Turqia, vend demokratik?

Si pasojë e përpjekjes për një grusht shteti në Turqi, nëpër rrjetet shoqërore po diskutohet gjerësisht mbi Turqinë dhe politikën e saj. Një prej gjërave që bie në sy është se kundërshtarët e grushtit të shtetit – që nuk janë vetëm përkrahësit e kryetarit Recep Tayyip Erdoğan – thonë që qeveria turke është qeveri “demokratike”, dhe rrjedhimisht ka legjitimitet qeverisës.

Te kjo pikë duhet të ndalemi pak: çfarë do të thotë demokraci në radhë të parë?

Tani demokracia në kuptimin e parë të saj do të thotë “sundim i popullit” ose më kontekstualisht “sundim i shumicës” (nga greqishtja e lashtë δῆμος (dêmos), populli, dhe κράτος (krátos), pushtet ose sundim).

Por sot faktikisht ne nuk i referohemi kuptimit të parë të demokracisë kur e përdorim atë fjalë, ne i referohemi kuptimit modern, pra demokracisë liberale që nënkupton, mes tjerash, institucione përfaqësuese, zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarje të pushteteve, liri të shprehjes dhe fjalës, liri politike, liri ndërgjegjeje dhe qeveri që respekton pakicat kombëtare e opozitën politike.

Tani Turqia, sipas një raporti nga The Economist, cilësohet si “regjim hibrid” (pra, as demokratik, as autoritar), por në kategorinë e lirive individuale është më afër me regjime autoritare si Vietnami, Egjipti dhe Zimbabveja, se sa me pjesën tjetër më demokratike. Organizata Freedom House e cilëson Turqinë si vend “jo të lirë”, ndërsa Reporterët pa Kufij e rendisin të 149-n nga 180 shtete në botë për lirinë e fjalës.

Më konkretisht, Turqia është një nga vendet që fut më shumë gazetarë në burg dhe ku policia bastis media armiqësore rregullisht. Po ashtu ka pasur raste që fëmijë 12-vjeçarë janë futur në burg se kanë “ofenduar” Erdoğanin në Facebook. Madje ka pasur dhe raste të tilla ku burri ka denoncuar gruan se shante Erdoğanin, që të kujton më shumë diktaturën enveriste në Shqipëri se sa ndonjë vend demokratik.

Tani, edhe pse mendoj se duhet të jemi kundra grushtit të shtetit, duhet të pranojmë se Turqia nuk është vend demokratik, të paktën nëse me demokraci nënkuptojmë demokracinë liberale dhe jo diktaturën e shumicës.

Foto: Recep Tayyip Erdoğan, 2013 (Evrim Aydın, Anadolu Ajansı)

Shih edhe: Dy fjalë për Turqinë

Nga

Mario Kuçi

Mario Kuçi

Student nga Shqipëria. Banon në Gjermani. Pëlqen historinë, politikën dhe temat shoqërore si barazia gjinore apo dhe roli i shkencës në jetën e njeriut.

Le përgjigje