Ndryshimi i sistemit zgjedhor për demokraci të njëmendtë

Është e pamundshme që për disa parti në Kosovë të shënosh qoftë edhe përafërsisht vendin që zënë në spektrin politik ose të përshkruash prirjet e tyre ideologjike. Por ajo që mund të bëhet për këto parti është hijezimi i rajoneve në hartën e Kosovës, në të cilat ato ushtrojnë ndikim pothuajse të pakontestueshëm. Shumë prej partive kryesore gëzojnë pozitat e tyre në skenën politike në sajë të mbështetjes që kanë në një krahinë të vendit dhe për hir të angazhimit për interesat e atij rajoni.

Washington, D.C. — Në një kohë kur këto parti flasin për integrimin e vendit në Evropë, ato vetë ndihmojnë në ndarjen sipas vijave vendore apo lokale brenda republikës sonë të vogël. Por ndërsa partitë u shërbejnë interesave lokale para atyre kombëtare, fajin nuk duhet vënë vetëm partive por edhe sistemit zgjedhor, që mundëson dhe favorizon organizimin e tyre në frymë të tillë. Në këto kushte, duhet të shqyrtohet medoemos ndryshimi i sistemit zgjedhor përmes reformës kushtetuese, në mënyrë që t’i jepet fund politikës lokaliste dhe të ndërtohet demokraci përfaqësuese e njëmendtë.

Sipas sistemit proporcional në Kosovë, kandidatët konkurrojnë në një zonë të vetme zgjedhore dhe kërkojnë të zgjidhen si përfaqësues të të gjithë qytetarëve e jo vetëm të një rajoni të caktuar. Votuesi është i lirë të zgjedhë për përfaqësues cilindo kandidat, pa marrë parasysh se nga vjen apo ku banon. Mirëpo në praktikë, shumë prej zgjedhësve votojnë kandidatin që vjen nga rajoni i tyre. Një votues nga Llapi mendohet se do t’i japë votën një kandidati llapjan, një drenicak ka gjasë më shumë se kushdo tjetër t’i hedhë kokrrën vendasit, ndërsa dukagjinasi pritet të votojë fqinjin e vet.

Me gjithë sistemin proporcional, për këto rajone, ku mbizotëron një parti politike, është bërë e mundshme të zgjidhet si përfaqësues kandidati vendës. Por ajo që është e vështirë, në mos e pamundshme, me sistemin e tanishëm është që në rajonet me konkurrencë të theksuar politike, ku nuk mbizotëron një parti e vetme, të fitojë kandidati vendas.

Votat e rajoneve me konkurrencë ndërpartiake u shkojnë shumë partive, duke e vështirësuar më tej zgjidhjen e kandidatit përfaqësues të atij rajoni. Madje, kur banorët e rajonit me konkurrencë votojnë një kandidat vendas, por që i përket një partie mbizotëruese në një rajon tjetër, vota e tyre i numërohet në radhë të parë partisë. Në rrethana më pak të favorshme, kandidati i tyre mund të mos zgjidhet, por dikush tjetër nga partia mund të fitojë ulëse në Kuvend.

Kur të zgjidhet Kuvendi i ri, banorët e rajoneve me konkurrencë partiake mund të kenë ose të mos kenë deputet atë që kanë votuar. Por e kanë gati të pamundshme të kërkojnë llogari nga cilido ligjvënës, duke qenë se ky në radhë të parë do të mbrojë interesat e rajonit që jep mbështetjen më të madhe për partinë dhe për vetë deputetin.

Duke qenë viktimë e sistemit dhe praktikave politike, qytetari nga rajoni me konkurrencë partiake mbetet pa përfaqësim të mirëfilltë në Kuvend. Si rrjedhojë, për të ka shumë më pak shtytje që të marrë pjesë në zgjedhje sesa për qytetarët e rajoneve ku mbizotëron një parti politike, e përkushtuar ndaj interesave të atij rajoni. Dhe atëherë kur qytetari i papërfaqësuar në Kuvend zgjedh të mos votojë, ai kontribuon për partitë rajonale, të cilat duke u mbështetur në interesa lokaliste dëmtojnë konceptin e demokracisë përfaqësuese dhe unitetin e popullit.

Nga këndvështrimi i partive politike, sistemi me një zonë zgjedhore domethënë se për të fituar zgjedhjet nuk është e domosdoshme që përkrahësit e partisë të kenë shtrirje sa më të gjerë gjeografike. Edhe pse sipas sistemit proporcional çdo votë është e vlefshme pa marrë parasysh se ku është hedhur, partive u kuvendon të përngurtësojnë apo konsolidojnë bazën e mbështetjes në një rajon para se të zgjerohen në tjetrin.

Në radhë të parë, shumë prej partive politike që mbizotërojnë në një rajon të caktuar fitojnë ose gëzojnë qysh në fillim përkrahje për shkak se e kanë udhëheqësin ose udhëheqësit prej atij rajoni. Duke qenë vetë bij të asaj krahine, udhëheqësit e një partie e njohin atë vend më mirë por edhe mund të jenë në gjendje me i shërbye më mirë.

Në këto rrethana, partitë mendojnë për ruajtjen e bazës së mbështetësve para se të mendojnë për zgjerim. Për shkak të mbështetjes së gjerë dhe pothuajse militante, në këto rajone nuk ka konkurrencë politike dhe çdo investim mirëpritet dhe i njihet si meritë partisë së atij rajoni. Ndërkaq, edhe nevoja për investime mund të mos jetë aq e madhe sa në një rajon tjetër ku edhe ka konkurrencë ndërpartiake dhe nuk ka garanci se do të ketë votë në këmbim të investimeve.

Disa zëra kritikë qortojnë votuesit se po marrin parasysh vetëm interesat e tyre personale dhe simpatitë lokaliste, duke anashkaluar interesin kombëtar që do të mund të përkrahej duke votuar një kandidat që nuk është vendas. Por, ne nuk mund të kërkojmë që si zgjidhje e këtij problemi të rezultojë “vetëdijesimi” i zgjedhësit, nga i cili pritet në mënyrë të paarsyeshme të mos votojë për katundarin e vet, për njeriun që e njeh, i beson dhe nga i cili ka dobi. Rrjedha logjike e rrethanave do ta bënte të udhës që secilit zgjedhës t’i jepet mundësia për të votuar “katundarin” e vet apo atë përfaqësues të cilin e njeh, i beson dhe nga i cili mund të presë dobi, duke e detyruar t’i qëndrojë besnik premtimeve nëse kërkon të rizgjidhet pas katër vjetëve.

Me fjalë të tjera, ajo që kërkohet për të shthurur prirjet lokaliste të disa prej partive më të mëdha të skenës kosovare është zbatimi i sistemit mazhoritar me zona zgjedhore për zgjedhjen e Kuvendit të Republikës. Duke ndarë Kosovën në një numër zonash–dhe këtë në vija ekzistuese administrative në mënyrë që të shmanget krijimi i zonave sipas interesave partiake–një reformë zgjedhore do të detyronte partitë politike të kërkojnë mbështetje më të gjerë gjeografike dhe të konsiderojnë të gjitha rajonet e vendit si të rëndësishme dhe si burim potencial përkrahjeje. Secila zonë do të kishte përfaqësuesin e vet të zgjedhur nga qytetarët dhe të detyruar në radhë të parë ndaj tyre.

Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës i duhet që, me qëllim të përsosjes së demokracisë dhe shërbimit ndaj vendit, të shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të Nenit 64 të Kushtetutës, duke paraparë përmes amendamentit zhvillimin e zgjedhjeve sipas sistemit mazhoritar me zona zgjedhore. Si alternativë, reforma do të mund të zbatonte edhe një sistem të përzier, me ç’rast disa përfaqësues zgjidhen me shumicë votash sipas zonave zgjedhore, ndërsa të tjerë përmes sistemit proporcional me lista shumemërore. Sistemi i përzier do të shërbente si kompromis në rast se sistemi mazhoritar paraqet pengesë për parimet e detyrueshme të Kushtetutës dhe të Pakos së Ahtisaarit.

Ndërrimi i sistemit zgjedhor mund të mos ndryshojë pozitën e një partie në një zonë ku tani gëzon përkrahje gati absolute, por do t’u jepte mundësi edhe atyre rajoneve ku nuk mbizotëron një parti e vetme. Banorët e atyre rajoneve do të kishin përfaqësuesit e tyre, me të cilët do të dinin si të komunikonin dhe si t’i joshnin dhe kontrollonin përmes votës. Ndërkaq, profilizimi i partive nuk do të bëhej në vija lokale por sipas ideologjive që duke konkurruar në mënyrë të ndershme me njëra-tjetrën do t’i sillnin qytetarëve të Kosovës përfitimet e një demokracie të mirëfilltë.

Botu në Telegrafi.com, më 6 dhjetor 2010

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.