Projekt-kushtetutë për Kosovën



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

(Përditësu më 20 gusht 2019) Kjo është për­pjekje me hartu një ku­shte­tutë mo­der­ne shkurt e shqip1 — në gjuhë të thje­shtë e të thukët:

Lexoje në PDF (A5) [244 kB]

Projekti ka zanafillën në një draft më të gjerë që e kam botu më 2015 dhe e kam ripunu më 2018.2 Ky va­­riant është më i thukët, më i për­sosur, dhe më praktik. Për­veç për­mbaj­t­jes së re dhe hua­zi­me­ve nga kushtetutat botërore, për­­fshin edhe pjesë të rishkruara të ku­­shte­tu­tave të më­par­shme të vendit. Me rreth 6 mijë e 500 fjalë, do të hyn­te ndër 20 kushtetutat më të shkurta; me përmbajtje ndër 20 kush­te­tutat më të shkurta; me përmbajtje ndër më de­mo­­­kra­ti­ket.3 Për krahasim, ku­sh­tetuta në fuqi është gati katërfish më e gjatë.

Projekti synon me ndërtu një republikë të mirëfilltë parla­men­tare. Qysh në hyrje, përqafon vlerat e gjithësishme, lartëson mos­dis­kri­mi­nimin dhe diversitetin, dhe cek aspi­ra­tën e shqiptarëve për t’u anë­ta­rësu në Bash­ki­min Evropian. Kreu I për­kufizon Kosovën si shtet që res­pekton të drejtën ndërkombëtare, kurse kreu II mbron të drej­tat the­me­lore prerazi, duke parapa mes të tjerash for­ci­min e de­mo­kra­­cisë, barazinë gjinore, të drejtat sho­që­rore, të drejtat e ko­mu­ni­te­te­ve, si dhe sfi­da­t në botën digjitale. Projekti për­cak­ton shko­qur kom­pe­ten­cat e organe­ve shtetërore, para­sheh zgje­dh­je me orar fiks, ven­dos rregulla të qarta për zgje­dh­jen dhe emë­rimin e zyr­ta­rëve kyçë, dhe forcon mëvetësinë e gjyqësorin dhe or­ga­­neve të po­s­aç­me. Mbi të gjitha, zvogëlon mundësinë me keq­për­dorë push­tetin.

Stili i hartimit priret nga thjeshtësia e qartësia, duke huazu nga për­vo­jat e ven­de­ve të zhvilluara që po i përmirësojnë ligjet e veta duke i rishkru në gjuhë që e kup­tojnë qytetarët e rëndomtë.4 Teksti sy­non me thënë më shumë me më pak. Shmang përsëritjet dhe sino­ni­met, para­pël­qen një­trajtë­sinë, dhe rendit për­mbajt­jen lo­gjik­shëm. Aty-këtu përdor ndonjë fjalë më të vjetër nga tradita letrare dhe ju­ri­di­ke shqi­ptare, veçmas në hyrje, por pa cenu kuptimin.

Këtë dorëshkrim të përditësuar po ua dorëzoj për lexim e diskutim da­shamirëve të ligjit në përvje­torin e Lidh­jes Shqip­tare të Prizrenit dhe në 20-vjetorin e çli­ri­mit të Dar­da­nisë.

Dr. Getoar Mjeku
qershor 2019

1 Shih kuptimin e fjalës shqip në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, AShSh (2006); shih dhe shkrimin tim, «Shkruj shkurt e shqip», Plisi.org (27.4.2018), https://pli.si/2FnXPPl.

2 Projekt-kushtututë për Dardaninë (2015), Plisi.org, http://plisi.org/pkd.

3 Comparative Constitutions Project, «Constitution Rankings», përdit. 8.4.2016, http://comparativeconstitutionsproject.org/ccp-rankings.

4 Shih Mjeku, shënimi 1, sipër.

Hyrje

Ne, populli zot e krenar5 i Kosovës6 së lirë, lidhë besa-besë —

me i mbrojtë vlerat e gjithësishme të njerëzimit dhe të drejtat e pa­tjetër­suesh­me të secilit njeri pa dallim,7 me rujtë vetvetësinë e lar­minë tonë në dhe­un stërgjyshor,8 dhe me jetësu vegimin e të parëve tanë9 dhe ënd­rrat e brezave që vijnë,

duke ndërtuar një shtet të drejtë, përparimtar, e të fu­qi­shëm, që do të rrojë me nder në gjirin paqedashës të kom­be­ve euro­atlan­tike, tash e sa të ketë mot —

shpa­llim dhe vendojmë këtë Kushtetutë.

5 Fjala zot thekson sovranitetin e popullit. Shkruhet me të vogël, meqë dallon nga emri Zot si sinonim për Perëndi apo Hyj. Dyzimi zot e krenar shfa­qet letërsi e shumë fjalime atdhetare, përfshi një nga vargjet e Mitrush Kutelit, në ve­p­rën Po­em kosovar (1943).

6 Alternativë: Dardanisë. Shih projektin Darveny, http://plisi.org/darveny/.

7 Një draft i mëhershëm i preambulës së këtij projekti theksonte besën ndaj denjë­sisë, barazisë e lirisë.

Këto qenë riformulim i parimeve themelore që At Zef Va­len­tini ka nxjerrë nga e drejta do­ke­sore kosovare: nderi i vetës, barazia e të gji­tha vetave, liria individu­a­le brenda kufijve të ligjit, dhe besa. Shih Noel Mal­com, Kosovo: A Short History (Har­perPerennial, 1999), f. 18 (citon G. Va­le­n­ti­ni, red., La legge delle montagne albanesi nelle relazioni della missione vo­lan­te 1880–1932 (Flo­rence, 1969), f. x–xi). Këto parime ngja­sojnë me trininë e John Lockeut, që amerikanët e po­e­ti­zu­an si «jeta, liria dhe ndjekja e lumtu­nisë». Shih John Locke, Second Treatise of Go­ver­n­ment (London, 1690), para. 87, https://www.gutenberg.org/etext/7370; dhe për­kthi­min shqip të Deklaratës së Pa­va­rë­sisë së Shte­te­ve të Ba­shkuara, Pli­si.org, http://pli.si/2ulhVWb.

Ver­sioni i tashëm për­mend the­kson vlerat e gji­thë­sishme dhe të drejtat e nje­ri­ut, meqë këto ngër­thejnë me­do­emos kon­ceptet që përmendin Va­lentini e Lockeu.

8 Fjala vetvetësi (ose vetëvetësi) ka kuptimin e identitetit. Ideja e frazës është me e rujtë identi­te­tin dhe vazhdi­më­sinë e popullit vendas.

9 Vegimi (apo vizioni) i të parëve nënkupton në radhë të parë idealet e rilindasve, por dhe për­pjek­jet e të gjithë brezave për liri dhe demokraci në tro­jet tona.

Kreu I
Parime të përgjithshme

Neni 1. Shteti

  1. Përcaktimi. Kosova është shtet i pavarur e sovran i theme­luar si:
    (1) republikë parlamentare;
    (2) demokraci shoqërore; dhe
    (3) shoqëri e hapur dhe shekullare.
  2. Populli. Popullin e përbëjnë kombi shqiptar dhe komunitetet e qy­te­tarët kosovarë.
  3. Trualli. Trualli kosovar është një dhe i pacenueshëm.
  4. Emri. Emrat Kosovë dhe Dardani janë të barasvlershëm.

Neni 2. Ligji

  1. Në përgjithësi. Të gjithë i nënshtrohen ligjit.
  2. Hierarkia. Janë ligj i vendit dhe zbatohen me rend pasi të boto­hen:
    (1) e drejta e detyrueshme ndërkombëtare;
    (2) Kushtetuta;
    (3) marrëveshjet ndërkombëtare që i ratifikon Kosova;
    (4) normat e një organizate ndërkombëtare që Kosova është pajtuar t’i zbatojë drejtpërdrejt;
    (5) ligjet dhe aktet e mbështetura në ato ligje; dhe
    (6) burimet e tjera të së drejtës.
  3. Fletorja Zyrtare. Botohen në Fletoren Zyrtare ligjet dhe aktet e botueshme që nxjerrin organet shtetërore.

Neni 3. Qeverisja

  1. Sovraniteti. Sovraniteti10 i përket popullit, i cili sundon për­mes për­faqë­sues­ve të zgje­dhur.
  2. Parime të qeverisjes. Qeverisja mbështetet në:
    (1) shtetin e së drejtës;
    (2) zgjedhjet e lira e të periudhshme;
    (3) ndarjen dhe baraspeshimin e pushteteve mes organeve ligj­­nëse, për­mba­ruese, gjyqësore, dhe të posaçme;
    (4) veprimin në shkallën më të ulët të qeverisjes që mund të vep­rojë efekt­shëm;11 dhe
    (5) veprimin në përpjesëtim me qëllimin e veprimit.12
  3. Ekonomia. Rendi ekonomik mbështetet në sipërmarrësinë e vye­sh­me dhe tregun e lirë. Shteti mundëson kontrollin demo­kra­tik mbi mjetet e pro­dhi­mit dhe rregu­llon tregun sa është e do­mos­do­sh­me për mirë­qenien e për­gjithshme.

10 Alternativë — Ky paragraf mund të zëvendësohet me një nen titullu «Sov­ra­n­iteti» si vijon:
— Populli ka themelu shtetin për t’i mbrojtë të drejtat the­me­lore dhe për t’i shër­by të mirës së secilit dhe të gjithëve.
— Sovraniteti i përket popullit, i cili sundon përmes përfaqësuesve të zgjedhur ose drejt­përdrejt me referendum.
— Populli lidh besën se do t’i mbrojë përjetësisht dhe me të gjitha mjetet Kosovën, sov­rani­te­tin e po­pu­llit, dhe të drejtat themelore. Për aq kohë sa e mban be­sën e dhënë, populli mund t’i bëjë Kushtetutës çfarë­do ndry­shimi që e sheh të vye­shëm.

Para­grafi i fundit është përshtatë nga Kushtetuta e Teksasit (1876/2017), ShBA, neni 1.2. Ideja është me thek­su pamundësinë e ndryshimit të kush­te­tu­tës në më­nyrë që pa­kë­son të drejtat e nje­riut dhe liritë the­me­lore.

11 Parimi i ndajshtimit ose subsidiaritetit, siç e zbatojnë Bashkimi Evropian dhe disa fe­de­rata evro­piane si Gjermania e Zvicra. Shih Traktati i Konsoliduar i BE-së (2009), neni 5; Ligji Themelor i Gjermanisë (1949/2014), neni 23.1; Kush­te­tuta e Zvi­crës (1999/2014), neni 5A. Zbatohet edhe në qeverisjen vendore. Ligji për vetëqeverisjen lokale, 03/L-040, GZRK 28/2008, nenet 3 dhe 15; Ligji për vetëqeverisjen vendore (Shqipëri), nr. 139/2015, nenet 2.12 dhe 10.

12 Parimin e përpjesëtueshmërisë gjithashtu e zbaton Bashkimi Evropian. TBE (2009), neni 5.4.

Neni 4. Vetvetësia shtetërore13

  1. Gjuha. Gjuhë zyrtare është shqipja. Shteti mund t’i përdorë gju­hët e ko­mu­ni­te­teve për nevo­jat e qytetarëve.
  2. Kryeqyteti. Kryeqytet është Prishtina. Shteti mund ta bartë se­linë e një or­gani në qytet tjetër.
  3. Simbolet. Flamuri dhe simbolet e tjera shtetërore përcaktohen dhe mbrohen me ligj.

13 Alternativë: identiteti shtetëror. Shih shënimin 8, sipër.

Kreu II
Të drejtat themelore

Neni 5. Përcaktimi

  1. Në përgjithësi. Të gjithë njerëzve u takojnë të drejtat themelore, që janë të gjithë­sishme dhe të patjetërsueshme.
  2. Veta juridike. Vetës juridike14 i takojnë të drejtat themelore që janë të do­mos­dosh­me për qëllimet e saj të ligjshme.
  3. Instrumente. Zbatohen drejtpërdrejt këto instrumente ndër­kom­­tare:15
    (1) Deklarata universale për të drejtat e njeriut;
    (2) Konventa evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive the­me­lo­re të nje­riut dhe protokollet e saj;
    (3) Konventa ndërkombëtare për të drejtat civile e politike dhe pro­to­ko­llet e saj;
    (4) Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskrimi­ni­mit racor;
    (5) Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskri­mini­mit ndaj gruas;
    (6) Konventa për të drejtat e fëmijës;
    (7) Konventa kundër torturës dhe trajtimeve e ndëshki­meve të tjera mi­zore, jo­nje­rëzore, dhe poshtëruese;
    (8) Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luf­ti­min e dhu­nës kun­dër grave dhe dhunës në familje;
    (9) Konventa kornizë e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pa­ki­cave ko­m­bë­ta­re; dhe
    (10) Karta evropiane për gjuhët rajonale ose të pakicave.

14 Emri vetë domethënë person. Pra, vetat juridike janë personat juridikë. Nga emri vetë rrjedh mbiemri vetjak (personal). Kushtetuta e Shqipërisë (1998/2016) nuk përmban em­rin vetë, por përdor mbiemrat vetjak dhe personal me të njëjtin kup­tim. Kra­ha­so, për shembull, kreun II të pjesës së dytë dhe nenet 37.3 e 45.4 (vet­jak) me 73.2, 126 e 137 (per­so­nal).

Ky projekt përdor njëtrajtshëm emrin vetë dhe mbiemrin vetjak. Megjithatë, zë­ve­n­dë­simi i hua­zi­me­ve të mirëpërhapura me rrënjë venda­se më pak të njo­hura është kryesisht ndje­një­sor, dhe nuk i shër­ben ndo­një qëllimi praktik. Ma­d­je, shpesh bie ndesh me pari­min e gju­hës së thje­shtë. Shih shënimin 1, sipër.

15 Kjo listë është bartë nga Kushtetuta e Kosovës (2008/2016), nenet 22 dhe 58.2, dhe nga ndry­shimi i propozuar i asaj kushtetute. Shih rastin KO 162/18, GjKK, Akt­gjyk. 7.2.2019.

Neni 6. Jeta dhe denjësia

  1. Në përgjithësi. Jeta dhe denjësia e njeriut janë të pacenueshme.
  2. Të ndaluara. Askush nuk mund:
    (1) të dënohet me vdekje;
    (2) të mbahet në skllavëri ose robëri;
    (3) të shtrëngohet me bë punë të detyruara, pos shërbimit të për­caktuar me ligj për masat e jashtë­za­kon­shme;16 ose
    (4) të trafikohet, torturohet, çnjerëzohet, ose gjymtohet.17
  3. Trupi e mendja. Çdonjërit i takon tërësia trupore e mendore. Çdo­njëri ka të drejtë:
    (1) me marrë vendime lidhur me shtimin sipas ligjit;
    (2) me pasë kontroll mbi trupin e vet;
    (3) mos me u mjeku kundër vullnetit të vet; dhe
    (4) mos me marrë pjesë në prova mjekësore ose shkencore pa pël­qimin e vet paraprak.

16 Çështja e shërbimit gjatë masave të jashtëzakonshme dhe e drejta e kundër­shti­mit të ndër­gjegjes ndaj shërbimit me armë në luftë mund të rregullohet me para­graf të veçantë. Ky para­graf do të mund të përcaktonte dhe detyrës e secilit shtetas me shër­by në Ushtri ose me mbrojtë vendin: «Qytetarët kanë detyrë të mbrojnë vendin dhe të shërbejnë në Ush­tri. Qyte­ta­ri që për arsye ndërgjegjeje nuk pranon me shërby me armë në Ushtri ka detyrë të kryejë shërbim tjetër si­pas ligjit».

17 Kjo dispozitë përfshin ndalimin e trafikimit të organeve. Shih Kartën e të drej­tave themelore e Bash­ki­mit Ev­ro­pian (2000/C 364/1), neni 3.2.

Neni 7. Barazia

  1. Përcaktimi. Të gjithë janë të barabartë para ligjit.
  2. Mosdiskriminimi. Ndalohet trajtimi i pabarabartë shka­­­ku i racës, prej­ardhjes, kom­bësisë, fesë, seksit, gjinisë, men­dimit poli­tik, sho­që­rimit, gjendjes sho­që­rore, ose ndonjë gjen­djeje a vetie tje­tër.18
  3. Përkrahja. Shteti mbron dhe ndihmon ata që janë në gjen­dje të pa­barabartë.

18 Ky paragraf ndalon diskriminimin edhe për shkaqe të orientimit seksual, vetive sek­suale, ose identitetit gjinor. Këto rrethana nënkuptohen brenda seksit, gjinisë, dhe sho­qërimit.

Neni 8. Privatësia

  1. Në përgjithësi. Banesa, objektet private, dhe kumtimi vetjak janë të pa­cenue­shëm. Mund të kontrollohen vetëm sa lejon mira­ti­mi gjyqësor.
  2. Të dhënat. Të dhënat vetjake mbrohen me ligj. Mund të përdoren vetëm për qëllimet për të cilat janë mbledhë.19 Nuk mund të ruhen rregullisht dhe vetvetiu, përveçse sa lejon mira­timi gjy­qësor ose sa është e domosdoshme:
    (1) për të regjistruar qytetarët dhe popullsinë për qëllimet e për­ligjshme të shtetit;
    (2) për të përcaktuar detyrimet financiare ndaj shtetit;
    (3) për të zbatuar ligjin ndaj veprimtarive ekonomike; ose
    (4) për të zbatuar marrëveshjet që ka lidhë njeriu të dhënat e të cilit ru­hen.20
  3. Miratimi. Gjykata jep miratimin sa është e domos­doshme për të hetuar shkel­je të ndëshkueshme dhe veçmas për secilin rast. Mira­timi për­shk­ru­an sakt njeri­un dhe vendin që kontrollohen, sen­det që merren, dhe të dhë­nat që ru­hen.

19 Shih, p.sh., Kusht. Malit të Zi (2007), neni 43.2.

20 Me ndryshime të vogla, kufizimin e ruajtjes së të dhënave sipas këtij neni e ka pro­po­zu Ri­chard Stall­man, programer dhe filozof amerikan që përkrah lirinë individuale në epokën di­gji­tale. Shih Richard Stall­man, «Sugjerime për kush­te­tu­tat e vendeve», në sajtin personal, https://www.stallman.org/articles/constitution-suggestions.al.html.

Neni 9. Liria vetjake

  1. Besa. Çdonjërit i takon besa për lirinë dhe sigurinë vetjake.
  2. Heqja. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse sipas ecurisë li­gjo­re kur:
    (1) dënohet me burg për shkelje të ndëshkueshme;21
    (2) shpërfill urdhrin e gjykatës;
    (3) duhet mbajtë në paraburgim;
    (4) duhet përligjë derisa hyn ose largohet nga vendi;
    (5) rrezikon tjerët shkaku i shëndetit; ose
    (6) duhet kujdesë për të shkaku i shëndetit ose moshës.
  3. Borxhi. Askujt nuk mund t’i hiqet liria pse nuk është në gjendje me la borxh ose me përmbushë detyrim kontrate.
  4. Njoftimi. Çdonjëri që i hiqet liria njoftohet menjëherë për ngar­ke­sën22 ndaj tij dhe i mu­ndësohet ndihma e avokatit.
  5. Paraburgimi. Njëri mund të mbahet në paraburgim:
    (1) nën dyshim të mbështetur se ka kryer shkelje të ndë­shkue­shme;
    (2) në pritje të gjykimit për shkeljen e dyshuar; dhe
    (3) nëse përbën rrezik për rrethin ose ka gjasë të madhe se nuk do të paraqitet në gjykim.
  6. Para gjyqtarit. Çdonjëri që i hiqet liria pa urdhër gjyqësor sillet para një gjyqtari brenda 48 orëve. Gjyqtari vendos brenda ditës a me e liru apo paraburgu.

21 Skajëza shkelje e ndëshkueshme është përdorë me kuptimin e veprës penale. Meqë një shkelje e tillë kryhet me veprim edhe me mosveprim, është më saktë me thënë shkelje e ndëshkueshme. Shih G. Mjeku, «Kur “i njëjti” kryn “vepër pe­nale”», Plisi.org, 19.2.2016, https://pli.si/2MuF2e3. Por e drejta jonë njeh edhe shkelje të tjera të ligjit që mund të ndëshko­hen por nuk cilësohen vepra pe­nale. Të tilla janë kundërvajtjet. Kjo çështje mund të kërkojë shqyrtim të më­tej­më.

22 Akuzën. Gjithashtu, ngarkoj dmth. akuzoj.

Neni 10. Drejtësia

  1. Gjykimi i ndershëm. Çdonjërit i takon gjykimi i ndershëm me i përcaktu të drejtat e detyrimet qy­tetnore23 dhe përgjegjësinë për shkelje të ndë­shkue­shme. Gjykimi i nder­shëm përfshin shqyr­ti­min:
    (1) e hapur, të drejtë, dhe të paanshëm;
    (2) brenda një afati të arsyeshëm;
    (3) nga një gjykatë e pavarur, e paanshme, dhe e themelu­ar me ligj; dhe
    (4) të përmbyllur me aktgjykim që jepet i arsyetuar dhe shpa­llet hap­tazi.24
  2. Qasja. Çdonjëri ka të drejtë me kërku para gjykatës zhdëm­tim të efekt­shëm kur i ce­nohen të drejtat ligjore.
  3. Ndihma. Avokati, ndihma juridike, dhe përkthyesi i mundë­so­hen fa­las çdo­njërit që nuk ka mjete të mjaftueshme me pagu, nëse është e do­mos­do­shme për qasje të efekt­shme në drejtësi.
  4. Avokatia. Avokatët ushtrojnë profesionin mëvetësisht sipas li­gjit.
  5. Të ngarkuarit. Askush nuk mund të gjykohet për shkelje të ndë­shkue­shme pa pasë kohë e mjete të mjaftueshme me përgatitë mbroj­t­jen. Të ngar­ku­arit i takon:
    (1) ndih­ma e efektshme e avokatit dhe përkthyesit;
    (2) provat e pafajësisë;
    (3) me i marrë në pyetje e provë dëshmitarët; dhe
    (4) me i detyru dëshmitarët me u paraqitë përmes urdhrit gjy­që­sor.
  6. Pandehja e pafajësisë. Çdonjëri që ngarkohet me shkelje të ndë­sh­kue­shme merret i pafajshëm deri kur të dëshmohet fajtor sipas ligjit.
  7. Të ndaluara. Askush nuk mund:
    (1) të shpallet fajtor për veprim ose mos­­­vep­rim që kur ka ndodhë nuk ka qenë shkelje të ndë­sh­kue­sh­me si­pas ligjit;
    (2) të shpallet fajtor sipas të dhënave të mbledhura paligjshëm;
    (3) të shtrëngohet me pranu fajësinë ose me dëshmu kundër vetes;
    (4) të gjykohet as ndëshkohet dy herë nën tagrin e Ko­so­vës për të njëj­tën shkelje, përveçse kur një gjykatë më e lartë ur­dhë­ron rigjyki­min e çë­shtjes; ose
    (5) të ndëshkohet me dënim më të rëndë se ç’ka qenë e paraparë kur është kryer shkelja ose me dënim në shpërpjesëtim me rën­de­sën e shkeljes.
  8. Dorëzimi shtetit të huaj. Askush nuk mund t’i dorëzohet kundër vullnetit të vet një shteti të huaj, nëse rrezikon:
    (1) të ndëshkohet për veprim ose mosveprim që nuk për­bën shke­l­je të ndëshkueshme sipas ligjeve të Kosovës;
    (2) të vuajë dënim më të rëndë nga ç’parashohin ligjet e Koso­vës; ose
    (3) t’i nënshtrohet një ecurie ligjore ose dënimi në kundër­shtim me të drejtat themelore.
  9. Viktimat. Çdonjëri që sipas ligjit është viktimë e një shkel­jeje të ndë­shkue­shme ka të drejtë:25
    (1) të mbrohet përmes masave të duhura ndaj të ngar­kuarit;
    (2) të njoftohet rreth rastit dhe për ikjen ose lirimit e të ngar­kua­rit;
    (3) të marrë pjesë në ecurinë ligjore ndaj të ngarkuarit; dhe
    (4) të kërkojë dëmshpërblim nga i ngarkuari.

23 Termi qytetnore domethënë civile. At Shtjefën Gje­çovi përdorte skajëzat qy­tet­no­re dhe ndëshkimtare. Shih librin I të Kanunit të Lekë Dukagjinit (Pro­vinçjalati Françes­kan: Shkodër, bot. 1, 1933), http://pli.si/1NEGHoc. Por përveçse për ta nderu traditën, nuk ka ndonjë shkas detyrues me thënë qytetnore në vend se ci­vile.

24 Pika (4) mund të vihet si paragraf i veçantë i formuluar kështu: «Aktgjykimi je­pet i arsyetuar dhe shpa­llet haptazi».

25 Shih, p.sh., Kushtetutën e Alaskës (ShBA, 1956/1994), neni I.24.

Neni 11. Shtetësia

  1. Me të lindur. Çdo njeri i lindur në Kosovë ose që ka prind a gjysh kosovar është vetiu qy­tetar kosovar.
  2. Me të fituar. Qytetar mund të bëhet kushdo që përmbush kushtet e për­cak­tuara me ligj dhe njeh kënaqshëm gjuhën shqipe.
  3. Të ndaluara. Asnjë qytetari nuk mund t’i mohohet ose t’i hiqet e drejta e shte­tësisë. Asnjë qytetar nuk mund:
    (1) të pengohet me hy në Kosovë;
    (2) të dëbohet nga Kosova; ose
    (3) t’i dorëzohet kundër vullnetit të vet një shteti të huaj, për­veç nëse me marrë­veshje ndërkombëtare përcaktohet ndry­she.
  4. Mbrojtja. Shteti mbron me ligj interesat e qytetarëve jashtë Ko­so­vës.

Neni 12. Lëvizja

  1. Në përgjithësi. Qytetarët dhe banorët e ligjshëm kanë të drejtë me lëvizë dhe me zgjedhë vendbanimin lirshëm.
  2. Largimi. Çdonjëri ka të drejtë me u largu nga Kosova.
  3. Të huajt. Me ligj rregullohet e drejta e të huajve me hy dhe me qën­dru në Kosovë.
  4. Ndorja. Kosova u jep ndorje të huajve që në vendet e tyre u ka­noset për­ndjekja shkaku i prejardhjes, fesë, mendimit politik, sho­­rimit, ose gje­nd­jeje a vetie tje­tër.

Neni 13. Liria shpirtërore

  1. Në përgjithësi. Çdonjërit i takon liria e mendimit, ndërgjegjes, dhe fesë. Çdonjëri ka të drejtë ta zgjedhë, ndërrojë, fshehë, ose shprehë mendimin a fenë e vet.
  2. Bashkësitë. Bashkësitë fetare rregullojnë mëvetësisht organi­zi­min e brendshëm dhe ritet.

Neni 14. Liritë qytetare

  1. Shprehja. Çdonjërit i takon liria e shprehjes, përfshin njofti­min, botimin, dhe kum­timin.
  2. Korrigjimi. Çdo­njëri ka të drejtë sipas ligjit të korrigjojë boti­min e pasaktë a të paplotë që ia cenon të drejtat a interesat.
  3. Tubimi dhe shoqërimi. Çdonjërit i takon liria e tubimit paqësor dhe sho­që­rimit.

Neni 15. Demokracia

  1. Zgjedhjet. Çdo qytetar që ka mbushë 18 vjet ka detyrë me qitë vo­tën e vet dhe të drejtë me zgjedhë dhe me u zgjedhë përfaqë­sues, përveç nëse me urdhër të prerë i hiqet zotësia për të vepruar ose Kushtetuta për­cak­ton ndryshe. Vota është vet­jake, e barabartë, e lirë, dhe e fshehtë.
  2. Barazia gjinore. Për sa është e mundshme, burrat dhe gratë duhet të përbëjnë të paktën nga një të tretën e çdo or­ga­ni shum­anë­ta­rësh të shtetit ose ndër­marr­jeve në pronësi bo­to­re.26 Zgje­dhja që bëjnë qyte­tarët mund të shpër­fillet sa është e do­mos­doshme për këtë qëllim.
  3. Ndikimi. Çdo qytetar ka të drejtë t’u parashtrojë kërkesë autori­te­te­ve bo­tore dhe të ndikojë demokratikisht në vendimmarrje.
  4. Shpenzimet. Ligji mund të kufizojë shpenzimet private që kanë qëllim të ndi­kojnë në zgjedhje, dhe mund t’u kërkojë shpen­zues­ve të mëdhenj të identifiko­hen.27
  5. Detyra botore. Askush nuk mund të përdorë detyrën botore për t’i shër­byer inte­re­sit të veç­antë të vetes ose të të afërm­ve. Ligji mund t’ua kufizojë ish-zyrtarëve të shtetit ose të ndërmarrjeve në pro­në­si botore pjesë­marrjen për kohë të ar­sye­shme në veprimtari eko­no­mi­ke që:
    (1) kanë pasë detyrë t’i rregullojnë ose mbikëqyrin; ose
    (2) kanë qëllim të ndikojnë në punën e organeve shtetërore ose të ndër­marr­jeve në pronësi botore.28
  6. Qëndresa. Çdo qytetar ka të drejtë t’i bëjë qëndresë kujtdo që për­piqet ta për­mbysë re­n­din kushtetutor kur qytetari nuk ka mun­dësi tjetër me mbrojtë ren­din.29
  7. Dokumentet. Çdonjërit i takon e drejta e qasjes në dokumente bo­tore.

26 Mbiemri botor ka kuptimin e mbiemrit publik kudo në këtë projekt. Shih Fjalo­rin, AShSh (2006), https://fjalorthi.com/botor.

27 Shpenzimet e pakufizuara në fushata zgjedhore janë bërë temë kyçe në Shtetet e Ba­shkuara, veçmas pas vendimit të Gjykatës Supreme në rastin Citizens United v. FEC, 558 U.S. 310 (2010). Senatori Bernie San­ders ka paraqitë propozim për ndry­shi­min e kushtetutës fe­derative për të kufizuar shpen­zimet. Shih kumtesën shtyp «Sanders Files Constitu­ti­o­nal Amendment to Overturn Supreme Court’s Citi­zens United Decision», 21.1.2015, https://bit.ly/2Z5JemP.

28 Disa shtete amerikane parashohin me kushtetutë ose ligj ndalimin e derës rrotu­llue­se (revol­ving door). National Conference of State Legislatures, «Revolving Door Pro­hibitions», 3.4.2019, https://bit.ly/2nfCELG. Stall­ma­ni rekomandon kufizim deri në 10 vjet. Shih shënimin 20, sipër.

29 Ligji Themelor i Gjermanisë (1949/2014), neni 20.4.

Neni 16. Familja

  1. Në përgjithësi. Shteti mbron familjen dhe ndihmon prindërit me rritë dhe eduku fëmi­jët. Çdo prindi të punësuar i takon pushimi i lehonisë me pa­gesë, para dhe pas lindjes së fëmijës.
  2. Martesa. Dy veta të moshës martesore që nuk janë në lidhje gja­ku kanë të drejtë të martohen dhe krijojnë familje me pëlqim të lirë. Martesa dhe pri­shja e saj rre­gullohen me ligj dhe mbë­shte­ten në barazinë e bashkë­shor­tëve.
  3. Fëmijët. Çdo fëmije i takon kujdesi për mirëqenie dhe mbrojtja nga dhuna, keq­traj­timi, e shfrytëzimi. Vendimet rreth fëmijës du­het të jenë në interesin më të lartë të fëmijës.

Neni 17. Prona

  1. Në përgjithësi. Çdonjëri ka të drejtë ta gëzojë paqësisht pronën e vet.
  2. Shpronësimi. Shteti mund t’ia ma­rrë pronën dikujt sa është e do­mos­doshme për të mbërri qëllim botor, por du­het t’ia paguajë vle­rën që prona ka në treg.
  3. Plangu. Çdonjëri ka të drejtë të shfrytëzojë plangun. Përbën plang prona që e për­dor për banim ose bujqësi mbi­jete­se pro­na­ri, bashkëshorti, prin­di, ose fëmija i mitur të pronarit. As­kujt nuk mund t’i merret plangu për­veçse në rastet e përcak­tu­ara me ligj.30

30 Kusht. Floridës (ShBA, 1968), neni X.4; Kusht. Teksasit (ShBA, 1879/2017), neni 8; Kodi i pronës i Teksasit, Tex. Prop. Code (bot. 2017), § 11.13.

Neni 18. Puna dhe mirëqenia

  1. Puna. Çdonjëri ka të drejtë të punojë dhe zgjedhë lir­shëm zana­tin e ven­din e punës. Shteti nxit punësimin e qy­tetarëve.
  2. Punonjësit. Punonjësit i ta­koj­në ku­shte të denja dhe të sigurta për punë, për­fshi ora­rin e arsyeshëm dhe pu­shi­min vje­tor të pa­gu­ar. Punonjësit kanë të drejtë të or­ga­ni­zohen dhe të grevojnë për t’i mbroj­të in­te­re­sat e tyre.
  3. Ndihma. Çdonjërit i takon ndihma e shoqërisë për jetesë të de­­një. Li­gji rregullon kuj­desin shën­de­tësor dhe sigurimin themelor për rastet e pa­pu­në­sisë, së­mun­djes, aftësisë së kufizuara, dhe mo­shës së shtyrë.

Neni 19. Zhvillimi

  1. Në përgjithësi. Çdonjërit i takon e drejta e zhvillimit, përfshi të drejtën:
    (1) me gëzu shëndetin dhe me zhvillu shqisën dhe mendjen;
    (2) me kërku lumturinë vetë dhe si pjesëtar i shoqërisë; dhe
    (3) me përfitu nga të mirat e artit, shkencës, teknolo­gjisë, dhe për­parimit të gjithëmbarshëm njerëzor.
  2. Arsimi. Çdonjëri ka të drejtë të arsimohet falas dhe detyrë të ndje­kë ar­si­min e do­mos­doshëm të përcaktuar me ligj. Shte­ti si­gu­ron për çdo­një­rin mun­dësi me u arsi­mu sipas af­të­sive dhe nevoja­ve të posaçme.
  3. Puna mendore. Çdonjërit i takon liria e punës mendore, që për­fshin punën aka­de­mike, hu­lumtimin shkencor, shpi­k­jet e risi­met, dhe krijimtarinë arti­s­tike e let­ra­re. Li­gji i jep autorit dhe shpi­­sit pri­vi­legje për ta nxitë bo­ti­min e veprës ose idesë dhe për t’u mun­dë­suar të tjerëve me për­dorë atë.31
  4. Sipërmarrësia e konsumatorët. Çdonjëri ka të drejtë të zhvillojë dhe investojë në si­për­­marrësi të vye­sh­me, dhe konsumatori ka të drejtë ta kërkojë ha­kun për ma­llin dhe shër­bi­min. Shte­ti mbron inves­tuesin, kon­ku­rrencën e lirë, ko­nsu­mato­rin, dhe hua­ma­rrë­sin sipas ligjit.32
  5. Softveri. Askush nuk mund të detyrohet të përdorë ose të blejë soft­ver për të gëzuar të drejtat e veta, nëse nuk mund të qasë, ndry­shojë, ose botojë ndër­timin e brend­shëm të softverit.33
  6. Veglat. Përveçse kur pajtohet ndryshe përmes negocimit indi­vi­du­al, çdo­njëri ka të drejtë:
    (1) të ndreqë veglën që ka në pronësi; dhe
    (2) të studiojë fun­ksi­onimin e një vegle që ka në zotërim dhe të botojë atë që mëson rreth veglës.34

31 Mbështetë në vështrimin e Stallmanit mbi qëllimin e së drejtës së autorit dhe pa­ten­tave. Shih R. Stallman, shënimi 20, sipër.

32 Një draft i mëhershëm i projektit ka radhitë kundrinat në shumës: «investuesit […], konsumatorët, dhe huamarrësit […]». Por shumësi do të mund t’ia zbehte efek­tin dispozitës. A mbrohet të gjithë investuesit në përgjithësi apo veç e veç? A ka të drejtë një investues i vetëm të kërkojë të drejtën e vet në gjykatë? Ekspertët e shkrimit juridik parapël­qejnë njëjësin. Bryan A. Garner, Legal Writing in Plain English: A Text with Exercises, 2d ed. (Chicago UP, 2013), f. 135, § 38.

33 Kjo dispozitë promovon softverin e lirë (free software), të njohur edhe si softver i lirë dhe kod-hapur (free and open source software). Nuk gjendet në asnjë kush­tetutë. Shih FSF, «Ç’është software-i i lirë?», https://www.gnu.org/philosophy/free-sw.sq.html.

34 Stallman, shënimi 20, sipër.

Neni 20. Mjedisi dhe pasuritë

  1. Mjedisi. Çdonjëri ka të drejtë ta gëzojë dhe detyrë ta mbrojë mje­disin jetë­sor, që për­fshin natyrën, gjithlloj­shmërinë e gjalle­sa­ve, dhe trashëgiminë ko­mbë­ta­re e kulturore. Gjatë ven­dim­ma­rr­jes, or­ganet shtetërore kanë para­sysh ndi­kimin në mjedisin je­­sor.
  2. Pasuritë. Populli ka të drejtë të gëzojë pasuritë naty­rore. Ato për­fshijnë ujërat, hapësirën ajrore, burimet minerare, to­kën, py­jet, bo­tën bimore e shta­zore, dhe tjera të mira të përcak­tu­ara me ligj. Rregullohen me ligj ku­fi­zimet e të drejtave mbi pa­su­ritë na­ty­ro­re dhe kompensimi për kufizimet e tilla.

Neni 21. Shpenzimet botore

  1. Të drejtat. Çdo qytetar ka të drejtë të gëzojë frytet e shpenzi­me­ve të shtetit.
  2. Detyrimet. Çdonjëri nën ta­grin e Kosovës ka detyrë t’i pa­gu­ajë tatimet dhe dety­ri­met finan­ciare të për­caktuara me ligj.
  3. Prajshmëria. Shteti mbledh, huazon, dhe shpenzon mjete pasu­ro­re sipas ligjit, haptazi, dhe sa më vyeshëm.35 Organet shtetërore ja­pin llogari për shpenzimet e tyre.

35 Ndajfolja vyeshëm është përdorë këtu me kuptimin në mënyrë efiçiente (ang. efficient­ly). Efi­çi­en­ca nënkupton me bë më shumë me më pak.

Neni 22. Komunitetet

  1. Në përgjithësi. Komuniteti është grup kombëtar ose fetar tra­di­ci­ona­lisht i pra­nishëm në Kosovë. Çdo komunitet ka të drejtë të ruajë dhe zhvillojë gju­hën dhe kulturën e vet.36
  2. Ndihma. Shteti i mundëson komunitetit:
    (1) shkollimin fillor dhe të mesëm në gjuhët e vet; dhe
    (2) përfaqësim të denjë në ngrehimet37 botore dhe ndërmarrjet në pronësi botore.

36 Alternativë: «Komunitetet janë grupe […]. Kanë të drejtë […]». Shih shënimin 32, sipër.

37 Emri ngrehim është përdorë me kuptimin institucion. Pra, ngrehim botor dome­thënë institucion publik. Shih dhe shënimin 26, sipër.

Neni 23. Kufizimet

  1. Në përgjithësi. Një e drejtë themelore nuk mund të kufizohet pos me ligj sa është e domosdoshme për ta mbrojtë rendin ku­sh­tetutor.
  2. Thelbi. Kufizimi i një të drejte themelore nuk mund ta mohojë thelbin e saj ose të tejkalojë kufizimet e lejuara nga instrumentet ndërkombëtare të cekura në Kushtetutë.
  3. Shqyrtimi. Kur kufizohet një e drejtë themelore, organet shtetë­ro­re së shqyr­tojnë mun­dë­sinë me arritë qëllimin me kufizim më të vogël duke u kushtuar vëmendje:
    (1) thelbit të së drejtës që kufizohet;
    (2) rëndësisë së qëllimit të kufizimit;
    (3) natyrës dhe vëllimit të kufizimit; dhe
    (4) përputhjes mes kufizimit dhe qëllimit të kufizimit.
  4. Gjykata Evropiane. Të drejtat e përcaktuara me këtë krye inter­pre­to­hen në përputhje me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Nje­riut.

Kreu III
Prijatari

Neni 24. Përcaktimi

  1. Në përgjithësi. Prijatari38 është kreu i shtetit. Ai përfaqëson një­shmë­rinë e popullit dhe ruan demokracinë.
  2. Tagri. Prijatari ka tagër:
    (1) ta përfaqësojë Kosovën;
    (2) të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare;
    (3) të pranojë diplomatët e huaj;
    (4) të dërgojë në këshillim me Kabinetin diplomatë e konsuj të Kosovës në shtetet e huaja;
    (5) të japë pëlqimin për emërimin e zyrtarëve kur kërkohet me ligj;
    (6) të japë medalje, mirënjohje, dhe çmime;
    (7) të shpallë falje individuale sipas ligjit;
    (8) t’i drejtohet Kuvendit rreth gjendjes së vendit dhe ve­p­rim­ta­ri­së së Pri­jetarit, të paktën një herë në vit; dhe
    (9) të bartë përgjegjësi të tjera të parapara me Kushtetutë.

38 Alternativë: Presidenti, fjalë në përdorim të tanishëm, ose Kryetari i Republikës. Shih dhe shkrimin tim, «Gjuha e Kushtetutës: President apo Krye­tar», botu në Tele­grafi.com, 30.5.2011, http://pli.si/1MlR5hb.

Neni 25. Zgjedhja

  1. Në përgjithësi. Prijatarin e zgjedhin qytetarët. Zgjedhjet mba­hen çdo 6 vjet dhe kur zyra e Prijatarit mbetet e lirë.
  2. Kushtet. Mund të zgjedhet Prijatar çdo qytetar që ka mbushë 30 vjet.39 Mund të kandidohet çdo qytetar që ka për­krah­jen e 3-mijë qytetarëve. I njëj­ti qy­tetar mund të zgjedhet tri herë.
  3. Votimi i parë. Votuesi mund ta miratojë, kundërshtojë, ose shpër­fillë secilin kan­di­dat veç e veç. Për çdo herë që miratohet, kan­didati merr një pikë, dhe për çdo herë që kundërshtohet, i hi­qet një pikë. Zgjedhet Prijatar kan­didati që ka gjithsej më së shum­ti pikë dhe e miratojnë mbi gjys­ma e të gjithë votu­es­ve.40
  4. Dytësimi. Nëse asnjë kandidat nuk zgjedhet Prijatar, mbahet vo­ti­mi dytë­sues të die­lën e dytë pas votimit të parë. Votuesi zgje­dh një­rin nga dy kan­dida­tët që kanë marrë më së shumti pikë në vo­ti­min e parë. Zgjedhet Pri­je­tar kan­di­dati që merr shumicën e votave të vlefshme.

39 Kandidati duhet të ketë mbushë 30 vjet ditën e zgjedhjeve. Kushtetuta e tani­sh­me e Kosovës vë si kusht moshën 35 vjeç, kurse Shqipëria kërkon 5 vjet më shumë. Kusht. Ksv. (2008/2016), neni 85; Kusht. Shqip. (1998/2016), neni 86.2. Por ky kufizim është arkaik. Ndër kushtetuta të shkru­ara, shfaqet në kushtetutën ame­rikane, të hartuar më 1789, që për­cak­ton ku­sh­te të ngjashme edhe për për­fa­që­su­esit dhe senatorët: moshën 25 dhe 30 vjeç. Kusht. ShBA (1789/1992), nenet I.2.2, I.3.3, dhe II.1.5. Për kohë të gjatë në ShBA, mo­sha madhore dhe e drejta e votës është arritë me 21 vjet. Shih amend. XXVI (1971).

Projekti nuk kërkon as që kan­di­dati të ketë qenë shtetas që nga lindja ose të ketë banu në vend për një peri­udhë të caktuar. Shih Kusht. Ksv., neni 85; khs. me Kusht. Shqip, neni 86.2; Kusht. ShBA, neni II.1.5. Nëse kreu i shtetit zgjedhet nga populli, votuesit do të mund ta filtrojnë listën e kandidatëve më mirë se ku­a­li­fikimet formale.

40 Kjo është mënyrë e veçantë e zgjedhjes që është përdorë historikisht ndër repub­li­ka, por sot nuk haset në zgjedhjen e kreut të shtetit në asnjë vend. Megjithatë, ia vlen me e shqyrtu si mun­dësi që favorizon kandidatët më të moderuar e më kon­sen­su­alë. Shih shkrimin tim, «Me votu plot kandidatë», DialogPlus, 4.11.​2016, https://dialogplus.ch/me-votu-plot-kandidate-121890.

Si alternativë, votimi klasik me dy runde mund të përcaktohet kështu:
Zgjedhja. Zgjedhet Prijatari kandidati që merr mbi gjysmën [shumicën] e votave të vlefshme.
Dytësimi. Nëse as­një kandidat nuk merr shumicën e votave të vlefshme, mba­het një vo­tim dy­të­sues të dielën e dytë pas votimit të parë. Votuesi zgjedh njërin nga dy kan­di­da­tët që kanë marrë më së shumti vota në voti­min e parë.

Neni 26. Mandati

  1. Kohëzgjatja. Prijatari nis mandatin pasi betohet. Qëndron në de­tyrë deri kur të betohet pasuesi, përveç nëse dorëhiqet, shkar­ko­het, ose vdes.
  2. Papajtueshmëria. Prijatari nuk mund të ushtrojë detyrë tjetër bo­tore ose të jetë anë­tar i një partie politike.
  3. Mungesa. Kryetari i Kuvendit ushtron detyrën e Prijatarit aq kohë sa:
    (1) zyra e Prijatarit mbetet e lirë;
    (2) Prijatari ia jep detyrën; ose
    (3) dy të tretat e deputetëve vlerësojnë se Pri­je­tari nuk është në gjendje me ushtru detyrën.41

41 Alternativë: «nuk është në gjendje me i përmbushë përgjegjësitë».

Neni 27. Shkarkimi

  1. Rastet. Prijatari mund të shkarkohet nëse:
    (1) nuk do të jetë në gjendje me ushtru detyrën mbi 6 muaj shka­ku i sëmundjes;
    (2) është dënuar për krim të rëndë; ose
    (3) ka shkelë rëndë Kushtetutën.
  2. Kërkesa. Kërkesën për ta shkarkuar Prijatarin ia paraqesin Ku­ven­dit një e tre­ta e de­pu­te­tëve, duke cekë arsyen për shkar­kim.
  3. Pyetja. Nëse kër­kesa cek sëmun­d­jen, Ku­vendi pyet një kë­shill mje­kësor për gjendjen e Pri­jetarit. Nëse kërkesa pa­ndeh se Prija­ta­ri e ka shkelë rëndë Kushtetutën, Ku­vendi pyet Gjy­ka­tën e Naltë. Këshilli mjekësor ose Gjykata e Naltë përgjigjet brenda 14 di­tëve.
  4. Votimi. Ku­vendi shqyrton për­gji­gjen e këshillit mjekësor ose Gjy­ka­tës së Naltë, dhe shkar­kon Prijatarin me dy të tre­tat e depu­te­të­ve.
  5. Pasojat. Prijatari i shkarkuar pse është dënuar për krim të rëndë ose ka shkelë rën­dë Kushtetutën nuk mund të zgjedhet ose të emë­rohet në detyrë bo­tore pa kaluar 5 vjet.42

42 Rreth përjashtimit nga kandidimi për post shtetëror dhe kohëzgjatjes së për­jash­ti­mit, shih rastin e ish-kryetarit lituan në Gjykatën e Strasburgut, Paksas kundër Lituanisë, GjEDNj 34932/04, Aktgjyk. 6.1.2011.

Kreu IV
Kuvendi

Neni 28. Përcaktimi

  1. Në përgjithësi. Kuvendi ushtron pushtetin ligjvënës.
  2. Përbërja. Kuvendin e për­bëjnë 60 deri në 90 deputetë.
  3. Tagri. Kuvendi ka tagër:
    (1) të miratojë ligje dhe akte tjera;
    (2) të miratojë buxhetin shtetëror;
    (3) të mbikëqyrë politikën e jashtme dhe të sigurisë;43 dhe
    (4) të kryejë detyra të parapara me Kushtetutë e ligj.

43 Se Kuvendi ka tagër të mbikëqyrë politikën e sigurisë e thotë me fjalë të tjera edhe 1. Në tekstin e kushtetutës është me rëndësi mos me pasë për­së­rit­je, andaj pjesa «dhe të sigurisë» mund të hiqet.

Neni 29. Zgjedhja

  1. Orari. Zgjedhjet për Kuvend mbahen çdo 4 vjet dhe kur shpër­nda­het Kuvendi.
  2. Deputetët. Qy­tetarët e se­ci­lit vis zgjedhin dy a më shumë depu­tetë, në përpjesë­tim me po­pull­sinë e visit. Deri në 10 deputetë tjerë mund të ruhen për bashkësitë kosovare jashtë Kosovës dhe komunite­tet joshumicë.

Neni 30. Mandati

  1. Në përgjithësi. Deputetët përfaqësojnë popullin.
  2. Kohëzgjatja. Deputeti nis mandatin kur betohet. Me t’u shpallë zgjedhjet, mbaron mandati i të gjithë deputetëve.
  3. Para kohe. Mandati mbaron para kohe nëse deputeti:
    (1) dorëhiqet;
    (2) mungon 6 muaj rresht pa leje nga mbledhjet e Kuvendit;
    (3) ushtron detyrë të ndaluar;
    (4) dënohet me një vit burg me vendim të prerë; ose
    (5) vdes.
  4. Papajtueshmëria. Deputeti nuk mund:
    (1) të ushtrojë detyrë drejtuese në organe shtetërore ose ndër­marr­je në pronësi bo­to­re; ose
    (2) të përfshihet në veprimtari që mund t’i nda­lo­he­n me ligj.
  5. Zbrazëtia. Vendi i lirë i deputetit plotësohet sipas ligjit.
  6. Shpërndarja. Mund ta shpërndajnë Kuvendin:
    (1) dy të tretat e deputetëve, kur e shohin të vyeshme; ose
    (2) Prijatari, në rastet e parapara me Kushtetutë.

Neni 31. Kryesia

  1. Në përgjithësi. Kuvendi emëron kryesinë e vet nga radhët e të pak­tën tri to­gjeve më të më­dha të deputetëve.
  2. Përbërja. Kryesinë e përbëjnë kryetari dhe 3 deri 5 nën­krye­tarë.
  3. Emërimi. Anë­ta­rët e kryesisë emërohen me shumicën e depute­tëve dhe shkar­kohen me pra­ninë e dy të tretave.

Neni 32. Puna

  1. Orari. Kuvendi mblidhet të paktën dy herë në vit: të hë­nën e tretë të ja­na­rit dhe të hënën e dytë të shtatorit. Mbledhjet e jashtë­za­ko­n­shme mbahen me kër­ke­sën e Prijatarit ose të një të tretës së de­pu­te­tëve.
  2. Kuorumi. Kuvendi nuk mund të zhvillojë pu­ni­met pa praninë e shu­mi­cës së deputetëve.
  3. Votimi. Deputetët votojnë haptazi për çdo vendim.
  4. Vendimet. Përveç kur Kushtetuta përcakton ndryshe, Kuvendi merr ven­dim kur shumica e deputetëve të pranishëm votojnë për.
  5. Mbledhjet e hapura. Kuvendi i mban mbledhjet të hapura. Pri­je­tari ose një e treta e deputetëve mund të kërkojnë mble­dhje të mbyllur. Kuvendi mira­ton kër­ke­sën hap­ta­zi me dy të tretat e de­pu­te­tëve.
  6. Komisionet. Kuvendi ngre nga radhët e veta komisione për punë të po­saç­me. Kuvendi ngre komision he­ti­mor me kërkesën e një të tretës së deputetëve.
  7. Rregullorja. Kuvendi miraton me dy të tretat e deputetëve rre­gu­llo­ren e vet. Rregu­llorja për­cakton organizimin e brend­shëm dhe pu­nën e Kuvendit, deputetëve, kry­e­sisë, togjeve të depute­­ve,44 dhe ko­mi­si­o­ne­ve.

44 Përdorë si sinonim për grupet parlamentare, por jo domosdo me kuptimin që gru­pi par­la­men­tar ka në jurisprudencës e tanishme. Shih rastin KO 119/14, GjKK, Akt­gjyk. 26.8.2014 (lidh gru­pin parlamentar me deputetët e dalë nga lista e një partie).

Neni 34. Ligjvënia

  1. Nisma. Mund t’i parashtrojnë Kuvendit projektligj për shqyrtim e miratim 10 mijë qytetarë me të drejtë vote, cilido deputet, Prija­ta­ri, ose Ka­bineti.
  2. Prijatarit. Pasi ta miratojë ligjin, Kuvendi ia paraqet menjë­herë Pri­je­tarit. Bre­n­da 7 ditëve, Prijatari shpall ose kthen li­gjin në Ku­vend për rishqyrtim dhe cek pse po e kthen.
  3. Shpallja ose kthimi. Nëse Prijatari nuk e shpall ose kthen ligjin, li­gji vetë­shpa­llet 7 ditë pasi i paraqitet Prijatarit. Nëse Pri­jetari e kthen ligjin, Ku­ven­di mund ta rimiratojë pa e ndryshuar dhe ta shpallë vetë me tri të pestat e deputetëve.
  4. Në fuqi. Ligji bo­to­het brenda 14 ditëve pasi shpallet, dhe hyn në fuqi 14 ditë pasi botohet, përveç nëse vetë për­cak­ton ndryshe.

Neni 35. Marrëveshjet ndërkombëtare

  1. Njoftimi. Kuvendi njoftohet sa herë nënshkruhet një marrë­vesh­je ndër­kom­bëtare.
  2. Në Kuvend. Ratifikohet në Kuvend çdo marrëveshje ndër­kom­bë­tare që ka të bëjë me mi­ra­timin e ligjeve.
  3. Me dy të tretat. Ratifikohet me dy të tretat e deputetëve ma­rrë­ve­sh­ja ndër­kom­­tare që ka të bë me:
    (1) truallin, paqen, aleancat, ose çështjet politike a ushtarake;
    (2) të drejtat themelore;
    (3) anëtarësimin në organizata ndërqeveritare; ose
    (4) marrjen përsipër të detyrimeve financiare.
  4. Nga Prijatari. Marrëveshjet e tjera ndërkombëtare i ratifikon Pri­je­tari.
  5. Shqyrtimi gjyqësor. Prijatari ose një e pesta e deputetëve mund t’i kërkojnë Gjy­katës së Nal­të ta shqyrtojë marrë­ve­sh­je ndër­kom­bë­tare para se të rati­fi­kohet. Brenda 30 ditëve, Gjykata e Naltë para­n­da­lon ratifikimin e ma­rrë­veshjes ndër­­kom­bë­tare që është në kun­dër­shtim me Kushtetutën.

Kreu V
Kabineti

Neni 36. Përcaktimi

  1. Në përgjithësi. Kabineti ushtron pushtetin përmbarues.
  2. Përbërja. Kabinetin e përbëjnë krye­ministri dhe 6 deri në 9 mi­nis­tra.
  3. Tagri. Kabineti ka tagër:
    (1) të zbatojë ligjet dhe aktet e tjera të Kuvendit;
    (2) të paraqesë dhe zbatojë politikën e brendshme dhe të jash­t­me;
    (3) të marrë vendime dhe të nxjerrë rregullore e udhëzime të ne­vojshme për zbatimin e ligjeve;
    (4) të paraqesë buxhetin shtetëror;
    (5) të bartë përgjegjësi të tjera të parapara me Kushtetutë e ligj; dhe
    (6) të bartë përgjegjësitë përmbaruese që nuk u janë caktuar or­ga­ne­ve të tjera.
  4. Kryeministri. Kryeministri udhëheq Kabinetin dhe siguron zba­ti­min e po­litikave të tij.
  5. Ministrat. Ministri është kreu i një ministrie. Ministria bart për­gje­gjësi të cak­tuara brenda tagrit të Kabinetit, dhe ka staf meritor pro­fe­si­o­nist.

Neni 37. Emërimi

  1. Kryeministri. Kryeministrin e emëron Kuvendi me shumi­cën e de­pu­te­tëve dhe me pël­qi­min e Prijatarit:45
    (1) në mbledhjen e parë pas zgjedhjeve;46
    (2) kur zyra e Kryeministrit mbetet e lirë;47
    (3) kur
    të jetë e nevojshme;48 ose
    (4) kur ta shohë të vyeshme.49
  2. Propozimi. Emërimin e Krye­ministrit mund ta kërkojnë një e treta e deputetëve duke paraqitë kan­di­datin.50 Ku­ve­n­di voton brenda 3 ditëve. I njëjti de­pu­tet mund ta kërkojë emërimin e Kryeministrit një herë në muaj.51
  3. Ministrat. Ministrat i emëron Kryeministri me pël­qi­min e Pri­je­ta­rit.
  4. Pëlqimi. Prijatari jep pëlqimin për emërimin e anëtarit të Kabi­ne­tit brenda 7 ditëve.
  5. Mosemërimi. Prijatari mund ta shpërndajë Kuven­din nëse Ku­ven­di nuk emë­ron Kryeministrin brenda tre muajve pas zgjedh­je­ve ose pasi zyra e Kryeministrit mbetet e lirë.

45 Kjo mënyrë e emërimit të kryeministrit dallon nga ecuria që tradicionalisht e ha­sim në sistemet parlamentare. Pa­ri­misht, kreu i shtetit emëron kryeministrin me pëlqimin e legjislativit. Mënyra e propozuar synon me thjeshtu ecurinë.

Në Itali, presidenti emëron kryeministrin, i cili duhet ta si­gurojë besimin e par­la­men­tit brenda një periudhe të caktuar. Kusht. Itali (1947/2012), nenet 92 dhe 94.

Në vende si Gjermania e Kosova, kreu i shtetit propozon kan­di­da­tin për krye­mi­nis­tër — ose cakton një man­datar për ta formu qeverinë e re me miratimin e par­la­men­tit. Ligji Themelor i Gjermanisë (1949/2014), neni 63.1. Por roli i presi­den­tit është krye­sisht formal, duke qenë se ai duhet të këshi­llo­het me partitë në Ku­vend dhe ta mandatojë kandi­da­tin e shu­micën. Kusht. Ksv. (2008/2016), neni 95; rasti KO 103/14, GjKK, Aktgjyk. 1.7.2014. Nëse mandatari i parë dë­sh­ton, presidenti emëron një ma­n­da­tar të dytë. Kusht. Ksv., neni 95.4.

Në Shqipëri, presidenti emëron kryeministrin me propozimin e partisë ose koa­licionit që ka shumicën në Kuvend. Kusht. Shqip. (1998/2016), neni 96.1. Krye­ministri i emëruar ia paraqet Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë për mi­ra­tim brenda 10 ditësh. Nenet 96.2 dhe 97. Nëse Kuvendi nuk e miraton, pre­si­denti emëron kryeministër tjetër. Neni 96.3. Nëse dështon edhe kryeministri i dytë, atëherë vetë Kuvendi e cakton kryeministrit, ndërsa presidenti e emëron for­malisht. Neni 96.3; shih dhe Kusht. Estonisë (1992/2015), neni 89.

Disa monarki parlamentare paraqesin model të veçantë. Në Suedi, man­da­ta­rin e cakton kryetari i parlamentit; kurse kreu i shtetit merr pjesë vetëm në cere­mo­ninë e be­timit. Ligji i Qe­ve­risjes i Suedisë (1974/2012), kap. VI, nenet 2–4, 6. Në Ja­po­ni, krye­ministrin e cakton vetë or­gani ligjvënës, dhe perandori ka për de­tyrë ta emë­rojë (formalisht). Kusht. Japon. (1946), neni 6.

Ky projekt pro­po­zon që njëherë të votojë Ku­vendi, e pas­taj ta japë pël­qi­min kreu i shte­tit. Në njërën anë, i afrohet modelit të Suedisë e Japonisë; në anën tjetër, le­jon që kreu i shtetit ta shkagojë (refuzojë) kandidatin që zgjedh Ku­vendi për shka­qe legjitime. Falë kësaj kompetence, Prijatari mund të ndikojë drejt­përdrejt në zgjedh­jen që bën Kuvendi.

46 Siç ndodh rëndom në një demokraci parlamentare, por dhe në republika gjys­më­presidenciale, kryeministri emërohet menjëherë pas zgjedhjeve për le­gjis­la­ti­vin.

47 Kjo pikë nënkuptohet nga pika vijuese («kur të jetë e nevojshme»). Alterna­ti­visht, mund të hiqet krejt.

48 Emërimi i një kryeministri të ri mund të nevojitet për arsye të ndryshme: krye­mi­nis­tri jep dorëheqje, vdes, ose për arsye tjetër nuk është në gjendje të për­mbu­shë përgjegjësitë. Këto raste mund t’i përshkruajmë në këtë dispozitë si «kur të jetë e nevojshme». Në alternativë mund t’i cekim një nga një, siç bëjmë te neni 26.3 për Prijatarin. Natyrisht, mungesa e kryeministrit nuk paraqet të njëj­tat shqetësime si mungesa e Prijatarit, meqë detyrën e kyeministrit mund ta ush­trojë njëri nga ministrat (neni 37.4).

49 Kjo nënkupton votën e mosbesimit, përmes së cilës legjislativi detyron dorë­heq­jen e ekzekutivit në një demokraci parlamentare. Por fjala është për votëbesim kon­struktiv, që i lejon Kuvendit të largojë kryeministrin e tashëm por i kërkon ta votojë pasuesin e tij. Shih Kusht. Shqip. (1998/2016), neni 105. (Përjashtim bën rasti kur dy të tretat e deputetëve vendosin me shpërnda Kuvendin, siç para­sheh neni 30.6.) Për thjeshtësi, ter­mat votëbesim, votë mosbesimi ose mocion votë­be­simi nuk janë përdorë në dis­po­zitat e këtij projekti.

50 Propozimi nënkupton propozimin fillestar të kandidatin menjëherë pas zgjedh­je­ve ose mocionin e votëbesimit gjatë mandatit të Kuvendit dhe kryeministrit. Pra­n­daj është thënë «emërimin e Kryeministrit» dhe jo «emërimin e një krye­minis­tri të ri».

Për dallim nga kush­te­tutat e tashme të Shqipërisë e Kosovës, kryemi­nis­tri nuk mund ta kër­kojë vetë votë­besi­min. Kusht. Shqip. (1998/2016), neni 104.1; Kusht. Ksv. (2008/2016), neni 100.2. Nëse kryeministri nuk do të shërbejë, mund të japë dorëheqje; Kuvendi do ta emë­rojë pastaj kryeministrin e ri. Por meqë ky projekt lejon vetëm votëbesim konstruktiv, krye­ministri nuk mund ta kërkojë votëbesimin me shpresë se do të çojë në zgjedhje të reja.

51 Deputetët nuk mund ta keqpërdorin këtë tagër duke e detyru Kuvendit të votojë në pafundësi për kandidatë që nuk gëzojnë mbështetjen e shumicës. Prandaj, i njëj­ti deputet mund ta kërkojë emërimin e krye­mi­nistrin vetëm një herë në muaj. De­putetët që nuk kanë nënshkru një kërkesë janë të lirë ta paraqesin kandidatin e tyre. Kësisoj, nëse kandidati i një grupi dështon, mund të votohet menjëherë ka­n­didati i grupit tjetër. Deputetët gjithashtu do të sigurohen se kanë votat e ne­voj­shme para se të paraqesin kandidatin e tyre.

Neni 38. Mandati

  1. Kohëzgjatja. Anëtari i Kabinetit nis mandatin pasi betohet. Qënd­ron në de­tyrë deri kur të betohet pasuesi, përveç nëse dorëhiqet, shkar­ko­het, ose vdes.
  2. Llogaridhënia. Kabineti i përgjigjet për punën e vet Kuvendit.
  3. Përgjegjësia. Anëtarët mbajnë bashkëpërgjegjësi për vendimet e Ka­binetit, për­veç nëse kun­dërshtojnë vendimin kur merret dhe e dëshmojnë kun­dër­shtimin. Se­cili mban përgjegjësi të veçantë për vendimet brenda fushë­vep­rimit të vet.
  4. Mungesa. Në mungesë të Kryeministrit, detyrën e tij e ushtron zë­vendësi. Zëvendësin e emëron nga radhët e ministrave Krye­mi­nistri, Kabineti, ose Pri­jetari.52
  5. Puna. Mënyra e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Ka­bi­net për­cak­to­hen me ligj dhe rregullore.

52 Në rastin më të mirë, vetë kryeministri do ta emëronte zëvendësin e vet. Nëse krye­ministri nuk mund ta bëjë këtë, atëherë e bën Kabineti. Nëse as Kabineti s’është në gjendje të veprojë, zëvendëskryeministrin e cakton Prijatari.

Kreu VI
Gjyqësia

Neni 39. Përcaktimi

  1. Në përgjithësi. Pushtetin gjyqësor e ushtrojnë gjykatat e pavaru­ra dhe të paan­shme. Ato ndajnë drejtësinë sipas Ku­shtetutës, li­gje­ve tjera, dhe ven­di­meve para­prijëse.
  2. Vendimet. Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për të gjitha or­ganet shtetërore.
  3. Lëndët. Gjykatat shqyrtojnë vetëm lëndë ose mosmarrëveshje të mirëfilltë mes palë­ve kundërshtare që paraqiten para gjykatës.53
  4. Ankesa. Ligji përcakton të drejtën për t’u ankuar ndaj vendimit gjy­qësore në gjy­ka­të më të lartë.

53 Kusht. ShBA (1789/1992), neni III.2.1 (case or controversy); p.sh., rasti Lujan v. Defenders of Wildlife, 504 U.S. 555, GjS ShBA (1992).

Neni 39. Gjykata e Naltë

  1. Në përgjithësi. Gjykata e Naltë është gjykata më e lartë.
  2. Tagri. Gjykata e Naltë ka tagër:
    (1) të caktojë sipas ligjit rregulla të procedurës dhe praktikës gjy­qësore; dhe
    (2) të bartë përgjegjësi të tjera të parapara me Kushtetutë e ligj.
  3. Gjykatat e tjera. Gjykatat më të ulëta themelohen me ligj.
  4. Vendimet. Vendimi i Gjykatës së Naltë botohet. Hyn në fuqi di­tën që botohet, përveç kur Gjykata zgjedh datë më të von­shme. Men­di­mi mospajtues i gjyqtarëve botohet bashkë me vendimin.

Neni 40. Dhoma Kushtetutore

    1. Në përgjithësi. Dhoma Kushtetutore e Gjykatës së Naltë54 ven­dos çështjet që kanë të bëjnë me Kushtetutën.
    2. Përbërja. Dhoma Kushtetutore ka 9 gjyq­tarë ku­shtetutorë.
    3. Tagri. Dhoma Kushtetutore ka tagër:
      (1) të shpallë të pa­vlef­shme ligjet dhe aktet që janë në kundër­shtim me Ku­sh­te­tutën; dhe
      (2) të bartë përgjegjësi të tjera të parapara me Kushtetutë e ligj.
    4. Pavarësia. Dhoma Kushtetutore është e pavarur dhe përcakton më­vetësisht buxhetin dhe rregullimin e bren­d­shëm sipas ligjit.
    5. Palët dhe rastet. Përveç rasteve tjera të parapara me Kushte­tutë, mund t’i drej­to­hen Dho­mës Ku­sh­tetutore:
      (1) Kuvendi, Prijatari, Kabineti, dhe Mbrojtësi i Popu­llit për shqyr­timin e një li­gji ose aktinjë organi shte­të­ror;
      (2) 10 deputetë për shqyrtimin e një ligji të mira­tuar para se të hyjë në fuqi;
      (3) gjykata për shqyrtimin e një akti të kontestuar në proce­durë gjyqë­so­re;55
      (4) cilido deputet për shqyrtimin e një akti që cenon të drejtat e komu­ni­teteve;
      (5) palai janë shkelë të drejtat, por pasi të ketë shterë mje­tet juri­dike; dhe
      (6) palët e tjera të autorizuara me ligj.

54 Alternativë: Gjykata Kushtetutore. Ndonëse parashihet si pjesë e Gjykatës së Naltë, Dhoma Ku­sh­tetutore është plotësisht e pavarur. Ajo është përfshi këtu për thje­shtësi.

55 Shih vendimin 52/2012, GjKSh (për referimet kushtetuese nga gjykatat).

Neni 41. Këshilli Gjyqësor

  1. Në përgjithësi. Këshilli Gjyqësor është organ i pavarur dhe i pa­an­shëm, i cili siguron pava­rësinë, paanësinë, dhe profe­sioniz­min e gjykatave dhe gjyq­ta­rë­ve.
  2. Përbërja. Këshilli Gjyqësor ka 13 anëtarë.
  3. Tagri. Këshilli Gjyqësor ka ta­gër:
    (1) të përpilojë rregulla sipas ligjit për punën e gjykatave;
    (2) të mbikëqyrë dhe mbarështojë gjykatat;
    (3) të hartojë dhe mbikëqyrë buxhetin e gjykatave;
    (4) të disiplinojë gjyqtarët;56
    (5) të përcaktojë numrin e gjyqtarëve të nevojshëm;
    (6) të rekomandojë themelimin e gjykatave të reja;
    (7) të njoftojë Kuvendin për gjendjen e gjyqësisë të pak­tën një herë në vit; dhe
    (8) të bartë përgjegjësi tjera të parapara me Kushtetutë.
  4. Përjashtim. Këshilli Gjyqësor nuk ka tagër mbi Dhomën Ku­sh­te­tu­tore.

56 Në këtë paragraf mund të shtohen punonjësit e tjerë të drejtësisë.

Neni 42. Emërimi

  1. Kushtet. Gjyqtarët dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor emërohen për­mes një ecurie të hapur, dhe kri­te­re­ve të për­caktuara me ligj. Ata duhet të jenë qy­te­ta­rë me karakter të lartë mo­ral dhe ju­ristë me për­vojë.
  2. Gjyqtarët. Gjyqtarët i emëron Këshilli Gjyqësor me pëlqimin e Pri­jetarit. Gjyqtarët kushtetutorë i emëron Kuvendi me tri të pes­tat e deputetëve dhe me pëlqimin e Prijatarit.
  3. shilli Gjyqësor. Gjyqtarët emërojnë 7 anëtarë të Kë­shi­llit Gjy­­sor, dhe Kuvendi me shumi­cën e deputetëve dhe me pël­qi­min e Prijatarit 6.

Neni 43. Mandati

  1. Kohëzgjata. Gjyqtari shërben deri në moshën ligjore të pen­si­o­ni­mit. Gjyqtari ku­sh­te­tutor shërben 9 vjet dhe anëtari i Kë­shi­llit Gjy­qësor 5. Secili qëndron në detyrë deri kur të betohet pa­sue­si, përveç nëse shkar­ko­het ose vdes. Gjyqtari kushtetutor ose anëtari i Këshillit Gjyqësor nuk mund të ri­emë­rohet.
  2. Papajtueshmëria. Gjyqtari ose anëtari i Këshillit Gjyqësor nuk mund:
    (1) të ushtrojë detyrë në organe shtetërore jashtë gjyqësisë;
    (2) të përfshihet në veprimtari politike; ose
    (3) të përfshihet në veprime a sjellje që bien ndesh me pava­rë­sinë, pa­anë­sinë, ose denjësinë e gjyqtarit ose anëtarit të Kë­shillit Gjyqësor.
  3. Mbrojtja. Gjyqtari nuk mund të bartet kundër vullnetit të vet, për­veçse:
    (1) për mba­rë­vajtjen e gjyqësisë;
    (2) për zbatimin e masave di­si­pli­nore; ose
    (3) kur me ligj pa­ra­shihet ndryshe.

Neni 44. Shkarkimi

  1. Rastet. Një gjyqtar ose anëtar i Këshillit Gjyqësor mund të shkar­kohet nëse:
    (1) dënohet për krim të rëndë;
    (2) shpallet i paaftë mendërisht ose trupërisht; ose
    (3) shpërfill rëndë detyrat e gjyqtarit ose anëtarit të Këshillit Gjy­qësor.
  2. Ecuria. Gjyqtarin e shkarkon Këshilli Gjyqësor me pëlqimin e Pri­jetarit. Gjyq­tarin kushtetutor dhe anëtarin e Këshillit Gjyqësor e shkarkon Kuvendi me dy të tretat e deputetëve dhe pël­qi­min e Prijatarit.
  3. Ankimi. Gjyqtari i shkarkuar ka të drejtë t’i ankohet Gjykatës së Naltë.

Kreu VII
Organet e posaçme

Neni 45. Në përgjithësi

  1. Përcaktimi. Organet e posaçme janë trupa të pavarur dhe të pa­an­shëm që caktohen me ligj për të bartë përgjegjësi të posaç­me. Kanë staf me­ri­tor profesionist.
  2. Lista. Janë organe të posaçme:
    (1) përndjekësit shtetërorë,57 që ndjekin të dyshuarit për shkelje të ndë­sh­ku­eshme ose shkelje tjera sipas ligjit;
    (2) Mbrojtësi i Popullit, që mbron të drejtat themelore nga auto­ri­tetet botore;
    (3) Rishikuesi i Përgjithshëm, që vëzhgon përdorimin e pares bo­to­re dhe ve­primtarinë ekonomike të shtetit;
    (4) Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve, që organizon zgjedhjet dhe shpall rezultatet e tyre;
    (5) Banka e Kosovës, që pret monedhën koso­vare, zbaton më­ve­të­sisht po­li­tikën monedhare, dhe mban e mbarështon kur­si­met valu­to­re të shtetit;
    (6) Komisioni i Medieve, që rregullon valët e transmetimeve;
    (7) Këshilli i Shërbimit Qytetnor, që mbron parimet e stafit me­ritor;58 dhe
    (8) agjencitë e pavarura të themeluara për të bartë përgjegjësi mbarështuese sipas një udhëzimi të qartë.
  3. Pavarësia. Ligji që rregullon një organ posaçëm ia siguron pa­varë­sinë dhe mje­tet e nevojshme për punë. Organi i posaçëm mba­­shton më­vetësisht bu­xhetin.
  4. Papajtueshmëria. Drejtuesi ose zyrtari i lartë i një organi të po­saçëm nuk mund të për­fshi­­het në veprimtari politike.
  5. Autoriteti. Çdo zyrtar, organ shtetëror, dhe autoritet tjetër ka de­tyrë të ba­shkë­punojë me organet e posaçme dhe t’u përgjigjet kër­kesave që bëjnë brenda fu­shë­veprimeve të tyre.

57 Alternativë: prokuroria e shtetit.

58 Shih rastin KO 171/18, GjKK, Aktgjyk. 25.4.2019 (rreth autoritetit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil).

Kreu VIII
Vetëqeverisja vendore

Neni 46. Në përgjithësi

  1. Ligji. Vetëqeverisja vendore mbrohet me ligj. Zbatohet drejt­për­drejt Karta Evro­piane për Vetë­qe­verisjen Vendo­re.
  2. Bashkitë. Bashkia është njësi e ndarjes tokësore dhe qe­ve­risjes vendore. Ka tagër:
    (1) të nxjerrë urdhëresa e të marrë vendime brenda fushë­vep­ri­mit të vet;
    (2) të bashkëpunojë me bashki të tjera dhe me palë të treta bren­da e jashtë vendit; dhe
    (3) të mbledhë e shpenzojë pare dhe të marrë mjete nga or­ga­net qen­drore.
  3. Viset. Visi është njësi e ndarjes tokësore për qëllime të or­ga­ne­ve qen­drore. Visin e përbëjnë disa bashki.59
  4. Delegimi. Organi qendror që delegon përgjegjësi siguron mjetet me i për­mbushë përgjegjësitë e deleguara.
  5. Mbikëqyrja. Organet qendrore rishikojnë aktet e organeve ven­do­re vetëm për t’u siguruar se janë në pajtim me ligjin.
  6. Të ndaluara. Nuk mund të ketë:
    (1) një­si sovrane pos shtetit; ose
    (2) ndarje në vija komunitare, politike, a ideologjike ose bre­nda hapësi­ra­ve të shkë­putura a të shkapërderdhura.
    60

59 Viset janë të rëndësishme për zgjedhjet e Kuvendit.

60 Qëllimi është me iu shmangë njësive të krijuara me ge­rry­mander­ing ose për të rehatu kërkesat e komuniteteve me synime separa­tiste. Veç­mas, nuk lejohet me lidhë hapësira gjeogra­fi­ke përmes korridoreve. Si­pas këtij para­grafi, Kosova do të ndalonte bos­një­zimin përmes entiteteve me kompetenca so­v­rane a ekze­ku­ti­ve.

Kreu IX
Mbrojtja dhe rendi

Neni 47. Organet

  1. Në përgjithësi. Organet e mbrojtjes dhe rendit varen nga organet e zgje­dhu­ra. Ku­vendi ua mbikëqyr buxhetin dhe politikat sipas ligjit.
  2. Ushtria. Ushtria është forcë përgjegjëse me mbrojtë vendin. Për­­het nga forcat to­kë­sore, ujore, dhe ajrore. Prijatari është krye­komandant i Ushtrisë. Ai emë­ron dhe shkarkon Kreun e Shta­bit të Për­gjithshëm dhe koman­dan­tët e for­cave tokësore, ujo­re, dhe aj­rore.
  3. Këshilli i Sigurisë. Këshilli i Sigurisë është organ këshillues i Pri­je­tarit. Përgatit stra­te­gjinë e mbrojtjes kombëtare dhe bart për­gje­gjë­si tjera të për­cak­tuara me ligj. Këshillin e përbëjnë Krye­mi­nis­tri, ministri i mbroj­t­jes, ministri i bren­d­shëm, dhe anëtarët e tjerë sipas ligjit.
  4. Policia. Policia është organ profesionist përgjegjës me rujtë ren­din e si­gurinë bo­to­re dhe me kon­tro­llu bashkë me Ushtrinë kufirin shte­tëror. Drej­to­rin e për­gjith­shëm të Po­licisë e emë­ron Krye­mi­ni­stri me pël­qi­min e Pri­je­tarit.
  5. Zbulimi. Agjencia e Zbulimit është organ profesionist që heton kër­cënimet ndaj si­gu­risë kombëtare. Drejtorin, zëvendës­drejto­rin, dhe ri­shikuesin e Agjen­cisë i emëron Kryeministri me pëlqi­min e Pri­jetarit. Agjencia u jep të njëj­tat njo­f­time Prijatarit dhe Krye­mi­nistrit.
  6. Papajtueshmëria. Nuk mund të ushtrojnë detyra tjera botore ose të ma­rrin pjesë në ve­p­rim­tari politike:
    (1) ushtarakët e shërbimit vepror;
    (2) pjesëtarët e Policisë; dhe
    (3) pjesëtarët e Agjencisë së Zbulimit.

Neni 48. Masat e jashtëzakonshme

  1. Në përgjithësi. Masat e jashtëzakonshme mund të ndërmerren sa janë të domosdo­shme shkaku i gjendjes së luftës dhe gjen­d­jes së jashtë­zakon­shme. Masat duhet të jenë në përpjesë­tim me rre­zi­kun dhe të sy­nojnë me rikthy sa më shpejt gjendjen e rre­gullt.61
  2. Ligji. Rregullohen me ligj puna e autoriteteve botore, kufizimi i të drej­tave the­me­lore, dhe kompensimi për dëmet e shkaktuara gjatë masave të jashtëzakonshme.
  3. Lufta. Në rast agresioni të armatosur ndaj vendit, Prijatari shpall me dek­ret gje­ndjen e luftës. Në rast kërcënimesh të jasht­me, Pri­je­tari shpall gjend­jen e luftës dhe mobi­li­zimin në kë­shi­llim me Kë­shi­llin e Sigu­risë dhe me pël­qimin e Ku­vendit. Kur Kuvendi nuk mund të mbli­dhet gjatë gjen­d­jes së luf­tës, Pri­je­tari nxjerr dekrete me fuqinë e ligjit.
  4. Gjendja e jashtëzakonshme. Në rast rreziku për rendin kushte­tu­tor ose për të para­ndaluar a mënjanuar pa­so­jat e një fatkeqësie na­ty­ro­re a teknologjike, mund të shpallet gjendje e jashtë­zakon­shme në pjesën e prekur të vendit. Gjendjen e jashtëzakonshme e shpall Ka­bi­neti me pëlqimin e Prijatarit për deri në 60 ditë. Ku­vendi mund ta zgjasë për 30 ditë tjera me dy të tre­tat e deputetëve, por jo më shumë se tri herë. Nëse Policia nuk është në gje­n­dje të rivendosë rendin, Kuvendi i jep leje Ush­trisë me ndër­hy.
  5. Kufizimi i të drejtave. Akti që ndërmerr masa jashtë­zakon­sh­me cilëson të drej­tat që kufizohen.
  6. Të ndaluara. Gjatë masave të jashtë­zakon­sh­me, nuk mund:
    (1) të ndryshohen Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet, ose ligjet për masat e jashtë­zakonshme;
    (2) të mbahen zgjedhje; ose
    (3) të kufizohen të drejtat e parapara nga nenet 6, 7, 10, 11, dhe 13.
  7. Shqyrtimi në Kuvend. Kuvendi shqyrton aktet e masave të jashtë­za­kon­sh­me në mble­dh­jen më të parë. Nëse nuk i mira­ton, aktet humbin fuqinë.

61 Ky nen mbështetet në radhë të parë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (1998/2016), pjesa 16, nenet 170–76, dhe pjesërisht në Kushtetutën e Kosovës (2008/2016). Pas trazirave të 97-s, Shqipëria e ka kufizu maksimalisht mun­dë­sinë e keq­përdorimit të gjendjes së jashtë­zakon­shme.

Kreu X
Të ndryshme

Neni 49. Zgjedhjet

  1. Shpallja. Zgjedhjet i shpall Prijatari, duke ua caktuar ditën.
  2. Dita. Zgjedhjet mbahen të die­lën e dytë të mar­sit, ma­jit, shta­to­rit, ose nëntorit.
  3. Shkurtimi i mandatit. Zyrtarëve që zgje­dhen mund t’u shkur­tohet man­dati ashtu që zgje­dhjet e parapara për një vit të mba­hen të njëj­tën ditë.62
  4. Vota për kandidatin. Vota e qytetarit mund t’i njehet vetëm kan­di­da­tit që zgjedh qytetari. Vota nuk mund t’i njehet grupit ose par­tisë politike në të cilën bën pjesë kan­didati.

62 Alternativë: «Zgjedhjet e parapara për një vit mba­hen të njëj­tën ditë, për sa është e mundshme. Për këtë qëllim, Pri­je­tari mund t’ua shkurtojë deri në një vit man­da­tin zyrtarëve që zgje­dhen».

Neni 50. Betimi

  1. Prijatari, Kuvendi, Kabineti. Prijatari, deputetët, dhe anë­tarët e Ka­bi­ne­tit bëjnë këtë be­tim: «Beto­hem se do t’i bin­dem Ku­sh­te­tu­tës dhe li­gjeve tjera të ven­dit, do të respek­toj të drejtat theme­lo­re të secilit, do të mbroj pava­rë­sinë e Kosovës, dhe do t’i shërbej të mirës së përgjith­shme dhe për­pa­ri­mit të po­pu­llit tonë».
  2. Gjyqtarët. Gjyqtarët dhe zyrtarët tjerë betohen sipas formulës së përcak­tuar me ligj se do t’i binden Kushtetutës dhe ligjeve tjera të vendit dhe do ta kryejnë me bes­ni­këri detyrën që pranojnë.

Neni 51. Shlirimet

  1. Në përgjithësi. Lirohen nga ndjekja ndëshkimore, paditë qyte­tare, dhe shkar­kimi për vep­rimet e vendimet brenda fushë­vep­ri­mit të tyre Pri­je­ta­ri, deputetët, anëtarët e Kabinetit, gjyq­tarët, anëtarët e Këshi­llit Gjyqësor, për­ndjekësit, dhe zyr­ta­rët e lartë të një organi të posaçëm. Nuk gë­zojnë shlirim nëse shke­lin ligjin që­lli­misht.63
  2. Ndalimi. Nuk mund të ndalohet ose burgohet pa pël­qimin e or­ga­nit ku shërben deputeti, gjyqtari, ose për­ndje­­si, për­deri­sa është duke i kryer detyrat e veta.
  3. Gjyqtarët. Gjyqtari mund të ngarkohet me shkelje të ndë­shkue­sh­me vetëm me pël­qi­min e Këshillit Gjyqësor dhe Pri­jetarit. Gjyq­ta­ri kushtetu­tor ose anë­tari i Këshillit Gjyqësor mund të ngar­kohet me shkelje të ndë­sh­kue­shme, të kon­tro­llohet, ose t’i hi­qet liria ve­tëm me pël­qimin e Dhomës Ku­shtetutore.
  4. Rrogat. Nuk mund t’i ulet rroga gjatë kohës sa shërben Prija­tarit, gjyq­ta­rit, anëtarit të Këshillit Gjyqësor, ose zyrtarit të lartë të një organi të posa­çëm. Rrogat e tyre rriten çdo vit në për­puthje me shtrenj­ti­min e për­gjith­shëm të mall­rave dhe shër­bi­me­ve.64

63 Zyrtarët e lartë të shtetit rëndom gëzojnë imunitet funksional, që domethënë se li­ro­hen nga përndjekja për veprimet brenda kompetencave të tyre. Në vend se me për­së­ritë këtu rregull sa herë që diskutohet një zyrtar ose organ i shtetit, i kam për­fshi të gjithë në një vend. Shih rastin KO 98/11, GjKK, Akt­gjyk. 20.​ 9.2011.

64 Mbështetë në kushtetutën e ShBA-së (1789/1992), neni III.1.1. Çështja e rrogave mund të rregu­llo­het në një nen i veçantë që përfshin dhe këtë dispozitë: «Cak­to­hen me ligj rrogat e Prija­ta­rit, deputetëve, anëtarëve të Kabinetit, gjyqta­rë­ve, anë­tarëve të Këshillit Gjyqësor, për­ndjekësve, dhe zyr­ta­rëve të lartë të një or­ga­ni të posaçëm».

Parimisht, kjo mund të nënkup­to­hej, por në Kosovë tashmë kemi një ven­dim të Gjykatës që ka leju rritjen e rrogave me vendim të ekzekutivit. Rasti KO 12/​18, GjKK, Akt­gjyk. 11.6.2018.

Neni 52. Ndryshimi i Kushtetutës

  1. Nisma. Mund të parashtrojë ndryshimin e Kushtetutës kushdo që ka të drejtë t’i para­shtrojë Kuvendit projektligj.
  2. Miratimi. Kuvendi mira­ton ndryshimin me dy të tre­tat e depu­tetëve.
  3. Shqyrtimi gjyqësor. Pasi ta miratojë ndryshimin, Kuvendi ia pa­ra­qet atë Gjy­katës së Naltë. Bre­nda 30 ditëve, Gjykata vle­­son nëse ndry­shi­mi pakë­son të drejtat the­melore ose sov­rani­te­tin e popullit. Nëse vlerëson se po, e kthen ndry­shi­min për rish­qyr­tim në Kuvend dhe cek arsyet pse po e kthen; nëse vle­rë­son se jo, ia paraqet Prijatarit për ta shpallë.

Neni 53. Kalimtare

  1. Ligjet e mëparshme. Shfuqizohen kushtetutat e më­parshme. Li­gjet e tjera mbeten në fu­qi sa janë në pajtim me këtë Kushtetutë dhe nuk janë ndryshuar ose shfu­qizuar.
  2. Ligji kalimtar. Çështjet kalimtare rregullohen me ligj të veçantë për zba­ti­min e Kushtetu­tës. Ai ligj miratohet në të njëjtën më­nyrë si Kushtetuta, dhe nuk i nën­sh­t­ro­het rishikimit gjyqësor.
  3. Në fuqi. Kjo Kushtetutë hyn në fuqi ditën që e shpall Prija­tari.

Licenca

Ky material botohet sipas licencës CC BY-ND 4.0.

Lejohet me e kopju dhe shpërnda në çfarëdo forme, qoftë dhe për fi­tim. Por duhet me cekë autorin dhe me përfshi këtë njoftim. Ndalohet me ndry­shu për­mbajtjen pa lejen e autorit.

Licencën e ka përpilu organizata amerikane «Crea­tive Commons» për t’u ndihmu autorëve dhe pub­likut me shpërnda dhe me ripërdorë punët kri­juese sipas ligjit.

Lexoji kushtet e licencës.

Lexoje projektin në PDF: A5 (245,8 kB) | A4 (286 kB)