Kur komunizmi e kerret båjnë kërdi në kafiqa

Ditë për hallve, edhe pse s’åsht natë e madhe. Javën që shkoi, hina në nji kafiq të Prish­tinës, edhe u men­dova gjone­gat a me u ulë në qoshin në të majtë a në të djath­të të veran­dës. Krejt ken nji­soj, veç këndej shmajt, kah dora e larg­kof­tit, kish ma shum hije, e andej kah krahu i mbarë, e rrok­ke ma fort die­lli. Nejse, më ra në mend që komu­nis­tat janë të majtë, e që ata nuk e dojnë Ame­rikën, se na e kanë nji gjak borxh fi­sit tem, edhe ma e kanë ina­ti pse po më del rro­ga ma e madhe. Kë­shtu që ven­dosa me u ulë në kan­din në të djathtë.

Me i ra trup — se ndër­mjet t’ulmes edhe deri sa më ndo­dhi vakia, që mos më raftë me e harru, erdh nji­herë kama­rieri me më pyetë çka po du me pi, e i thash se po e pres shoq­ninë; tu pritë, e nxora nji min­dil e i fshij­­sha ndjer­sët e ba­llit, se båjke goxha zheg; mbas­andej erdh shoq­nia, e unë u çova në kå­mbë e i rroka në gryk, se kam qef me i nderu, jo me iu folë për s’ungj­ti; e mbasi u rahatumë nji­herë, erdh prap kama­ri­eri me na pyetë çka po doj­më me pi, dhe na poro­si­tëm; por ai i ngrati ha­rroi çka i lypëm e u kthy me na vetë së dy­tësh, dhe na i kallxumë e nuk bå­nëm zhur­më se na vij­ke keq, se ish kånë i ri e diqysh kish tremë — nej­se… Tamon ia nisëm pak mu­ha­be­tit, të ka krisë diçka: fëmija 10-vjeç hini në kafiq me gjith kerr, edhe atå jo për dere, po për dri­ta­re. Veç kuptohet, e rrxoi murin, e tullat ranë duça-duça përmbi shil­tet e shez­llon­gut të ko­­mu­­ni­s­tave. Shoqnia u pa­kën. Ke tu iu ra të li­gët. Por lum­ozo, mbe­tëm gjallë, se u ulëm djath­taz. Pshtumë pa nji therrë bile!

Thash vetmveti: Lum unë që s’jam ko­mu­ni­st! Fë­mija e mij nuk kanë çka me lypë në kafiq si ai ca­rro­ku që desh na mbyti. Unë i edu­koj qysh du­het.

Prej asaj dite, edhe shoq­nia ka nisë me mbledhë mend, qebesa, dhe po i lar­go­hen të majtës. Må nuk më folin për Albin Kur­tin. Ia kanë bå çfo­llow faqes sekrete «Vdek­je neo­­li­be­ra­liz­mit», dhe po fiq­rojnë ndryshe për je­tën dhe kri­ji­min. Tash po e pra­noj­në që gjith­çka åsht e shkru­me, e para­­caktume prej nji fu­qie ma të madhe. ADN-ja, po më thojnë, ta për­cak­ton shëndetin, inte­li­gjen­cën, e jetëgjatsinë. Pas­taj, hor­mo­net të nxisin me vepru. Krejt kjo tre­gon diçka!

Komunizmi åsht i keq, po e dijmë. Gjith­ashtu, krejt majtistat janë ko­mu­ni­sta, edhe nëse i thoj­në vetit demo­kratë. Por çka me bå unë që jam man­gja­rash tash, e që kët tre­gim po e shkruj me dorë të shmajtë të shej­tanit? Kam provu, por me të djathtën s’po ma qet, se s’po ma qet. Veç as maj­taz s’po shkoj.

— nga vakitë, sherret, haj­ret, ndodhitë, ngjar­jet, dhe evenimentet e re­gjis­trueme, të shënume, dhe të dokumentume në Di­tarin tem privat vetjako-per­sonal

***

Njoftim ligjor: © 2018 Të gjitha të drejtat e re­zer­vu­ara. Ditari im pri­vat vetjako-personal dhe çdo pjesë e tij, e ndarë dhe/ose në tërësi, janë të mbroj­tura në Repub­likën e Kosovës, me të drej­tën e privatësisë të garan­tuar me Nenin 36, para­grafi 1, i Kush­te­tutës së Repub­likës së Ko­so­vës, mi­ra­tuar me ven­dim të Ku­ven­dit të Repub­li­kës së Kosovës Nr. V-027, datë 09.04.2008 (hyrë në fuqi më 15.06.2008, dhe ndry­shu­ar me ve­n­dimet e Ku­ven­dit Nr. 04-V-436, datë 07.09.2012, pub­li­kuar në Ga­ze­tën Zyr­ta­re të Re­pub­li­kës së Ko­so­vës (tut­je “GZ”) Nr. 25/2012; 04-V-553, 14.03.2013, GZ 7/2013; 05-V-139, 03.08.2015, GZ 20/2015; 05-V-229, 24.02.2016, GZ 9/2016); me Ligjin Nr. 04/L-065 për të Drejtat e Au­to­rit dhe të Drejtat e Për­afër­ta, të pub­likuar në GZ 27/2011, më datë 30.11.2011, ndryshuar me ndryshim-plotësimin Ligj Nr. 05/L-047, GZ 37/2016, 03.11.2016, dhe aktet për­ka­tëse nën­li­gjo­re, dhe në shte­tet e tjera me le­gjis­la­ci­onin për­katës për mbrojtjen e pri­va­të­sisë dhe të drejtave të au­to­rit, nga kopjimi në çfarë­do forme, qoftë me dorë, me telefon, dhe/ose me kamerë; nga foto­kop­jimi në çfarëdo më­nyre, duke për­fshirë por jo vetëm makinat foto­kop­ju­ese, ska­ne­rët, dhe/ose ma­ki­nat për dërgimin e fak­si­mi­leve te­le­fo­ni­ke; dhe/ose leximi, këndimi, re­gjis­trimi, inci­zimi, rip­ro­dhimi, ri­pro­du­kimi në çfarë­do forme, traj­te, apo mënyre, si dhe/ose kë­qyr­ja, shi­kimi, shfry­të­zimi, për­do­ri­mi, ose/dhe per­cep­timi nga të gjithë personat fi­zi­kë dhe juri­dikë të pa­auto­ri­zuar në formën e para­shi­kuar me ligj, duke për­fshirë por jo vetëm fqi­njët, ko­le­gët, par­t­ne­rët e ndry­shëm, dhe/ose qy­te­ta­rët.

POR: Unë po të lejoj me e kopju e shpërnda kët pos­­tim. Por mos e ndry­sho, dhe tre­go kush e ka shkru dhe ku e ke marrë. Për ma shum, kqyri ku­sh­tet e li­cen­sës Cre­a­tive Com­mons BY-ND 4.0.

Veç edhe nji send: Aman, kurrë mos shkruj njof­tim ligjor si qai ma nalt, që e pe, por me shum gjasa e ka­për­ce­ve pa e lexu. (Unë u mahita pak, nëse s’e ke kup­tu.) Ligji e mbron të drejtën e autorit vetiu, edhe pa shkru ndojsend. Por nëse don patjetër me dhanë njoftim, mjaf­ton me thanë shkurt e shqip: «© I ruj të gjitha të drej­tat e mia si autor».

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.