Si u ridashuru Gjermania në Angela Merkelin

Angela Merkel gjatë pandemisë
Angela Merkel gjatë pandemisë

Pandemia ia ka rikthy namin kancelares si një nga udhëheqëset ma të mira të vendit.

nga Anna Sauerbrey, opinioniste kontributore New York Times, 7 korrik 2020

Kancelarja Angela Merkel e Gjermanisë është kah e kryn mandatin. Pas gati 15 vjetësh në pushtet, pandemia ka gjasa me qenë e mbrama sfidë e madhe për të. Mundet me qenë edhe një nga vulat e trashëgimisë së saj: Virusi ka pajtu Gjermaninë me kancelaren.

Pasa se me ra virusi, mandati i fundit i zjs. Merkel nuk shkonte mirë. Edhe pse kancelarja e pat rimarrë veten disi prej jopopullaritetit e madje urrejtjes së hapur me të cilën u ballafaqu gjatë krizës së imigrantëve më 2015 e 2016, partia e saj — Unioni Demokristian (CDU) — e humbi hapin në zgjedhjet e 2017-s dhe po binte në sondazhe.

Në tetor 2018, pas humbjeve të rënda në zgjedhjet rajonale, zj. Merkel njoftoi se nuk do të kandidonte prapë në zgjedhjet kombëtare të 2021-tës dhe fill pastaj e dorëzoi detyrën e kryetares së partisë. Partneri i saj i koalicionit, socialdemokratët, qenë të çakorduar, gjithashtu, duke shënu rekorde ma të ulëta në sondazhe. Bashkimi Evropian përpëlitej e s’gjente dot gjuhë të përbashkët në çështje si imigrimi. Kancelarja dukej e hutuar dhe e pafuqishme.

Si kanë ndërru gjërat! Tash, në fillim të korrikut 2020, zj. Merkel po hyp përpjetë. Vendi, me shkallë dukshëm të ulët të vdekjeve dhe me një sistem tejet të vyeshëm të testimit dhe të gjurmimit, ka frenu pandeminë — dhe suksesin shumica po ia mveshin kancelares. Në një anketë të vrikshme, 82 për qind e gjermanëve thanë se zj. Merkel po kryn punën e saj «shumë mirë». Dhe CDU-ja sërish u ka ikë para sfiduesve.
Pandemia e ka rivitalizu zj. Merkel dhe ia ka rikthy namin si një nga udhëheqësit ma të mirë të vendin. Si ngjau kjo?
Kur ra virusi, as zj. Merkel as qeveria federal nuk ishin teknikisht përgjegjëse për çështjen. Shumica e kompetencave kyçe sipas kushtetutës — me i mbyllë shkollat ose me i detyru njerëzit me ndejtë në shtëpi — u takonin 16 shteteve federale të Gjermanisë. Por kancelarja menjëherë doli në pah si udhëheqëse, duke bashkërendu shkëmbimet mes drejtuesve të shteteve, duke nxitë rregulla të njëjta në mbarë vendin dhe duke ftu shkencëtarët kryesorë për ndihmë.
Ajo e kuptoi rëndesën e situatës që në fillim. Shefja e stafit, Helge Braun, më tha se kur ka dëgju në mesjanar se një virus i ri mund të transmetohet mes njerëzve, zj. Merkel menjëherë i ka kuptu implikimet e mundshme. Kjo ka ndodhë rreth dy javë para se me u hetu rasti i parë në Gjermani. Kur numri i të infektuarve u rrit kah fundi i shkurtit, kancelarja e dinte çka me ba. Ajo kërkoi mbylljen e pjesshme të jetës publike.

Befas, 16 guvernatorët shtetërorë i vajtën pas. Deri diku u voliste politikisht e praktikisht. Por edhe e respektonin zjn. Merkel dhe aftësinë e saj të jashtëzakonshme për t’u bë ballë krizave. Si kancelare, ajo ka përjetu krizën financiare, krizën e borxhit evropian, invadimin rus të Ukrainës më 2014, krizën e imigrantëve dhe pasojat ndërkombëtare të Brekzitit, si dhe zgjedhjen e Donald Trumpit më 2016.

«Ajo u bën ballë krizave», më tha Sigmar Gabriel, zyrtar i lartë socialdemokrat, që ka qenë anëtar i dy kabineteve të saj. «Gjermania është me fat që një udhëheqëse kaq me përvojë në kohë të koronës». Guvernatorët shtetërorë qartë ndiheshin njësoj. «Duket se ishin të lumtur që mund t’i shkonin pas», tha Thomas de Maizière, ish-shef stafi dhe besnik i qëmotshëm i zjs. Merkel.

Kancelarja veproi shpejt dhe vendosmërisht edhe në rrafshin evropian. Pandemia rindezi inatet e moçme mes Veriut e Jugut, kur sidomos Italia lypte ndihmën financiare e mjekësore që disa shtete veriore s’ishin qaq gati me ia dhënë. Dukej sikur Bashkimi Evropian mund të shthurej. «Besoj ajo e kuptoi se ky mund të ishte fundi i Evropës», tha z. Gabriel. «E dinte se nëse nuk vepron, shtetet anëtarë në nevojë do të lypnin ndihmë jashtë Evropës — dhe Kina ishte nxehë dhe e gatshme me ndërhy».

Dhe zj. Merkel u doli krah. Për vite të tëra, kancelaren e kanë kritiku se po bënte pak me shpejtu integrimin e Evropës. Por më 18 maj, zj. Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron i Francës propozunë një fond ambicioz të rimëkëmbjes. Sugjerunë se Komisioni Evropian duhet me marrë hua 500 miliardë euro (545 miliardë dollarë) prej tregjeve financiare dhe me ua shpërnda shteteve anëtare në nevojë. «Ky rast», tha z. Gabriel, që ka shërby si ministër i jashtëm nën zjn. Merkel, «ishte ndërrim paradigme».
Reagimi i shteteve veriore si Austria, Nederlanda, Danimarka e Suedia ishte i ashpër. Negociatat u zvarritën. Por zj. Merkel e bëri të qartë qëndrimin e saj. «Është në interesin e të gjitha shteteve anëtare me mbajtë të fortë tregun e brendshëm evropian», vuri në dukje pa lëkundë qerpikun në një intervistë së fundmi, «dhe me qëndru të bashkuar në arenën botërore». Me fjalë të tjera: Ajo e shihte krizën si mundësi të madhe për t’i tejkalu ndrojtjet rreth integrimit ma të thellë evropian, si në Gjermani ashtu në mbarë kontinentin, dhe po e shfrytëzonte këtë mundësi.

Ma befasi, sidoqoftë, është si zj. Merkel ia doli mbanë me u lidhë me qytetarët e Gjermanisë. Në krizat e mëparshme, asaj i duhej me e bindë partinë e vet ose udhëheqësit botërorë. Kësaj radhe, popullin gjerman.

Ka mujtë me u ngatërru. Të gjithë e dinë se zj. Merkel s’e ka lehtë me u lidhë me njerëzit: Ato tipare që njerëzit ia çmojnë ma së shumti — besueshmëria, shprehia e punës, arsyeshmëria — krijojnë edhe një ndjenjë largësie. Sjelljen e ka qetësuese, por nganjëherë nuk mbërrin me depërtu a me i nxitë njerëzit. Është kancelare fundekrye. «Ka veç një Angela Merkel», më ka thënë z. Braun, shefi i stafit të saj. «Prapa skenave, ajo është njëjtë si në publik».

Qe krejt e papritur kur, më 18 mars, zj. Merkel foli drejtpërdrejt e haptazi me popullin gjerman përmes një fjalimi televiziv. Kancelarja, që në përgjithësi nuk çmohet për oratori, mban fjalim televiziv veç një herë në vit, natën e Vitit të Ri. Por pse foli çka foli atë mbrëmje — e përmendi Luftën e Dytë Botërore — apo pse mbajti fjalim jashtë zakonit, punën e kreu. Angela Merkeli i preku qytetarët e Gjermanë në zemër e mendje.
Para pandemisë, me ekonomi të shëndoshë dhe me tepricë buxhetore tepricë buxhetore 19 miliardë euro (mbi 21 milionë dollarë), zjn. Merkel e kritikonin se s’po bënte mjaft. Nuk po udhëhiqte vendin e saj dhe Evropën; ajo thjesht po i menaxhonte. Kritika tani duhet e tepruar. Ndërsa Gjermania i përballoi me durim javët e tmerrshme të ngujimit, e pa Angela Merkelin me sy të ri. S’ishte ma e stërkujdesshme e ngurruese, por udhëheqëse e devotshme plotësisht e aftë që i del zot vendit kur i vyn ma së shumti.
Jo që po i len qaq përshtypje popullariteti i ri! «Kur merresh me politikë», tha muajin e kaluar, «duhet me iu përshtatë realiteteve e situatave të reja. Qët punë e kemi».


Anna Sauerbrey, që ka kontribu me opinione në New York Times nga 2015-a, është redaktore dhe gazetare e së përditshmes gjermane Der Tagesspiegel prej 2011-s.

Foto: Kancelarja Angela Merkel pas një seance të Bundesratit, javën e kaluar (Fabrizio Bensch/Reuters)

Nga Plisi

Themelu më 28 nëntor 2012, Plisi është sajt për qytetari dhe shqiptari.