Për përgjegjësinë e prindërve tanë

Pse more e kemi kaq zor të flasim për përgjegjësinë e prindërve tanë gjatë epokës totalitare?! A vërtet jemi aq bebe në tru, sa t’i shohim ende, edhe në moshë të shtyrë, prindërit tanë si totemë të pagabueshëm, a? Rritu more, të marrtë e mira të marrtë. Sa vjeç je? Rritu, e gjyko moralisht në mënyrë të pjekur!

Bibliotekat gjermane janë plot literaturë nga lëmi Vergangenheitsbewältigung, “ballafaqim me të kaluarën”, ku fëmijë të ish eprorëve e zyrtarëve lokalë nazistë intervistojnë prindërit e vet, shoshisin përgjegjësinë morale të tyre, analizojnë premisat etike të epokës. E bëjnë me respekt ndaj kushteve të tyre, e bëjnë me senzitivitet, por e bëjnë. Dhe kjo u ka ndihmuar gjermanëve që të ndërtojnë një ndër shoqëritë më të lira e më humane mbi tokë. Shoqëria gjermane, përmes ballafaqimit sistematik me të kaluarën në të gjitha nivelet, ka arritur ta kthejë pothuaj çdo qytetar gjerman në bedem të demokracisë.

Nëse bëjnë ashtu gjermanët, pse jo ne more?! Pse a mos ishim ne gjë më të mirë se gjermanët, a! Pse jo ne, shqiptarët? Pse s’e kemi ne njësoj të fortë ndjenjën e etikës dhe moralit?

Kadare e ndërton si hypotezë për ta rrëzuar idenë se diktatura shqiptare i ka përhapur qëllimisht krimet e veta. Hypoteza është, pra, se diktatura i ka detyruar të gjithë të bëhen pjesëmarrës në një mënyrë a në një tjetër, pikërisht që të mos mund të dënohet nga brezat e adhshëm; them se pakashumë e njëjta ide mund të përtypet edhe për Kosovën. Njëfarë amputimi i qëllimshëm moral që diktatura u ka bërë brezave të ardhshëm, pra.

Kadare e ngre këtë hypotezë nga pozita defenzive, e argumenton shkathtë rreth saj, natyrisht. Por mua kjo qëllimshmëri, ky intencionalitet i pandehur i diktaturës, më është dukur gjithmonë si fiksion letrar, taktikë e zgjuar vetëmbrojtëse nëse do. Them se elementi i qëllimshmërisë, intencionaliteti para të ardhmes, nuk është i nevojshëm për të shpjeguar fenomenin e krimit totalitar. Dhuna e totalitarizmit motivohet, si të thuash, më tepër nga natyra e gjërave. Totalitarizmi kërkon kolaboracionizëm aktiv, pse kërkon të dominojë krejtësisht çdo aspekt të së tashmes, sipas thirrjes Orwelliane “Kush e kontrollon të tashmen…” Dua të them, totalitarizmi thjesht s’e vret fort mendjen për kohën pas vetes, se veten e koncepton si të pavdekshëm. Ai nuk kërkon alibi për të ardhmen, se është i bindur që është mishërim i Ardhmërisë.

Nganjëherë më bëhet sikur Kadare e shton premisën e intencionalitetit, qëllimshmërisë, për ta rrëzuar bashkë me të si të pabazë edhe premisën reale. Atë që thotë se krimi ka qenë vërtet aq i përhapur, ka përlyer vërtet aq fort aq shumë njerëz, sa brezat e sotëm s’arrijnë dot ta gjykojnë. Është taktikë e njohur defanzive kjo, kur i luan sinorët e kundërshtarit, i shton a i tepron thëniet e tij, për t’i rrëzuar ato më lehtë.

Nëse qëndron kjo pandehmë kobzezë, se krimi ka ende pushtet moral ndaj nesh — dhe qëndrimi ynë ndaj të shkuarës indikon se po — kjo është shumë tragjike. Sepse mungesa e gjykimit, në njëfarë mënyre, na përlyen si fajtorë edhe neve për krimet e prindërve tanë. Deshëm-s’deshëm ne, nesër do të quhemi të përlyer, pse nuk e kryem përgjegjësinë tonë.

Sepse edhe ne jemi si gjermanët pas L2B — nuk kemi as ne fytyrë të themi ato tri fjalët e turpshme që përsëriteshin vazhdimisht në Nürenberg: “Ne nuk dinim!”

Nga Shqiptar Oseku

U lind në Gjakovë, ku e kreu të mesmen. U arratis si 18-vjeç në Suedi. Studioi shkencat sociale në Universitetin e Stockholmit. Punon si terapist në kryeqytetin suedez dhe shkruan poezi e komente shoqërore e politike.