Shqipja, Shkup, e shpëton shtetin

Lagjja e vjetër e Shkupit -- Jason Drury, "Skopje Old Town," 2012
Lagjja e vjetër e Shkupit -- Jason Drury, "Skopje Old Town," 2012

Përleshjet e armatosura në Kumanovë na i japin do mësime të vyeshme për Maqedoninë. Qe të përmbledhura në tri pika:

1. Maqedonia ka të pazgjidhur çështjen shqiptare

Atje u vranë njerëz në emër të çështjes shqiptare. S’domethënë tash se grupi militant që po i thotë vetes UÇK ka gjetë mënyrën e duhur me u shërby shqiptarëve. Por Maqedonia ka një problem që duhet zgjidhë para se dikush tjetër ta përdorë atë për qëllimet e veta.

Për dekada, qeveria në Shkup trajton shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë, pa iu dhënë mundësi me e qujtë Maqedoninë shtet të tyre. Kjo paturpësi duhet të marrë fund.

Ndërkohë që policia shtetërore pandeh se e ka shpërbë grupin e armatosur, udhëheqjes së vendit i takon me u përqendru në gjetjen e një zgjidhjeje. Problemi këtu është gjendja e shqiptarëve, jo gjendja e sigurisë.

Maqedonia ka interes jetësor me e rujtë rendin dhe paqen në tërë truallin e saj. Por kjo mbëhi s’e përligj dot Kryetarin Gjorge Ivanov tek paralajmëron se do ta paguajnë shtrejtë të gjithë ata që kanë vepru kundër shtetit.

Dorën në zemër, para se t’i ndëshkojë militantët, shteti duhet t’ia lidhë duart krerëve të vet që — drejtpërdrejt a tërthorazi — yshtën zjarrin e fundjavës.

Maqedonia e ka lehtë me shpëtu vetveten.

Në njërën anë, ka shembullin e Britanisë, që arriti me i bindë skotët se “bashkë është më mirë.” Kundërshtarët e ndarjes fituan referendumin e vjetëm, jo tue u kërcënu por duke ndëgju e duke i dhënë më shumë pushtet popullit të Skocisë.

Në anën tjetër, ka shembullin e Jugosllavisë mospranuese. Miliona folës e bënin shqipen gjuhën e dytë në vend; Beogradi e përbuzte si një pixhin të pavlerë të një pakice ardhacake. Kur shqiptarët kërkuan republikën e tyre, shteti iu përgjigj me dhunë e shtypje që brenda një dekade e vyshku ekonominë e Dardanisë për gati 15 përqind. Dhe kur lypën denjësi njerëzore, Beogradi ua ktheu me gjenocid.

Mohimi i lëndoi shqiptarët, por ia pruni vdekjen Jugosllavisë.

2. Shqiptarët në Maqedoni i kanë punët ligsht edhe shkaku i Marrëveshjes së Ohrit

Punët janë keq pse ujdia e 2001-shës s’është zbatu plotësisht. Por edhe për aq sa është zbatu, dokumenti kornizë që i dha fund luftës në Maqedoni i ka marrë në qafë shqiptarët.

Andaj zgjidhjen e çështjes shqiptare duhet me kërku përtej Marrëveshjes së Ohrit.

Shkaku i saj, shqiptarët jetojnë të izoluar nëpër geto. Ata mund ta përdorin gjuhën e tyre vetëm në këtë ose atë komunë. Por jashtë tyre a në ngrehimet qendrore të shtetit, shqipen s’e ndien kund.

Kontaktet ndëretnike janë të kufizuara. Dhe megjithë thirrjet për paqe e bashkëjetesë që i kemi ndëgju prej shumë qytetarëve, pjesëtarët e kombësive shihen ende me mosbesim.

Qytetarët nuk i zgjedhin përfaqësuesit e tyre sipas programeve politike e as integritetit individor. Zgjedhjet bëhen në vija etnike, duke kriju veç sapërsyefaqe një qeveri gjithpërfshirëse.

Ky rregullim shtetëror i vret shqiptarët. E mbyt njashtu Maqedoninë.

Shqiptarët marrin pjesë në qeveri, por nuk përfaqësohen në qeverisje. Duke iu bë mashë pushtetit jodemokratik, prijësit shqiptarë në Maqedoni janë bashkëfajtorë dhe për vuajtjet e joshqiptarëve.

E qysh me pritë atëherë ne se një qeveri e re pranë Vardarit ka me ua ndi dhimbët shqiptarëve dhe me ua mbajtë më fort krahun?

3. Maqedonia mund ta zgjidhë çështjen shqiptare vetëm duke e ribë shtetin

Me fjalë tjera, vendit i duhet një kushtetutë që mundëson të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët — pa dallim etnie, gjuhe, ja vendbanimi.

Me i përdorë fjalët e trashëguara nga kushtetutat jugosllave, shqiptarët duhet të jenë “komb shtetformues.” Dhe në një farë mënyre, shqiptarët në Maqedoni i kanë hak po ato të drejta që Pakoja e Ahtisaarit ua jep sërbëve në Dardani.

Për ta arritë qëllimin, barazia gjuhësore është e para ndër ngutshmëritë. Shteti i trazuar s’un ia zgjatë jetën vetes pa e njohë shqipen për gjuhë zyrtare dhe të barabartë me sllavishten, në mbarë truallin e Maqedonisë dhe në të gjitha nivelet e qeverisë.

Maqedonia e ka lehtë me e zgjidhë këtë telash.

Historia na mëson se regjimet që shpërfillin gjuhën shqipe nuk arrijnë t’i qëndrojë kohës. Në fillimshek. XX, Porta e Lartë luftoi me ngulm arsimin shqip, duke nxitë dhe kryengritjet që praktikisht e nxorën Perandorinë Osmane jashtë Ballkani.

Për aq sa qe, Jugosllavia e Titos pati tri gjuhë zyrtare: sërbo-kroatishten, sllovenishten, dhe maqedonishten. Por shqipja s’e gëzonte atë status, ani pse kish pothuajse më shumë folës sesa sllovenishtja e maqedonishtja së bashku.

Shqiptarët asokohe zhvilluan krejt jetën botore në krahinën e Kosovës, meqë vetëm aty ata mund ta përdornin gjuhën e tyre më lirë se tjetërkund. Trualli i tyre u tkurr, ndërsa braktisën viset ku pushteti shtypte arbërishten. Por kuptuan gjithashtu se prej kujt me u rujtë — prej shtetit armik, Jugosllavisë.

Kështu është dhe sot. Përderisa shqipja të mos jetë gjuhë zyrtare në krejt vendin, Maqedonia s’mund të jetë kurrë shtet demokratik.

Sepse çdo rregullim që kufizon përdorimin e gjuhës nënkupton ndarje tokësore dhe detyrimisht segregim. Dhe thjesht, disa punë të qeverisë s’kanë pse i bëjnë ndaras shqiptarët e veçmas të tjerët; bashkë mun i kryejnë më mirë.

***

Kjo është mundësia e vetme me iu shmangë të këqijave që mun i sjell shtypja a lufta. Si shqiptarët, si Maqedonia, si Evropa — të gjithë meritojnë me gëzu ndoj ditë më të mirë.

Ndodh se Maqedonia është krijesë artificore. Por zor gjendet dhe dorë njeriu që republikën ballkanike ta ndajë — natyrshëm dhe kënaqshëm — më dysh.

(Foto: Lagjja e vjetër e Shkupit — Jason Drury, “Skopje Old Town,” 2012)

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.