100-vjetori i Luftës së Vlorës

Flamurët kuqezi stolisin Vlorën sot. Më 3 shtator 1920, luftëtarët shqiptarë hynë ngadhënjimtarë në qytetin e pavarësisë, pas luftës disamujore kundër forcave italiane. Kështu u dhanë fund përpjekjeve të fuqive evropiane për ta kolonizu e për ta ricopëtu Shqipërinë.

Në muzeun historik të qytetit sot pashë ekspozitën për nder të Luftës së Vlorës. Në prapavijë qëndron portreti i trimit Selam Musai-Salaria, që ra dëshmor në muajt e parë të luftës, kurse në të djathtë busti i Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit të pavarur.

Në Vlorë luftuan trimat nga Labëria, nga mbarë trojet shqiptare dhe nga mërgata jonë. Prifti kosovar Shtjefën Gjeçovi u ndodh në qytet, ku predikoi atdhedashurinë dhe përkrahu përpjekjet e luftës. (Gjeçovi u vra nga pushtuesit serbë në Zym të Prizrenit më 1929.)

Vatra e Amerikës dërgoi në Vlorë të rinj vullnetarë si dhe bandën muzikore, që jehoi me tingujt e marsheve e këngëve mëmëdhetare. Thoma Nasi shkroi melodinë, dhe Ali Asllani thuri fjalët e një himni të fuqishëm që bashkonte shqiptarët e feve të ndryshme:

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

Muhameti është i Zotit
Vlora është e Kastriotit
Krishti është i Perëndisë
Vlora është e Shqipërisë

Kurse artistët e Labërisë i kënduan Selam Musait, për trimërinë që kujton Mic Sokolin:

E ç’e zure topin more nga gryka
E lule more, Selam lule
E ç’e zure topin more nga gryka
O Selam Labi-Labi, hajde trim, o lule

1920-a ishte vit sfidash të mëdha për Shqipërinë. Në janar, atdhetarët u mblodhën në Kongresin e Lushnjës, ku ngritën një qeveri të re kombëtare dhe vendosën të mbronin pavarësinë dhe tërësinë tokësore të shtetit të njomë. Lufta e Vlorës, e cila nisi në qershor, qe zyrtarisht e para përballje e shtetit shqiptar me një fuqi të huaj. Disfata që pësoi Italia do të brente sedrën e udhëheqësit fashist Benito Mussolini, që më 1939 të kërkonte me ngulm pushtimin e gjithë vendit tonë.

Më 1920, shqiptarët nuk rikthyen dot Shqipërinë e para 1913-s, por mbrojtën shtetin, që përkundër të metave u bë shtyllë për ngritjen e kombit tonë përgjatë një shekulli.

Ndonëse në rrethana të reja dhe në kohë paqeje, shqiptarët sot kanë pse ta kujtojnë vendosmërinë e 1920-s. Dy shtetet tona — Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës — duhet të qëndrojnë të panënshtruara ndaj synimeve grabitqare të shteteve fqinje, dhe kombi ynë duhet të punojë për të drejtat dhe mbrothësinë e vet kudo në hapësirën shqiptare.

Sonte, në përvjetorin e Luftës së Vlorës, përfaqësuesja shqiptare e Dardanisë ndeshet në futboll me Moldavinë. Kurse kombëtarja kuqezi e Shqipërisë luan nesër kundër Bjellorusisë.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.