Dy kombëtare, një abetare

Kryeministri shqiptar Edi Rama u taku sot me «150 maturantët më të mirë të vendit», me të cilët foli për pranimin në universitet. Kurse mua më erdhi një porosi e çuditshme: «mfal a ka afat t2 ne filologjik Gj.shqipe? [sic]», më shkrun në Facebook një i panjofshëm. Ta qujmë Leart.

Learti nuk po më pyeste për afatin kalimtar në futboll, ku jemi dyzu në kombëtaren shqiptare e përfaqësuesen e Dardanisë. Atij i interesonte me u regjistru në universitet. Në arsim të paktën, kemi një abetare të përbashkët për gjithë shqiptarinë. Por jemi edhe më të ndarë se në sport kur bëhet fjalë për arsimin e lartë.

Leartit i thashë me shiku në sajtin e universitetit, ngaqë s’dija për konkursin. Nuk e përmendi e as nuk pyeta se cili universitet i interesonte. Por mbiemri që kish, netlekti që përdorte, dhe fakti se po më pyeste mua si prishtinas ma lidhnin më fort me Dardaninë.

Kështu pandeha se donte me u regjistru në mësonjëtoren më të prestigjshme në vend — Universitetin e Prishtinës.

Nuk i bie keq me shku në shkollë afër shtëpisë. Por largësia s’është arsyeja kryesore as e vetme pse Learti s’mendon edhe për ndonjë tjetër universitet shqiptar. Për këtë thjesht nuk ia vlen barra qiranë.

Leartit i duhet me u përgatitë veçmas për secilën shkollë. Për t’u regjistru në Universitetin e Tiranës, ai do të udhëtojë qinda kilometra, dorëzojë dokumentet të posaçme, do kërkojë njohjen e diplomës e do ndjekë një mori udhëzimesh të koklavitura (në vend të një provimi pranues), dhe do paguajë një kosto jo fort të ulët. Në mos lekë, kjo përpjekje do i kushtojë me kohë dhe me rrezikun që ta humbë vendin në Prishtinë. Andaj, Learti përqendrohet aty ku i ka gjasët më të mira.

Herëpashere, universitetet tona kanë zbatu një kuotë për pranimin e studentëve shqiptarë që vijnë nga jashtë vendit. Por këto, sado dashamirëse, nuk kanë sjellë ndonjë përtërësim mbresëlënës të kombit tonë. Duhet të bëjmë më shumë, dhe këtë mund ta bëjmë pikësëpari duke e njësu ecurinë e regjistrimit.

Së pari, të gjithë maturantët shqiptarë duhet të kenë të njëjtat të drejta për të konkurru në cilindo universitet. Së dyti, duhet t’i dorëzojnë lutjet përmes një sistemi të vetëm. Së treti, t’i nënshtrohen një provimi pranues (të fushës së tyre) për të gjitha ngrehimet e arsimit të lartë në hapësirën shqiptare. Dhe së mbrami, universitetet duhet të konkurrojnë mes vete për studentët më të mirë shqiptarë.

Një trup i përbashkët mbarëkombëtar duhet të mbarështojë aplikimet e studentëve, të organizojë provimet pranuese, dhe të shërbejë si urë lidhëse mes universiteteve dhe maturantëve. Vendet e zhvilluara kanë zënë me e zhvillu këtë ide që në shekullin XIX. Sot, studentët në Juesej aplikojnë përmes shoqatës College Board, në Britani përmes UCAS-it, dhe në Hongkong përmes JUPAS-it. Shumë universitete në Amerikë e Evropë pranojnë formularin e përbashkët, Common Application. Edhe shqiptarëve u duhet një këshill i pranimeve dhe një aplikim i njësuar.

Kështu, Learti do të hynte në sajtin e këshillit, do të plotësonte formularin, të zgjidhte fushat dhe universitetet që i pëlqejnë, dhe të regjistrohej për provimin pranues në qytetin më të afërt. Ato dokumente që shkolla e mesme s’arrin t’ia digjitizojë, Learti do t’i dorëzonte vetë në një përfaqësi vendore. Por në fund, këshilli mbarëkombëtar do të njoftonte zyrat e pranimeve anekënd shqiptarisë, dhe shkollat tona do t’i përzgjidhnin vetë studentët më të mirë e të garonin për t’i bë për vete.

S’është punë pa huqe. Por mund të jetë e vetmja mënyrë për t’i nxjerrë Leartin e Laertin jashtë provincës së vet, për t’i detyru me e njohë njëri-tjetrin, dhe për t’i nxitë me u lidhë si pjesë të pandashme të një trungu.

Tekembrama, ne shqiptarët jemi të ndarë pse nuk lëvizim brenda trojeve tona. Kemi gjasë me u shpërngulë nga fshati në qytet, nga rrethet në kryeqytet, ose nga vendi në dhe të huaj. Por lëvizim fare pak brenda vendeve tona, ani pse kufijtë nuk janë më të gjembosur siç ishin dikur.

Në vitet ’70 e ’80, kur kombi ynë jetonte i shtypur a i pushtuar, universiteti e intelektualët shtonin shpresën për bashkim. Përkundër pengesave të politikës, Shqipëria Londinare dërgonte profesorë e dijetarë që u ligjëronin studentëve nga mbarë ish-Jugosllavia në Universitetin e Prishtinës, shtëpia Rilindja botonte veprat e shqiptarëve nga të gjitha trojet, dhe në Institutin Albanologjik në Dardani punonin bashkëkombas nga Mali i Zi e Maqedonia. Kurse sot në liri, bashkëpunimi e shpresa na janë zbehë.

Vërtet kemi nxjerrë një abetare të përbashkët. Por kur ia vëren cilësinë dhe sheh politikanët tek rrahin gjoks për këtë «arritje të madhe», nis me dyshu në e kanë njëmend për hir të bashkimit. Thjesht, ç’kemi arritë me bashku përtej abetares?

Vërtet tifozët tanë e duan dhe një kombëtare të vetme. Por edhe këta kur i sheh tek e përbuzin Dardaninë, dyshon se e kuptojnë punën që kërkon bashkimi. Thjesht, kemi bë qoftë një turne mbarëkombëtar që me kalu te garat mes kombeve?

Ta nisim pra një punë të njëmendtë — me studentët tanë.

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Le përgjigje