as nuk komentoj për të, pasi kjo analizë bazohet vetëm në aspektin juridik-kushtetues të kësaj situate.

Nga Durim Berisha

Doktorant në Universitetin Heinrich Heine në Dyseldorf, ka shërbyer më parë si këshilltar juridik në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Qëndrimet e shprehura janë personale.